Rama, Kurtit: S’mund të ketë Makro-Shengen Shqiptar pa Mini-Shengen Ballkanik
Kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka dhënë përgjigje nëse nën drejtimin e tij Kosova do të bëhet pjesë e iniciativës rajonale të Mini-Shengenit Ballkanik duke thënë se takimi i sotëm ishte më shumë për Makro-Shengenin Shqiptar.
“Meqenëse takimi ynë sot ishte më parë për Makro-Shengen Shqiptar, sesa për Mini-Shengenin Ballkanik”.
Por, homologu i tij shqiptar Edi Rama mendon ndryshe nga ai – që Makro-Shengeni Shqiptar s’mund të ekzistojë pa Mini-Shengeni Ballkanik.
“Është e vërtetë që në këtë pikë ne kemi një diskutim për të çuar përpara. Besoj që s’ka Makro-Shengen Shqiptar pa Mini-Shengen Ballkanik”.
“Edhe pse kjo fjala ‘mini’ nuk e di kush ia vuri, por unë edhe për shkak të gjatësisë nuk jam i prirur të bëj gjëra mini. Besoj që Makro-Shengeni Shqiptar është i lidhur ngushtësisht me Shengenin Rajonal”.
“Nëse ne jemi konsisent në vazhdën e Procesit të Berlinit dhe nëse ne jemi të harmonizuar në ndërveprimin tonë, çka e kemi diskutuar dhe do të bëjmë çmos të jemi, atëherë na hapet rruga që është e mbyllur prej të gjitha viteve për të pasur një hapësirë të përbashkët mes të dyja shteteve – për të pasë lëvizje të lirë mes nesh, jo vetëm mallrave dhe kapitaleve, por edhe të njerëzve çka deri dje ishte e paimagjinueshme”.