Konjufca vazhdon takimet me ambasadorë, kërkon forcimin e mbështetjes për Kosovën

Konjufca vazhdon takimet me ambasadorë, kërkon forcimin e mbështetjes për Kosovën

Aktuale February 13, 2020 - 23:15
Shefi i diplomacisë kosovare bisedoi për zhvillimet e fundit politike.

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së enjte, ka zhvilluar takime të ndara me ambasadorë të katër vendeve evropiane.

Shefi i diplomacisë kosovare bisedoi për zhvillimet e fundit politike.

Konjufca është takuar me ambasadoren e Francës, Marie-Christine Butel, pastaj me shefin e Misionit të Belgjikës, ambasadorin Jean-Louis Servais, me ambasadorin e Norvegjisë, Jens Erik Grøndahl; dhe ambasadoren e Holandës, Gerrie Willems, prej të cilëve ka marrë urime për pozitën e re.

Ai ka falënderuar ambasadorët për përkrahjen e pakursyer që vendet e tyre i kanë ofruar Kosovës në vazhdimësi, por njëherësh ka kërkuar që kjo përkrahje të forcohet edhe më shumë, duke mbështetur projektet e ngecura, si dhe proceset integruese të shtetit të Kosovës në strukturat euro-atlantike.

Ministri i Punëve të Jashtme, gjatë ditës është takuar edhe me shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadorin Jan Braathu, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen në demokratizimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.