Dumoshi mbështet fuqizimin e rinisë
Vlora Dumoshi, Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), priti sot në një takim përfaqësuesit e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) të kryesuar nga zëvendës-sekretari Fatos Mustafa.
Sipas njoftimit të MKRS-së, temë diskutimi e takimit ishte fusha e rinisë, ku konkretisht u diskutua për politikat, programin dhe prioritetet që do t’i ketë MKRS-ja, për një sektor kaq të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, si dhe bashkëpunimin rajonal të rinjve.
Dumoshi i njoftoi përfaqësuesit e RYCO-s se rinia do të jetë ndër prioritetet e saj gjatë mandatit sa do të udhëheq MKRS-në. Ministrja e konfirmoi mbështetjen e plotë dhe përkushtimin e saj ndaj sektorit të rinisë dhe u shpreh se do të bashkëpunojë me organizatat që merren me çështjet e rinisë, duke përfshirë edhe RYCO-n, shkruan lajmi.net.
Ajo e falënderoi përfaqësuesit e RYCO-s për punën e deritashme dhe kërkoi angazhim edhe më të madh për shtrirje dhe aktivitete më të shumta të rinisë. Ministrja gjithashtu kërkoi që të rinjtë e Kosovës si dhe Kosova si shtet të përfaqësohen në mënyrë sa më dinjitoze në të gjitha nismat rajonale.
Ndërsa, përfaqësuesit e RYCO-s, i uruan marrjen e detyrës ministres Dumoshi dhe e njoftuan për aktivitetet e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor (RYCO) dhe për projektet që RYCO ku ka mbështetur organizatat rinore dhe shkollat e mesme në Kosovë dhe në rajon.