Kurti përfundon takimet në vizitën e parë zyrtare në Shqipëri
Me të arritur në kryeqytetin shqiptar, Kurti është pritur me ceremoni shtetërore nga homologu i tij, Edi Rama.
Kryeministri shqiptar tha pas takimit se ka qenë kënaqësi ta mirëpresë në Tiranë kryeministrin e ri të Kosovës bashkë me delegacionin e tij.
Rama në konferencën e përbashkët për media bëri të ditur se me Kurtin janë dakorduar që menjëherë të nisin përgatitjet për mbledhjen e dy qeverive – Kosovë dhe Shqipëri – që do të mbahet në Shkodër.
Nga ana e tij, shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, në vizitën e parë të tij jashtë shtetit në Tiranë tha se ndjehet i gëzuar dhe falënderues nga mikpritja e shtetit amë.
“Edhe një orë bëhet një javë që jam në postin e kryeministrit. Vendi i parë që vizitova ishte Prekazi i kryekomandantit Adem Jashari. Qyteti i parë ishte Mitrovica dhe natyrisht shteti i parë patjetër duhej të ishte Shqipëria. Ju falënderoj edhe për mikpritjen e përzemërt dhe bisedën shumë konstruktive”.
Shefi i qeverisë kosovare gjithashtu theksoi se gjatë takimit me Ramën folën më shumë për Makro-Shengenin Shqiptar se Mini-Shengenin Ballkanik Ndërsa, homologu i tij shqiptar i tha se mes tjerash se nuk mund të ketë Makro-Shengen Shqiptar pa Mini-Shengen Ballkanik.
Pas konferencës së përbashkët për shtyp të të dy kryeministrave, Kurti vazhdoi takimet në Shqipëri me Presidentin, Ilir Meta. Pas Metës, ai u prit nga kryeparlamentari shqiptar, Gramoz Ruçi.
Në fund, shefi i ekzekutivit kosovar u takua me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, takim në të cilin u potencua se do të bashkëpunohet për të mirën e qytetarëve.
Ishte paraparë që Kurti atje të takohej edhe me kryebashkiakun, Erion Veliaj, por ky takim është shtyrë për një herë tjetër shkaku i vonesave në protokoll.