Bashkëpunim mes mospajtimesh
Përderisa në Kosovë kanë ndryshuar forcat politike që kanë nën drejtim qeverinë, në Shqipëri, Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama vazhdon të mbetet pushtet.
E përbashkëta e të gjitha qeverive, si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë, është se në deklarata janë për thellimin e bashkëpunimit, por në vlerësimet e këtij bashkëpunimi, zakonisht evidentohen ngecje.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ai i Shqipërisë, Edi Rama, u zotuan në takimin e fundit në Tiranë se në dekadën e tretë të shekullit njëzetenjë (XXI) do të ketë një fillim të fuqishëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Ata u pajtuan që në fund të marsit, qeveritë e të dy vendeve të mblidhen në Shkodër për të shqyrtuar zbatimin e marrëveshjeve tashmë të dakorduara.
Por, ekspertë të çështjeve ekonomike konsiderojnë se iniciativat, marrëveshjet, takimet dhe bashkëpunimi nuk kanë munguar ndërmjet dy qeverive, por zbatimi i marrëveshjeve është neglizhuar.
Eksperti Naim Gashi thekson se pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur në Qeverinë e Kosovës, kjo nuk do të reflektohet në bashkëpunimin me Shqipërinë, për faktin se Qeveria e Shqipërisë dhe sidomos kryeministri Edi Rama, sipas tij, nuk e ka prioritet bashkëpunimin ekonomik dhe zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar në mes dy qeverive.
“Unë mendoj se kryeministri Rama dhe Qeveria shqiptare duhet të ndryshojnë prioritetet strategjike sa i përket rajonit, për faktin se Kosova përveç arsyeve kombëtare dhe historike, ka arsye edhe ekonomike. Unë mendoj se Shqipëria dhe Kosova duhet të dakordohen fillimisht me njëra-tjetrën dhe më pas të shikohet se çfarë qasje të kenë me vendet e treta të rajonit”, thotë Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Edhe Berat Rukiqi, kryetar në Odën Ekonomike të Kosovës, në rrjetin social Facebook, ka shkruar se në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ende vazhdojnë të paraqiten barriera.
“Pas Serbisë, Shqipëria mbetet vendi me më së shumti barriera jo-tarifore për produktet nga Kosova. Produkte të caktuara kosovare më lehte eksportohen në Skandinavi sesa në Shqipëri. Niveli i këmbimeve tregtare mes dy vendeve, është jo më shumë se këmbimet mes dy kompanive mesatare evropiane”, ka shkruar Rukiqi.
Janë 77 marrëveshje që qeveria e kaluar dhe kjo aktuale e Kosovës i ka arritur me Qeverinë e Shqipërisë, por të cilat, sipas vetë protagonistëve apo nënshkruesve të tyre, nuk po zbatohen.
Kurti e Rama janë pajtuar të themelojnë komision, i cili do të përkujdeset për fillimin apo mbarëvajtjen e zbatimit të marrëveshjeve.
“Duam që ta shtojmë bashkëpunimin, ta shtojmë bashkërendimin duke e thelluar e duke e zgjeruar atë. Në veçanti, duam që të bashkëpunojmë në aspektin ekonomik, prodhimtarisë, arsimit, sigurisë dhe politikës së jashtme”, ka thënë Kurti në Tiranë.
Kosova dhe Shqipëria i kanë filluar takimet e përbashkëta në nivel të qeverive që nga viti 2014.
Deri më tani janë mbajtur pesë takime të përbashkëta. Sa u përket marrëveshjeve, është thënë se qëllimi i tyre është një qeverisje e përbashkët strategjike me një vizion euroatlantik.
Por, përtej këtij zotimi, përplasjet në mes dy qeverive kanë filluar pas qëndrimeve të kundërta rreth projektit të quajtur, “Mini-Shengeni” ballkanik. Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, konkretisht Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, pa Kosovën, kanë nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila bazohet në zbatimin e lëvizjes së lirë të mallrave, kapitalit, njerëzve dhe shërbimeve. Të gjitha takimet e deritashme, i kishte refuzuar Kosova.
Mospajtimet për “Mini-Shengenin” kanë vazhduar edhe me kryeministrin aktual të Kosovës, Albin Kurti, i cili ka kërkuar që në vend të këtij projekti, fillimisht të zbatohet lëvizja plotësisht e lirë mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Përplasjet ishin thelluar kur kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u kritikua nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, për, siç ishte thënë, dakordimin e Ramës me Beogradin, për projektin e ndarjes së Kosovës.
Më pas, ishte kryeministri Rama ai që kishte deponuar një padi për shpifje ndaj Haradinajt në Gjykatën Themelore të Prishtinë.
Një çështje tjetër që në vazhdimësi ka ndarë në qëndrime udhëheqësit politikë në Prishtinë dhe ata të Qeverisë Rama, është edhe vendosja e taksës në “Rrugën e Kombit”, nga autoritetet e Shqipërisë.
Sipas përfaqësuesve të Kosovës, kjo taksë prek më së shumti qytetarët nga Kosova, të cilët përbëjnë numrin më të madh të vizitorëve, turistëve që kalojnë pushimet në Shqipëri.