Gjermania ofron përkrahje për realizimin e sigurimeve shëndetësore

Gjermania ofron përkrahje për realizimin e sigurimeve shëndetësore

Aktuale February 13, 2020 - 13:16

Gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ia kishte konfirmuar ish-ministrit të Shëndetësisë Uran Ismailit gatishmërinë për ndihmë në krijimin e sigurimeve shëndetësore, shkruan sot gazeta "Zëri".

Zëdhënësi për informim të ish-ministrit Ismaili kanë thënë për “Zërin” se bashkëpunimi në mes të Fondit të Sigurimit Shëndetësor të Kosovës dhe Fondit të Sigurimit Gjerman është rezultat konkret i një memorandumi të përbashkët të mirëkuptimit, që u nënshkrua në korrik të vitit të kaluar.

Sipas tyre, për realizimin e sigurimeve duhet shumë përgatitje, resurse e kapacitete profesionale.

LEXO EDHE: Për 2 vjet Qeveria premton t’i bëjë qytetarët me sigurime shëndetësore

“Sigurimet janë proces, i cili nënkupton shumë përgatitje, infrastrukturë ligjore adekuate (ndryshim të Ligjit aktual të Sigurimeve Shëndetësore në disa pika), resurse e kapacitete profesionale për Fondin, ndërveprim midis disa institucioneve në Kosovë dhe ministri Ismaili nuk e ka ndërlidhur fillimin e sigurimeve shëndetësore me data e vite, po me plotësimin e këtyre parakushteve për të cilat Fondi po punon me mbështetjen e Ministrisë së Shëndetësisë”, kanë thënë ata.

Ata kanë deklaruar se projekti i mbështetjes për sigurimet shëndetësore do të shkojë në dy faza, ku faza e parë do të nisë në fillim të këtij viti./ZËRI