Maliqi: Dialogu Kosovë – Serbi në kolaps, nevojitet riformatizim

Maliqi: Dialogu Kosovë – Serbi në kolaps, nevojitet riformatizim

Aktuale February 12, 2020 - 09:42
Shkëlzen Maliqi në një deklaratë për “Zërin” është shprehur i bindur se rivaliteti mes presidentit Thaçit dhe kryeministrit Kurtit mund ta dëmtojë Kosovën në dialog

I dërguari i posaçëm i SHBA-së në Kosovë Richard Grenell, presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe shefi i Qeverisë Albin Kurti nuk gjenden në një vijë sa i përket pozicionit të Kosovës karshi Serbisë. Derisa Grenelli kërkon heqjen e taksës pa reciprocitet, Kurti në anën tjetër ka paralajmëruar zëvendësimin e taksës me reciprocitet të plotë ndaj Serbisë. Kurse presidenti Thaçi mbetet i bindur se ai do të vazhdojë t’i udhëheqë negociatat me Serbinë e jo Kurti, siç parashihet me Kushtetutën e vendit, shkruan sot Zëri

Njohësi i çështjeve politike dhe publicisti Shkëlzen Maliqi në një deklaratë për “Zërin” është shprehur i bindur se rivaliteti mes presidentit Thaçit dhe kryeministrit Kurtit mund ta dëmtojë Kosovën në dialog. Prandaj, sipas tij, duhet të ndiqen ligjet e përcaktuara me Kushtetutë, ku kërkohet unifikim mes këtyre dy figurave për zhvillimin e politikave të jashtme. “Mendoj se nuk duhet të ketë rivalitet mes kryeministrit dhe presidentit, por bashkëpunim dhe koordinim, sepse sipas Kushtetutës që të dytë i kanë detyrat dhe kompetencat e përfaqësimit të vendit në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe në negociata. Kur i referoheni të kaluarës së dialogut, është e vërtetë se presidenti Thaçi e ka udhëhequr shumicën e kohës dialogun me Serbinë, por efektivisht këtë e ka bërë në cilësinë e kryeministrit në fazat e hershme të dialogut, kur është arritur Marrëveshja e Brukselit dhe më vonë edhe disa marrëveshja tjera më specifike”.


Kësisoj Maliqi vlerëson se aktualisht dialogu Kosovë – Serbi është i vdekur dhe ka nevojë për riformatizim të skajshëm. “Kjo situatë është edhe sot nëse duam reciprocitet në përfaqësim politik. Mirëpo në ndërkohë ka ndodhur një ndryshim esencial. Dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja prej kohësh ka përjetuar kolaps, mbase edhe është i vdekur në atë format që e ka pasur. Ne duhet të mendojmë se të gjitha ato debate të brendshme që i kemi pasur më herët, se kush do t’i udhëheqë bisedat, formimet e ekipit të Kuvendit për dialog, përcaktimi i vijave të kuqe etj., sot duken si ndërmarrje të kota. Duhet të vetëdijesohemi se dialogu ka përjetuar vdekje klinike dhe se nuk mund të ringjallet në atë format të mëparshëm”, është shprehur Maliqi.


Ndërhyrja e SHBA-së në dialog dhe nevoja për konsensus

Publicisti Shkëlzen Maliqi më tutje vlerëson se me përfshirjen direkte të SHBA-së dhe të presidentit Donald Trump në dialogun Kosovë – Serbinë ky proces po merr një kahje të re. “Pas ndërhyrjes së SHBA-së me dy ndërmjetësues, mendoj se negociatat me Serbinë do të marrin një kahje dhe një format tjetër, për çka po punohet dhe po kërkohet edhe dakordimi i BE-së dhe nëse nuk arrijnë konsensus, atëherë partnere e SHBA-së mund të jetë Gjermania, ndoshta edhe Franca”.


Ky ndryshim i formatit, sipas Maliqit, është i qartë edhe për presidentin Thaçin dhe për kryeministrin Kurtin, pasi që dy liderët së fundmi janë deklaruar në favor të koordinimit dhe të bashkëpunimit. Kësisoj, sipas tij, një bashkëpunim mes spektrit politik kosovar, duke përshirë kryeministrin dhe presidentin e vendit, do të krijonte formulën e duhur për arritjen e një marrëveshjeje historike mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga bashkësia ndërkombëtare. “Nëse kryeministri Kurti me presidentin Thaçi arrijnë një koordinim të kënaqshëm, nuk ka nevojë të duhen, por le të komunikojnë dhe të pajtohen për parimet dhe ku eventualisht Kosova mund të jetë fleksibile, kjo do të ishte një gjë me rëndësi të madhe. Në njëfarë dore kjo formulë e bashkëpunimit të tyre e krijon atë konstelacion të forcave që kërkohet nga momenti historik, sepse thuhet se ka gjasa për arritjen e marrëveshjes historike me Serbinë”, ka përfunduar Maliqi./Zëri