Rreth 30 çerdhe private operojnë pa licencë në Prishtinë

Rreth 30 çerdhe private operojnë pa licencë në Prishtinë

Aktuale February 13, 2020 - 20:22

Jo vetëm kopshti ku u keqtrajtua fëmija 16 muajsh është pa licencë. Në kryeqytet, funksionojnë edhe 30 çerdhe të tjera të pa licencuara. Në këtë rast, Komuna e Prishtinës ka shpreh gatishmërinë që të mbikëqyr edhe çerdhet private.

Skandali i keqtrajtimit të fëmijës në kryeqytet, zbuloi faktin se kopshti në fjalë nuk kishte licencë për punë. Rreth 30 kopshte të pa licencuara janë hasur gjatë 2019 nga Inspektorët e Ministrisë së Arsimit. “Nuk dihet numri i atyre që ushtrojnë veprimtari pa licencë pune nga MASHT për faktin se nuk janë nën mbikëqyrjen tonë. Të paktën për vitin 2009 rreth 30 kësi lloj institucione ushtrojnë veprimtari pa licencë nga MASHT”, deklaroi për RTV Dukagjinin, Defrim Gashi – Inspektor në Ministrinë e Arsimit. 

Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë tha se nuk kanë njohuri për kopshte private pa licencë ngase mbikëqyrja i takon MASHT-it.

“Ne faktikisht nuk kemi qasje në ato çerdhe  dhe nuk e kemi të drejtën e kontrollit apo monitorimit të punës së tyre. Ato marrin lejen për operim Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, pastaj aplikojnë për kushte sanitare në Komunën e Prishtinës, ndërsa licensohen nga Ministria e Arsimit”, deklaroi Shpresa Shala- Drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

Mirëpo  Komuna është e gatshme të pranojë mbikëqyrjen e gjitha çerdheve nëse autorizohet nga MASHT.

Njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, vlerëson se këtë situate e ka sjellë neglizhenca institucionale. 

“Mbi të gjitha kjo dëshmon për një neglizhencë institucionale qoftë në mbyllje të institucioneve të palicensuara apo stërzgjatje të procesit të aplikimit për licencë. Të gjitha këto e kthejnë përgjegjësinë të Ministria e Arsimit”, deklaroi Rinor Qehaja.

Në anën tjetër ARBK në një përgjigje për Rtv Dukagjini tregoi procedurat e regjistrimit të një çerdheje.

“Procedurat për regjistrimin e një çerdhe në ARBK janë procedura administrative të njëjta sikurse për çdo biznes tjetër.  Pastaj për procedurat tjera vazhdon në institucione të tjera siç është Leja e punës, marrja e Licencës etj ”

Ndërkaq, Ministria e Arsimit konfirmon se kopshti “Cambridge Kids” nuk kishte aplikuar për licencë.