Istog: Dëmet nga era mbi 1.5 milion euro, Qeveria ndan vetëm 136 mijë euro

Istog: Dëmet nga era mbi 1.5 milion euro, Qeveria ndan vetëm 136 mijë euro

Aktuale February 13, 2020 - 08:34

Nga era e fortë, e cila zakonisht godet Istogun, më së shumti ka pësuar sektori i bujqësisë, mbi 622 mijë euro, pastaj dëmet në objektet shkollore mbi 162 mijë euro, ndërtesat publike komunale 115 mijë euro. Janë prekur ekonomitë familjare, objektet e banimit dhe infrastruktura e mbi 800 personave. Për Istogun Qeveria e Kosovës ka ndarë vetëm 136 mijë euro. Dëme të mëdha edhe në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Vushtrri, Skenderaj dhe në Drenas, shkruan gazeta "Zëri".

Mbi 1.5 milion euro janë vlerësuar dëmet nga era e fortë, e cila ka goditur komunën e Istogut. Erërat e fuqishme që kishin prekur komunën e Istogut javën e kaluar la këtë komunë me dëme të mëdha si në bujqësi, në infrastrukturë rrugore, në ndërtesa publiko-komunale, në objektet shëndetësore, si dhe në objekte private.

Jeta Balaj, zyrtare për informim publik në komunën e Istogut, ka thënë se Istogu ishte komuna më e goditur nga erërat e forta që kanë mbretëruar. Ajo shtoi se pas krijimit të komisioneve nga ana e kryetarit të Komunës, Haki Rugova, për vlerësimin e këtyre dëmeve të shkaktuara si pasojë e erës së fortë, komuna e Istogut ka dalë në vlerësime të përafërta që këto dëme shkojnë deri në 1 milion e 500 mijë euro.

“Dëmet më të mëdha janë në sektorin e bujqësisë, sidomos në sera dhe në stalla që kapin vlerën prej 700 e deri në 800 mijë eurosh, dëmet në objektet e arsimi janë 162 mijë euro, ku përfshihen shkollat fillore dhe të mesme të komunës së Istogut. Në ndërtesa publike komunale janë 115.000 euro dëme, në infrastrukturë rrugore dëmet janë 40.000 euro, si në shenja të emërtimit të rrugëve, në shenja të komunikacionit, sistemi i kamerave dhe i ndriçimit publik. Në objektet shëndetësore dëmet janë 14.000 euro, ku përfshihen QKMF në Istog, QMF-ja Banjë, QMF në Vrellë, ambulanca e mjekësisë familjare në Kaliqan”, ka thënë Balaj.

Sipas zyrtarët për informim publik në komunën e Istogut, deri më tani në komunë janë lajmëruar mbi 800 persona për dëme në objekte private, ku konsiderohen mbi gjysmë milioni euro dëme të shkaktuara. Bala vlerësoi se duke qenë se buxheti i Komunës së Istogut është i ulët dhe mundësitë buxhetore janë minimale për kompensimin e këtyre dëmeve, Komuna e Istogut pret mbështetjen e Qeverisë së Kosovës për kompensimin e dëmeve. Por Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndajë vetëm 136 mijë euro për sanimin e dëmeve milionëshe në komunën e Istogut.

Në anën tjetër, kryetari i Istogut Haki Rugova ka sqaruar se dëme më të mëdha material nga era kishte në vitin 2012, edhe dëmet e javës së kaluar kanë qenë shumë të mëdha. Ato do të sanohen, mirëpo kemi probleme financiare. Kemi kontakte me Qeverinë, ka qenë në vizitë kryeministri bashkë me dy ministra në objekte, në shkolla publike e në shtëpi private”, ka thënë Rugova, duke shtuar se dëmet janë vlerësuar bashkë me komisionet mikse dhe me ministritë. Se për çfarë dëmesh të mëdha bëhet fjalë tregon e dhëna se vetëm në fshatin Kaliçan të Istogut nga era janë dëmtuar rreth 300 shtëpi. “Era ka qenë shumë e fuqishme me dëme jashtëzakonisht të mëdha, kështu që besoj dhe shpresoj se për këto dëme të na ndihmojë Komuna dhe Qeveria e Kosovës. Fshati Kaliçan ka 300 shtëpi dhe pothuajse të gjitha ato janë dëmtuar, të paktën 80 për qind e tyre janë goditur nga era. Pa dyshim se duhet intervenuar në sanimin e dëmeve kaq të mëdha që janë shkaktuar”, ka thënë një banor i Kaliçanit.

Dëme të mëdha nga era janë shkaktuar edhe në Mitrovicë dhe në komunat e rajonit, Vushtrri, Skenderaj dhe në Drenas. Gjithashtu dëme të mëdha nga era ka pësuar edhe komuna veriore e Mitrovicës. Sipas të dhënave nga komunat, në Mitrovicë më së shumti janë dëmtuar objektet bujqësore, siç janë serrat, por edhe objektet shkollore, ndërsa në veri të Mitrovicës dëmet të mëdha materiale kanë pësuar ndërtesat, pullazet e shtëpive janë rënë për tokë, por edhe infrastruktura, rrjeti elektrik.

Në komunën e Skenderajt dëme të mëdha nga era kanë pësuar serrat, por edhe në disa shtëpi, pullazet janë dëmtuar tej mase për çka duhet të intervenohet shpejt.

Arsim Kadriu, një kultivues i perimeve nga Klina e Mesme e Skenderajt, i tha “Zërit” se më së shumti ka pasur dëme në serra. “Dëmet janë të mëdha edhe për faktin se përbrenda serrave kam pasur të mbjellë spinaq, por tani është dëmtuar edhe serra e edhe produkti që kam pritur të dalë shpejt. Vetëm tek unë dëmet sillen rreth 1 mijë euro”, ka thënë ai.

Sipas tij, zyrtarët komunalë nga Drejtoria e Bujqësisë i kanë thënë se Komuna nuk ka mjete për kompensimin e dëmeve, por presin që në ndihmë të dëmtuarve nga era t’u dalë Qeveria e Kosovës.

Dëme të konsiderueshme nga era ka pësuar edhe komuna e Vushtrrisë dhe ajo e Drenasit, por komunat akoma nuk kanë njoftuar për dëmet që janë shkaktuar. “Zëri” ka kontaktuar me zyrat për informim të komunave Vushtrri, Skenderaj dhe Drenas për të t’u informuar lidhur me punën e komisioneve për vlerësimin e dëmeve, por asnjëra prej tyre, siç i kanë thënë “Zërit”, ende nuk e kanë përfunduar punën në terren./ZËRI