Deklarohet i pafajshëm i akuzuari për prerjen e 26 pishave në Viti
Pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Huma Jetishi, i akuzuari Zejnullahu nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale që i vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I akuzuari Zejnullahu, deklaroi se nuk i ka prerë pishat, ashtu siç thuhet në aktin akuzues, duke shtuar se vetëm i ka marrë disa dru të thata, të cilat sipas tij, i ka gjetur në mal.
Pasi që i akuzuari nuk e ka pranuar fajësinë, gjykatësi i çështjes, Nexhat Aliu, e ka njoftuar atë se në afat prej 15 ditësh ka të drejtë të bëjë kundërshtimin e provave dhe kërkesën për hudhjen e aktakuzës.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 prill 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Mentor Zejnullahut, të cilin e akuzon se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Vjedhje pylli”, nga neni 358, paragrafi 1, të KPRK-së, lidhur me nenin 81, të KPRK-së.
Sipas aktakuzës, nga 7 mars 2019, e deri më 26 mars 2019, në kohë të papërcaktuar, në territorin e fshatit Tërpezë të Vitisë, në pyllin e pronës shtetërore, ku përgjegjësi i APK-së, ka dal në terren dhe ka konstatuar se i pandehuri, në vazhdimësi me qëllim vjedhje ka prerë dru edhe atë në vendin e quajtur “Selishte”, ka prerë 14 copë, pisha, të freskëta, ku 11 copë, i ka marrë, ndërsa 3 copë kanë mbetur në vendin e ngjarjes.
Në aktakuzë thuhet se ato kanë qenë me diametër 22/25, me vëllim të përgjithshëm prej 2.49 m3, duke i shkaktuar të dëmtuarës Agjencisë Pyjore të Kosovës-Dega në Viti, dëm në shumë prej 336,15 euro.
Tutje, në aktakuzë thuhet se në vendin e quajtur “Seklivac”, i pandehuri ka prerë 12 copë pisha, të freskëta, me diametër 20/22, me vëllim të përgjithshëm prej 2.04 m3, duke i shkaktuar Agjencisë Pyjore të Kosovës, dega në Viti, dëm në shumën prej 275,40 euro.