GLPS-ja kërkon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga qeveria “Kurti”

GLPS-ja kërkon rritjen e transparencës dhe llogaridhënies nga qeveria “Kurti”

Aktuale February 12, 2020 - 11:24

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka shpalosur vlerësimet dhe propozimet mbi temën: “10 masat më urgjente të Qeverisë Kurti”. Sipas kësaj organizate ndër çështje të me të cilat pritet të ballafaqohet kjo qeveri janë të rëndësisë së lartë si në rrafshin ndërkombëtar, e deri tek ristrukturimi i përbërjes dhe organizimit të qeverisë, reformës së administratës publike, reformës në drejtësi dhe reformës në agjendën evropiane, raporton “Zëri.info”.

E nevojshme për qeverinë “Kurti” është parë edhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies. Sipas GPLS-së, qeverisja e re duhet të respektojë parimet e Qeverisë së Hapur.

“Institucionet vazhdimisht janë kritikuar me të drejtë nga shoqëria civile për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies publike. Prandaj, Qeveri Kurti, si përgjigje ndaj këtyre kritikave duhet të instalojë, zbatojë dhe respektojë përgjatë gjithë mandatit parimet themelore të doktrinës së Qeverisë së Hapur. Parimet e kësaj doktrine janë transparenca, integriteti, llogaridhënia dhe pjesëmarrja gjithëpërfshirëse”, thuhet tutje në pikat e parashtruara nga GLPS-ja.

Reforma e administratës publike vazhdon të cilësohet si një nga prioritet përcaktuese të Kosovës, nga ndërkombëtarët, sipas GLPS-së, gjatë qeverisjes së re me Kurtin duhet të bëhen me hapa konkret.

“Qeverisa Kurti duhet të ndërmarrë katër hapa konkret. Hapi i parë, të fillojë racionalizimin e agjencive të pavarura brenda tre muajve të parë të mandatit. Hapi i dytë, të rishikojë sistemin e pagave të shërbyesëve civil, sistem ky i cili duhet të jetë në linjë me parimin “paga e njejtë për punën e njejtë”. Duke qenë se mbetet i paqartë se cili do të jetë aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese mbi (jo) kushtetueshmërinë e Ligjit për Paga në Sektorin Publik, Qeveria duhet të jetë e gatshme që të bëjë të gjitha ndryshimet në kuadër të ligjit në fjalë. Ndryshime këto në përputhje me parimin e lartpërmendur dhe me qëndrueshmërinë buxhetore të Kosovës. Hapi i tretë, të rishikojë dhe vlerësojë integritetin profesional të shërbyeseve civil të nivelit menaxherial në të gjitha institucioneve përkatëse. Hapi i katërt, të procedohet për miratim projektligji për Qeveri”, është potencuar tutje nga GLPS-ja. /ZERI