MB: Duhet ndryshim ligjor për bërjen e shërbimit ushtarak të obliguar
Foto: Zeri

MB: Duhet ndryshim ligjor për bërjen e shërbimit ushtarak të obliguar

Aktuale February 13, 2020 - 13:31

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po synon që shërbimin ushtarak ta bëjë të detyrueshëm. Në planprogamin qeverisës, të harmonizuar mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, theksohet se do t’i nisin përgatitjet për shërbimin e obligueshëm ushtarak në përputhje me praktikat dhe me standardet më të mira të vendeve të NATO-s. Mirëpo procedurat se si planifikon ta bëjë një gjë të tillë qeveria “Kurti” ende nuk i ka bërë të ditura, shkruan agzeta "Zëri".

një përgjigje për gazetën “Zëri” Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se plani i qeverisë aktuale për ta bërë të obligueshëm shërbimin ushtarak është në fazën fillestare. Kësisoj, nga kjo Ministri kanë theksuar se fillimisht do të duhet të bëhet plotësim-ndryshimi i bazës ligjore.

“Çështja e shërbimit ushtarak të obliguar tremujor është objektivi i Qeverisë, i harmonizuar në mes të LDK-së dhe të LVV-së, i deklaruar nga kryeministri Albin Kurti. Për këtë çështje, fillimisht do të sigurohet ndryshimi dhe plotësimi i bazës ligjore, pas shumë analizave, konsultimeve, me ekspertizë vendore dhe në bashkëpunim me partnerët strategjikë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

LEXO EDHE: Qeveria, pa model dhe pa afat për shërbimin ushtarak të detyrueshëm

Ministria po ashtu thekson se tash për tash nuk mund të japin informacione mbi shërbimin ushtarak të obliguar, sepse në përcaktimet ligjore që do të bëhen do të parashihen edhe detajet. “Në këto përcaktime ligjore do të parashihen detajet. Tash për tash gjithçka është në fazën fillestare. Çdo hap që do të hidhet do të bëhet në mënyrë transparente. Kjo do të bëhet pa krijuar dilema në raport me fqinjët, me partnerët strategjikë dhe me NATO-n”, thuhet tutje në përgjigjen e Ministrisë./ZËRI