LVV - LDK-ja s’kanë afat se kur do të nisë shërbimi i detyrueshëm ushtarak
Foto: Laura Hasani

LVV - LDK-ja s’kanë afat se kur do të nisë shërbimi i detyrueshëm ushtarak

Aktuale February 13, 2020 - 11:31

Ndonëse synojnë ta bëjnë të detyrueshëm shërbimin ushtarak, qeveria “Kurti” ende nuk ka as model e as afat se kur do ta bëjë realitet një gjë të tillë. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur se ky proces fillimisht do të kërkojë ndryshimin e bazës ligjore, mbi të cilën do të parashihen edhe detajet. Ajo zotohet se çdo ndryshim do të bëhet pa krijuar dilema në raport me partnerët strategjikë të Kosovës, shkruan gazeta "Zëri".

Zëvendëskryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Avdullah Hoti, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka thënë se kryerja e shërbimit ushtarak nga të rinjtë do të jetë shenjë e forcimit të identitetit shtetëror të Kosovës.

Ndonëse ende nuk është bërë i ditur modeli për kryerjen e këtij shërbimi, Hoti theksoi se do të përkujdesen që ai të mos bjerë ndesh me arsimin ose punësimin e të rinjve.

Për shkak të procesit të transformimit të FSK-së në Ushtri Hoti theksoi se nuk mund të jepen afate se kur do të fillojë kryerja e këtij shërbimi.

LEXO EDHE: Qeveria, pa model dhe pa afat për shërbimin ushtarak të detyrueshëm

“Ka modele të ndryshme si ai i Zvicrës ose i vendeve të tjera, që u ofrojnë të rinjve të kryejnë shërbimin ushtarak pa rënë ndesh me agjendën e tyre të arsimimit ose të punësimit. Ka modele mjaft të mira nëpër Evropë, të cilat mund t’i zbatojmë. Por nuk ka afat se kur do të fillojë implementimi i këtij procesi, sepse jemi në fazën e transformimit të FSK-së drejt Ushtrisë”, ka thënë Hoti.

Ndërsa deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, ka pohuar për “Zërin” se do t’i fillojnë përgatitjet për këtë shërbim dhe se më të synohet të bëhet përgatitje për vetëmbrojtje.

“Është e qartë se duhet një fazë përgatitore dhe posa të kryhen të gjitha përgatitjet kjo do të fillojë së zbatuari. Çdo shtet e ka me rëndësi ta ketë një ushtri të fortë, ashtu synojmë edhe ne. Por me këtë veprim ne nuk po përgatitemi për luftë, por duhet të jemi të përgatitur për vetëmbrojtje dhe për ruajte të paqes afatgjate. Kësisoj. hap pas hapi do të fillojnë përgatitjet”, ka thënë Kollçaku./ZËRI