Reagon edukatorja që u pa duke e shkundur fëmijën: Nuk ushtrova dhunë, vetëm e qortova

Reagon edukatorja që u pa duke e shkundur fëmijën: Nuk ushtrova dhunë, vetëm e qortova

Aktuale February 12, 2020 - 17:43

Pas publikimit të një videoje në rrjete sociale ku shihet kujdestarja Razije Musa, duke e qortuar dhe shkundur një fëmijë në një kopsht privat në kryeqytet, ka reaguar kjo e fundit.

Musa e ka mohuar se ka ushtruar dhunë ndaj fëmijës në fjalë, teksa ka thënë se është e natyrshme që brenda normave ta qortosh në pak sekonda një fëmijë kur nuk bindet.

Në një përgjigje për Express, Musa ka thënë se në video shihet duke e qortuar fëmijën, jo duke ushtruar dhunë në të.

Deklaron se e kundërshton fuqishëm dhunën, por në raste të caktuara kur një fëmijë nuk bindet në asnjë mënyrë, është e natyrshme që brenda normave ta qortosh në pak sekonda e ti falësh dashuri gjithë ditën.

“Nuk mund të diskreditosh lehtësisht një profesioniste vetëm pse ajo që sheh në pak sekonda është ajo që dëshiron të shohësh e jo ajo që duhet të shohësh. Në video shihem duke e qortuar fëmijën, jo duke ushtruar dhunë në të. Ka dallim esencial. Dënoj fuqishëm dhunën por në raste të caktuara kur një fëmijë nuk bindet në asnjë mënyrë, është e natyrshme që brenda normave ta qortosh në pak sekonda e ti falësh dashuri gjithë ditën. Kjo është puna jonë. Në video dëgjohet zëri im duke i thënë fëmijës “Të kam thënë disa herë mos i shtyj fëmijët”, ka thënë Musa.

Reagimi i plotë:

Të nderuara Nana,

Si nanë dhe gjyshe, si person që me dekada kam ushtruar punën e mamisë në vende të ndryshme të botës, shpreh keqardhjen time më të thellë për shqetësimet që keni marrë nga një video që është publikuar ditën e djeshme, ku protagoniste jam unë. Ka sigurisht nga ata që sikurse unë, janë tronditur se deri ku mund të shkoj gjykimi i masës, paragjykimi i joprofesionistëve, njerëzve jokompetent për të vlerësuar e analizuar se çka është mirë e çka është keq, njerëzve që siç e kanë bërë zakon në plot raste të tjera, të “masakrojnë” publikisht pa të drejtë dhe të nëpërkëmbin lehtësisht dinjitetin dhe djersën e viteve të tëra përkushtim.

Dashuria me të cilën e kam ushqyer profesionin në gjithë këto vitë, ka bërë që të jem e respektuar dhe e vlerësuar në punën që bëj dhe kjo do ishte e pamundur të arrihej sikur Razije Musa të mos tregohej profesioniste, të mos dhuronte dashuri për fëmijët e të mos këshillonte si duhej nanat. Kësaj mund t’i dilej në krye një herë, dy herë, një muaj apo një vit, por me sinqeritet dhe ndershmëri në punë ishte e mundur të arrihej me dekada.

Si Razije Musa, si nanë dhe gjyshe nuk kam ushtruar asnjëherë dhunë ndaj asnjërit prej nipave e mbesave të mia, si mami nuk kam ushtruar dhunë asnjëherë ndaj asnjë fëmije të asnjë prindi, as jashtë Kosovës dhe as brenda saj. Jam absolutisht, në mënyrë të prerë dhe të pakompromis kundër dhunës. Jam pro disiplinimit të fëmijëve.

Nuk mund të diskreditosh lehtësisht një profesioniste vetëm pse ajo që sheh në pak sekonda është ajo që dëshiron të shohësh e jo ajo që duhet të shohësh. Në video shihem duke e qortuar fëmijën, jo duke ushtruar dhunë në të. Ka dallim esencial. Dënoj fuqishëm dhunën por në raste të caktuara kur një fëmijë nuk bindet në asnjë mënyrë, është e natyrshme që brenda normave ta qortosh në pak sekonda e ti falësh dashuri gjithë ditën. Kjo është puna jonë. Në video dëgjohet zëri im duke i thënë fëmijës “Të kam thënë disa herë mos i shtyj fëmijët”.

Nëse dikush më gjen një prind që për hir të disiplinës e idesë që të rrisë fëmijë me kulturë e edukatë, nuk e ka qortuar së paku njëherë fëmijën e tij/saj, atëherë do pranoja që paskam gabu rëndë. Apo kur prindi qorton qenka edukim e kur edukatorja qorton qenka dhunë?!

Pastaj me pak mend në kokë, ata që u vërsulën me kritika e ofendime, si nuk e menduan aspak që nuk do ja lejoja asnjëherë vetës të bëja diçka të pabëshme me vetëdije të plotë derisa kopshti mbulon gjithë hapsirën me kamera. Në anën tjetër, nuk janë kamerat ato që më ndalojnë të bëj atë që nuk ka hije ta bëj, por është karakteri im dhe mënyra se si jam rritur, trajtuar në familje, edukuar dhe formuar si profesioniste.

Me vullnet të plotë vihem në dispozicion të secilit organ që konsideron që duhet të bashkëpunoj, në mënyrë që fjalën e fundit ta thonë profesionistët dhe të vërtetohet ajo që unë besoj, se punën e bëj me ndershmëri dhe përulje, në shërbim të nanave dhe fëmijëve. Vihem në dispozicion sepse kjo do bënte që emri im nga e gjithë kjo “gjueti shtrigash” të dilte sërish i pastër si loti.

Për disa portale, s’kam shumë për të thënë sepse i kuptoj edhe ku vinë në përfundimet “…sjellja jo profesionale e mamisë…” sepse këtë e bëjnë për disa klikime më shumë dhe për këto klikime i japin të drejtë vetës të të quajnë jo profesionale sikur ata të jenë autoriteti që e përcakton apo e vendos në peshore edhe këtë gjë.

Për fund të këtij reagimi dua t’ju falenderoj për kohën, me besimin që sadopak të kem kontribuar që të heq një barrë të rëndë që më është ngarkuar pa të drejtë dhe të sqaroj rolin dhe detyrat që ka një edukatore apo mami në edukimin e brezave. Me përkrahjen tuaj do bëjmë më të mirën për fëmijët ashtu sikurse nuk duhet të dyshoni asnjëherë që Cambridge Kids bën punë të jashtëzakonshme dhe këtë do e dëshmoj në vazhdimësi.

Kërkojmë mirëkuptimin tuaj që të ecim përpara duke luftuar çdo dukuri te keqe, duke mos i mbyllur sytë por duke qenë të aftë të ndajmë përgjegjësinë individuale të secilit që shkel normat nga ajo kolektive apo institucionale, sepse institucioni qëndron më fuqishëm sesa një individ që nga papërgjegjshmëria mund të lë shije të keqe por kurrsesi ta rrënoj komplet mundin e një stafi të tërë të një institucioni që qëndron i përkushtuar për të dhënë më të mirën.

Me shumë dashuri, më shumë se çdoherë tjetër,

Razije Musa