Stafi civil në panik nga zvogëlimi i numrit të ministrive

Stafi civil në panik nga zvogëlimi i numrit të ministrive

Aktuale February 11, 2020 - 12:12

Zvogëlimi i numrit të ministrive, nga 21 sa kishte qeveria e kaluar në 15 ministri sa ka qeveria e re e drejtuar nga Albin Kurti, ka rritur shqetësimet e shërbyesve civilë dhe sindikatës që përfaqëson ata.

Ana pozitive e shkurtimeve të numrit të ministrive, sipas qeverisë është kursimi i buxhetit, por ana negative e këtyre shkurtimeve, sipas punonjësve në administratën publike mund të jetë humbja e vendeve të punës për shumë të punësuar.

Më të shqetësuarit për këtë vendim të qeverisë, ndjehen punëtorët e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, që llogariten të jenë mbi 800.

Radio Evropa e Lirë ka vizituar disa nga zyrat e kësaj ministrie. Por, punëtorët kanë hezituar të prononcohen për këtë çështje, pa i fshehur shqetësimet për pozitata e tyre të punës gjatë procesit të bashkimit apo shkrirjes së ministrive.

Në emër të punonjësve ka folur zyrtari për informim në këtë ministri, Ismail Gashi. Ai tha se situata është e paqartë pasi deri më tani, askush nuk ka sqaruar mënyrën e shpërndarjes së punëtorëve dhe për këtë arsye, shtoi ai, ata ndjehen të pasigurtë.

“Është situatë e paqartë, konfuze për këtë punëtorët janë të pasigurt.Të rrezikuara janë shërbimet e përbashkëta, joprofesionale, sepse ato vazhdojnë punë siç kanë vazhduar deri më sot. Ndërsa shërbimet e përbashkëta, siç janë zyrat ligjore, zyrat e informimit, burimet njerëzore, personeli, këto katërfishohen në këtë ‘megaministrinë’ me organizimin e ri, dhe kjo është shumë problem“, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.

Si rezultat i reduktimit të numrit të ministrive, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ajo Ndërmarrësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe Ministria e Zhvillimit Ekonomik, janë bashkuar në një ministri, e cila do të udhëhiqet nga ministrja, Rozeta Hajdari.

Ministria e Diasporës ka hyrë në kuadër të Ministrisë se Punëve të Jashtme dhe Diasporë, kurse Ministria e Administratës Publike është bërë bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Përfaqësuesit e sektorit civil, thonë se punonjësit janë të shqetësuar me vendimin e koalicionit qeverisës, për zvogëlimin e numrit të ministrive, por më të prekurit, sipas tyre, janë punpnjësit e Ministrisë se Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës, Mursel Zymberi, tha për Radion Evropa e Lirë, se punëtorët në ministritë përkatëse janë të shqetësuar lidhur me pozitat apo transferimin e punëtorëve nga një ministri në tjetrën. Sipas tij, qeveria nuk mundet që në këtë formë të shkel të drejtat e punëtorëve.

“Ka panik jashtëzakonisht të madhe, sidomos në sektorët të cilët parashihen të shkrihen apo të barten nëpër ministri tjera. Sepse ndryshon ambienti, vendi, udhëheqësit dhe forma se si do të menaxhohen sektorët apo kush do të caktohet udhëheqës. Të marr shembull, një zyrtarë i prokurimit, bartet nga një ministri në ministrinë tjetër, ta zëmë zyrtari ligjor, por atje ekzistojnë zyrtarët ligjor, andaj cili do të jetë pozicioni i zyrtarit të bartur. Këto janë shqetësime të mëdha se çka do të ndodh më kontratat, vendet e tyre të punës dhe pozicionet e tyre”, shprehet Murseli.

Visar Rushtiti nga organizata “Demokraci Plus”, thotë për Radion Evropa e Lirë se funksionimi i ministrive në këtë gjendje është i mundshëm, por që nevojitet kohë, riorganizim dhe integrim.

Rushiti thotë se vendet e punës nuk duhet të rrezikohen, por mundësitë ekzistojnë që të ketë ulje të pozitës së disa të punësuarve.

“Realisht vendet e punës nuk do të duhej të rrezikoheshin. Ajo që mund të ndodh eventualisht është që dikujt do t’i duhet t’i ulet pozita në punë. Në rast se një zyrtar ekziston në të dy ministritë me përshkrim të njëjtë të detyrave dhe tituj të njëjtë të vendeve të punës, zyrtari i dytë mund të ulet në pozitë. Është e pamundur që të kemi dy pozita të njëjta në një ministri të caktuara, mirëpo kjo aspak nuk ka të bëj më humbjen e vendit të punës”, tha Rushiti.

Ndërkohë që shqetësimet e stafit civil mbesin, në një studim të bërë nga Instituti për Hulumtime të Avancuara-GAP, është thënë se me zvogëlimin e qeverisë sipas kalkulimeve, buxheti i Kosovës do të kursejë rreth 13 milionë euro për një mandat qeverisës.

Numri i të punësuarve në sektorin publik është rreth 82 mijë persona. Paga mesatare në këtë sektor, sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2018, ishte 573 euro.