Matoshi: Politika flet për arrestim të qytetarëve?
Publicisti Halil Matoshi i ka reaguar asamblistit të Vetëvendosjes, Arbër Vokrri, i cili në emisionin Frontal në T7 ka thënë se do të arrestohen ministrat serbë nëse e ofendojnë historinë dhe identitetin e Kosovës
Matoshi ka shkruar se eksponentët e VV’së në fushata elektorale kanë deklaruar se do t’i çojnë në burg kundërshtarët politik, duke thënë se ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ia pati përmendur burgun ish-kryeministrit Haradinaj.
“Më parë eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje nëpër fushata elektorale deklaronin se do t’i çojnë në burg kundërshtarët politik, madje ministrja aktuale e drejtësisë ia pati përmend burgun edhe ish-Kryeministrit Ramush Haradinaj për çka pati një përplasje me Melihate Tërmkollin”, ka thënë Matoshi.
Ai e ka komentuar deklaratën e Vokrrit i cili tha se nëse zyrtarët serbë përsëritin deklarata të cilat cënojnë identitetin dhe historinë e Kosovës, do të arrestohen.
“Këto ditë, Asamblisti i LVV-së, në komunën e Prishtinës, Arbër Vokrri në emisionin Frontal të T7, ka thënë se nëse ministrat e Listës Serbe ofendojnë qytetarët e Kosovës do të arrestohen. A ka të drejtë pushteti politik (eksponentët e tij) në demokraci ku pushtetet janë të ndara, të paragjykojë dhe propagandojë arrestime të qytetarëve të Kosovës, qofshin ata edhe të komunitetit serb, për motive politike?”, ka thënë Matoshi.
“Na nuk mundemi me toleru ofendime as te identitetit as të historisë e sidomos prej Listës Serbe. Nëse përsërisin deklarata të ngjashme do të arrestohen, edhe këta ministrat aktual ne nuk do t’i tolerojmë.”, kishte thënë Vokrri