Mbi 1000 të vdekur nga koronavirusi, Kosova rrit kapacitetet e gatishmërisë
Mbi 1 mijë persona kanë vdekur nga koronavirusi deri më tani, ndërsa rreth 7 mijë e 300 të tjerë vlerësohet të jenë në gjendje të rëndë. Po ashtu raportohet se rreth 43 mijë persona janë të infektuar me këtë virus, derisa 187 mijë e 728 persona ndodhen në kujdesin mjekësor. Shumica e rasteve të prekura me koronavirus raportohet të jenë në Kinë, por as shtetet tjera nuk kanë qenë imune ndaj tij, kështu që edhe Kosova rrezikohet nga përhapja e tij, shkruan gazeta Zëri.
Mikrobiologu në Kosovë Lul Raka ka thënë për “Zërin” se Kosova ka rritur kapacitetet e gatishmërisë ndaj koronavirusit. Ai ka thënë se punëtorët shëndetësorë duhen t’i zbatojnë masat standarde mbrojtëse për të gjithë pacientët e dyshimtë. “Kosova qysh në javën e parë të vitit të ri ka rritur kapacitetet e gatishmërisë për përgjigje ndaj ‘nCoV-2019’ dhe brenda 10 ditësh ka përgatitur planin e gatishmërisë me përfshirjen e të gjitha institucioneve relevante”, ka potencuar Raka.
Nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është thënë për gazetën se nuk kanë asnjë rast të dyshimtë me koronavirus dhe se kanë marrë masat e nevojshme në rast se paraqiten raste të prekura me të.
Koronavirusi është përhapur në më shumë se 24 shtete të botës, duke përfshirë Gjermaninë, Suedinë, Francën e Italinë.
Komisioni Kombëtar i Shëndetit (NHC) ka njoftuar se në 24 orët e fundit për shkak të epidemisë kanë humbur jetën 108 persona dhe janë përcaktuar 2.478 raste të reja. Në rajonin Hubei, i cili është epiqendra e koronavirusit, janë shënuar 974 raste të vdekjeve. Në mesin e personave të prekur me koronavirus thuhet se janë edhe qindra mjekë e infermierë në qytetin Vuhan.
3 mijë e 283 persona deri më tani janë shëruar nga virusi. Lloji i koronavirusit të ri për herë të parë është shfaqur në qytetin kinez Vuhan më 12 dhjetor të vitit 2019, nga ku më pastaj është përhapur në shumë shtete të tjera. Pas përhapjes së tij Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli situatën emergjente./Zëri