Zëdhënësi i Grenellit: Ambasadori ka qenë i qartë, tarifa e dëmton ekonominë

Zëdhënësi i Grenellit: Ambasadori ka qenë i qartë, tarifa e dëmton ekonominë

Aktuale February 11, 2020 - 18:47

Shtetet e Bashkuara nuk e kanë sqaruar nëse i kanë anuluar investimet në Kosovë, për shkak të tarifës ndaj mallrave serbe, siç kanë raportuar mediat lokale.

Në pyetjen e Radios Evropa e Lirë, lidhur me këtë çështje, Dick Custin, zëdhënës i ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell, ka thënë se “ambasadori Grenell u ka bërë të qartë liderëve politikë në Kosovë dhe Serbi se investimet amerikane në Kosovë nuk do të kenë përfitimet e dëshiruara nga ndihma në ekonomi, nëse tarifat janë në fuqi”.

“Ambasadori Grenell gjithmonë e ka bërë të qartë se tarifat e dëmtojnë ekonominë e Kosovës dhe i dërgojnë komunitetit të sektorit privat një mesazh të keq, se Kosova nuk është një vend në të cilën mund të zhvillohet një biznes”, ka thënë Custin.

Sipas tij, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Grenell, ka dëgjuar nga shumë pronarë biznesesh brenda Kosovës, përfshirë edhe disa kompani amerikane, të kenë thënë se tarifat po i dëmtojnë ato.

Shqetësimet për një tërheqje të investimeve të SHBA-së në Kosovë janë ngritur pas një postimi të ambasadorit Grenell në Twitter më 11 shkurt, në të cilin kërkon heqjen e tarifës ndaj mallrave serbe në mënyrë, që siç thotë “të ketë investime”.

Qeveria e re e Kosovës, ka paralajmëruar zëvendësimin e tarifës me masën e reciprocitetit kundër Serbisë, por ende nuk është sqaruar si do të zbatohet ky vendim.

Megjithatë zëdhënësi i Grenellit ka përsëritur se “zëvendësimi i tarifave me më shumë barriera duke i quajtur ‘reciprocitet’ gjithashtu do të jetë kundërproduktive për krijimin e vendeve të punës për të rinjtë”.

Tarifa ndaj mallrave serbe është vendosur në fund të vitit 2018, nga qeveria që në atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj.

Ky vendim, ishte parë më pas si pengesë për vazhdimin e dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit, pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte tërhequr nga tavolina e bisedimeve, duke e kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës.