Kollçaku: Fillimisht duhet të zbatohet sistemi informativ i shëndetësisë

Kollçaku: Fillimisht duhet të zbatohet sistemi informativ i shëndetësisë

Aktuale February 13, 2020 - 11:25

Nga qeveria “Kurti” është thënë se për dy vjet do të zbatohen sigurimet shëndetësore në vend. Për implementimin e tyre Kosova ka marrë mbështetje edhe nga Ministria e Shëndetësisë në Gjermani, shkruan sot gazeta "Zëri".

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, e cila është edhe njohëse e fushës së shëndetësisë, ka thënë për “Zërin” se brenda dy vjetëve do të fillojë implementimi i Ligjit për Sigurimet Shëndetësore.

Ajo ka theksuar se fillimisht duhet të zbatohet projekti i sistemit informativ të shëndetësisë.

LEXO EDHE: Për 2 vjet Qeveria premton t’i bëjë qytetarët me sigurime shëndetësore

“Ne një kohë të gjatë kemi insistuar që fillimisht duhet të fillojë zbatimi i projektit të sistemit informativ shëndetësor. Ne kemi thënë se brenda dy vjetëve do të fillojmë implementimin e Ligjit për Sigurim Shëndetësor. Fillimisht ai duhet të ndryshohet dhe duhet t’i paraprijë fillimi i zbatimit të sistemit informativ shëndetësor, sepse neve na duhen të dhëna. Do të thotë, pa të dhëna nuk ka mundësi edhe të jetësohet ai”, ka potencuar ajo.

Sa i përket zbatimit të SISH-it Kollçaku ka thënë se ka shumë dyshime për punët që janë bërë dhe se do të rishikohen ato. “Projekti SISH-it ka pasur shumë dyshime dhe ato i ka evidentuar edhe Auditori pasi për të janë dhënë mjete të shumta materiale, jo vetëm nga shteti ynë, por edhe nga donatorët e nuk është zbatuar. Kështu që mbetet të rishikohet gjithë ajo çfarë ka ndodhur dhe të fillohet për së mbari”, ka deklaruar ajo./ZËRI