Reagon zyra e Koordinatorit Hoti lidhur me lajmin ku raportohej se kanë shpenzuar mbi 22 mijë euro në dreka

Reagon zyra e Koordinatorit Hoti lidhur me lajmin ku raportohej se kanë shpenzuar mbi 22 mijë euro në dreka

Aktuale February 12, 2020 - 20:13

Zyra e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport ka reaguar lidhur me një artikull të botuar në “Koha Ditore”, ku pretendohej se Hoti ka hargjuar mbi 22 mijë euro në dreka për 16 muaj.

Ky artikull i riaktualizuar sot, i botuar origjinal më datë 05.12.2019 sipas KNKRS nuk është i vërtetë.

Nëpërmjet reagimit, Zyra e Hotit ka sqaruar opinionin lidhur me këto pretendime duke zbuluar shifrat sipas tyre.

Ky është reagimi i plotë:

Përmes kësaj shkrese, në emër të Zyrës së Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, shprehim reagimin për artikullin e botuar në gazetën “Koha Ditore” të datës 05.12.2019 me titull “Për 16 muaj, Rexhep Hoti i çoi mbi 22 mijë euro në dreka”, të gazetarit Besnik Krasniqi. Ky artikull është riaktualizuar sot, edhe pse KNKRS i ka dhënë sqarimin gazetës në raport me këto shpenzime vitin e kaluar.

Sqarojmë opinionin, si dhe redaksitë se informacioni i publikuar në artikullin në fjalë nuk është i saktë në mënyrën siç është paraqitur. Pavarësisht që Zyra e Kryeministrit ka dërguar pasqyrën financiare të shpenzimeve, aty nuk janë cekur konkretisht cilat kanë qenë shpenzimet dhe arsyet e tyre apo nga kush saktë janë shpenzuar. Në këtë rrjedhë, ju informojmë se nga shuma prej 22,170.20 euro, vetëm 818.20 kanë qenë dreka të Koordinatorit Hoti. 4,666.30 euro janë dreka (+akomodim) për punëtoritë e organizuara nga KNKRS me grupe ekspertësh, 14,503.20 janë shujtat për mbi 4000 nxënës pjesëmarrës në nivelin republikan, si dhe për vullnetarët e angazhuar në gara,  ndërkaq 2,182.50 euro është shuma e reprezentacionit të stafit politik të koordinatorit. Pra, të gjitha këto shpenzime përfshihen në shifrën “mbi 22 mijë euro” të paraqitur në artikullin “Për 16 muaj, Rexhep Hoti i çoi mbi 22 mijë euro në dreka”.

Këto shpenzime kapin aktivitetet e gjithëmbarshme të Garave Nacionale të Diturisë për 316 mijë nxënës dhe Garave Nacionale të Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik për 316 mijë nxënës, pra mbi  632 mijë nxënës. Për herë të parë në Kosovë, në zbatim të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për implementimin e Programit Nacional për Rininë në mënyrë institucionale janë organizuar gara për të gjithë nxënësit pa dallim.

Nga kjo garë e përgjithshme në nivelin shkollor, komunal dhe republikan në nivelin fillor të mesëm të ulët dhe në nivelin e mesëm të lartë, janë shpallur 44,723 fitues nga 29 komuna pjesëmarrëse.

Në nivelin shkollor janë shpallur gjithsej 40, 624  fitues. Të gjithë fituesit janë pajisur me certifikata.

Në nivel komunal vetëm në Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik kemi 2078 fitues. Në nivel komunal për garën e Diturisë kemi gjithsej 1467 fitues. Të gjithë fituesit do të pajisen me nga një set librash në vlerë prej 50 eurosh. Po ashtu, të gjithë nxënësit fitues të nivelit komunal të Diturisë klasa e I-rë dhe e II-të do të pajisen me nga një set librash pasi që gara për ta mbaron në këtë nivel për shkak të natyrës së garës e cila e ka ruajtur karakterin thelbësor të lojës në formësimin e saj.

Për fituesit e nivelit republikan ka filluar shpërndarja e bursave e të njëjtit edhe kanë mbajtur kampet kreative. Këto kampe, sipas planifikimeve, janë mbajtur nga një javë për secilin grup, në Kosovë e Shqipëri ku nxënësit në agjendën e tyre kanë pasur vizita të ndryshme si dhe shumë aktivitete me karakter socio-edukativ.

Duke parë gjithë këto statistika të fituesve, theksojmë se asnjëherë në historinë e shtetit të Kosovës nuk ka pasur më shumë fitues nga garat të cilat organizohen pa dallim për të gjithë nxënësit. Kjo ka qenë një mundësi që për herë të parë në këtë format u ofrohet nxënësve, andaj ne jemi krenar të bëjmë publike gjithë këto shifra që përmbajnë emra fituesish.