Reagon Pacolli: MPJ asnjëherë s’ka lëshuar leje për shitjen e gazit lotsjellës në Shqipëri
Ish-ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli ka deklaruar se ministria që ai ka udhëhequr nuk ka lëshuar asnjëherë leje për transferimin apo shitjen e gazit lotësjellës në Shqipëri.
Pacolli ka shkruar në Facebook se dikush është duke e dezinformuar publikun.
“Çdo përpjekje e kujtdo që të përfshijë Ministrinë e Punëve të Jashtme në dërgimin e gazit lotësjellës në Shqipëri ndërsa isha ministër është një shpifje primitive, çnjerëzore dhe gënjeshtër e njerëzve të këqij dhe të irrituar primitiv. Është e qartë se një keqinformim i tillë motivohet nga dikush që dëshiron të çoroditet politikisht dhe synon vetëm ta dëmtojë emrin tim”, thotë ai.
Pacolli shton se do të kërkojë marrjen e masave ligjore kundër atyre që sipas tij po gënjejnë.
“Të gjithë ata që kanë diçka të ndajnë provat ose të mos shpifin. Unë do të kërkoj marrjën e masave ligjore kundër të gjithë atyre që gënjejnë, sepse ata duhet të mbahen përgjegjës për fjalët e tyre publike”, ka shkruar ai.