75 vjet nga “Rilindja”
Numri i parë i gazetës u shtyp më 12 shkurt 1945 në Prizren dhe pas numrit të 60-të, gazeta fillon të shtypet në Prishtinë, njofton Klan Kosova.
Gazeta fillimisht botohej një herë në javë dhe më pas nga qershori i vitit 1948 filloi të shtypet dy herë në javë, kurse nga nëntori i vitit 1958 filloi të dalë si e përditshme.
“Rilindja” u mbyll nga administrata serbe më 5 shtator 1990. Një pjesë e stafit të kësaj gazete e vazhdoi punën me shtypjen e gazetës së përditshme me “Bujku”.
“Bujku” ishte revistë e profilizuar në bujqësi pasi nuk mund të dilte ndryshe për shkak të politikës.
Gazeta rifilloi të botohet pas çlirimit të Kosovës në vitin 1999, por pas një kohe u mbyll sërish.
Redaktori i “Rilindja”, Behlul Jashari, tha që kjo gazetë ishte simbol i rezistencës, pavarësisht vështirësive të mbijetesës.
“Shkronja për Rilindjen dërgoi Tirana pasi në Shtypshkronjën e Rilindjes në Prizren nuk kishte shkronja të mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe”, kishte shkruar ai në një shtojcë speciale.