GLPS-ja publikon “10 masat urgjente të Qeverisë Kurti”

GLPS-ja publikon “10 masat urgjente të Qeverisë Kurti”

Aktuale February 12, 2020 - 11:15
Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), ka shpalosur sot 10 masat më urgjente që sipas tyre duhet t`i ndërmarrë qeveria e re në krye me Albin Kurtin

 Sipas kësaj organizate ndër çështje të me të cilat pritet të ballafaqohet kjo qeveri janë të rëndësisë së lartë si në rrafshin ndërkombëtar, e deri tek ristrukturimi i përbërjes dhe organizimit të qeverisë, reformës së administratës publike, reformës në drejtësi dhe reformës në agjendën evropiane, raporton “Zëri.info”. Një çështje e rëndësishme për GLPS-në është vazhdimi i dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, e që për këtë organizatë është e nevojshme që të krijohet grupi punues gjithëpërfshirës për këtë proces.

“Dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë të mbetet prioritet i Qeverive në vend, pavarësisht gatishmërisë apo preferencës së tyre për ta trajtuar apo jo atë si të këtillë. Në këtë drejtim, Qeveria Kurti duhet të ndërmarrë menjëherë hapat e duhur për të prodhuar pajtueshmëri të gjerë politike ndërmjet të gjitha grupeve parlamentare me qëllim të unifikimit të pozicioneve negociuese të Kosovës në raport me Serbinë. Për të bërë këtë, kjo qeveri duhet ta trajtojë nevojën për krijimin e një grupi punues gjithëpërfshirës, në të cilin ftohen të marrin pjesë aktivisht përfaqësues të lartë të të gjitha partive parlamentare. Qëllimi kryesor dhe i vetëm i tij duhet të jetë që nëpërmjet konsultimeve gjithëpërfshirëse të përcaktojë dhe përpilojë parimet dhe kufizimet e kornizës negociuese/platformës që rregullon pozicionet negociuese të Republikës së Kosovës në dialog. Në të njëjtën kohë, Qeveria Kurti menjëherë duhet të definojë kuptimin, përmasat si dhe metodat e politikave reciproke karshi shtetit serb, sidomos në rrafshin politik. Ngjashëm, duhet ta qartësojë propozimin për dialog të brendshëm me komunitetin serb në kuptim të modelit të tij, kornizës përmbajtjesore dhe afatit kohor. Qeveria Kurti duhet ta ketë parasysh që presioni për të rifilluar dialogun do të rritet ndjeshëm pas zgjedhjeve parlamentare në Serbi, në fund të muajit mars”, kanë thënë anëtarë të GPLS-së. Në anën tjetër të nevojshme janë parë edhe ndërmarrja e masave për rimëkëmbjen e Kosovës në rrafshin ndërkombëtarë si dhe në diplomaci, raporton tutje “Zëri.info”.

“Duke marrë shkas performancën e dobët të diplomacisë kosovare dhe dëmet e mëdha që ajo i ka shkaktuar pozitës ndërkombëtare të Kosovës, Qeveria Kurti duhet menjëherë të ndërmarrë masat e nevojshme që i shërbejnë rimëkëmbjen së Kosovës në këtë rrafsh. Ajo duhet menjëherë të rivendosë dhe forcojë bashkëpunimin diplomatik me partnerë strategjikë, të shqyrtojë forma të bashkëpunimit me vendet të cilat e kanë njohur Kosovën por me të cilat Kosova nuk ka vendosur marrëdhënie të plota diplomatike, dhe urgjentisht të përpilojë një strategji kombëtare e cila i kundërpërgjigjet agresionit diplomatik serb, të manifestuar me çnjohje. Si rezultat, Kosova duhet të ripërtërijë interesimin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, prej të cilave si qëllim fillestar duhet të jenë INTERPOL-i, UNESCO, Këshilli i Evropës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh)”, thuhet tutje nga GLPS-ja.

E nevojshme është parë edhe rritja e transparencës dhe llogaridhënies. Sipas GPLS-së, Qeveria “Kurti”, duhet të respektojë parimet e Qeverisë së Hapur. “Institucionet vazhdimisht janë kritikuar me të drejtë nga shoqëria civile për mungesë të transparencës dhe llogaridhënies publike. Prandaj, Qeveri Kurti, si përgjigje ndaj këtyre kritikave duhet të instalojë, zbatojë dhe respektojë përgjatë gjithë mandatit parimet themelore të doktrinës së Qeverisë së Hapur. Parimet e kësaj doktrine janë transparenca, integriteti, llogaridhënia dhe pjesëmarrja gjithëpërfshirëse. Në praktikë kjo do të thotë që çdo vendim, masë, diskutim, ose qëndrim zyrtar duhet të jetë i qasshëm pa vonesë për publikun, në format të përshtatshëm për të, sidomos për mediat dhe shoqërinë civile si dy forcat kryesore përfaqësuese të opozitës civile. Këto parime duhet të respektohen duke filluar nga publikimi i planit dhe planprogramit të Qeverisë, sikurse është premtuar në ditën e votimit të saj”, thuhet tutje në pikat e parashtruara nga GLPS-ja. /ZËRI