Kuvendi, me 14 komisione parlamentare
Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka caktuar seancë plenare këtë të enjte për formimin e komisioneve parlamentare. Ashtu si herën e kaluar edhe këtë mbledhje të Kryesisë e ka bojkotuar Partia Demokratike e Kosovës, madje kthimin e tyre në Kryesi PDK-ja e ka kushtëzuar me kthimin e fotografisë së presidentit Thaçi në vendin ku ka qenë. Sipas analistëve, PDK-ja po fshihet pas fotografisë së Thaçit, por bojkoti i tyre po bëhet për arsye të tjera, shkruan sot gazeta Zëri.
Të enjten Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare për formimin e komisioneve parlamentare. Siç ka njoftuar kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, deputetët fillimisht duhet të votojnë me dy të tretat e votave për zvogëlimin e numrit të komisioneve parlamentare në 14, dy më pak sesa kanë qenë në legjislaturën e kaluar.
Legjislatura e shtatë e Kuvendit do t’i ketë këto komisione:
Komisioni për Punë të Jashtme dhe për Diasporë do të udhëhiqet nga AAK-ja, Komisioni për Integrim Evropian nga LDK-ja, Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsion nga LDK-ja, Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport nga LDK-ja, Komisioni për Buxhet dhe Financa nga LVV-ja, Komisioni për Qeverisje Lokale, Zhvillim Rajonal dhe Medie nga PDK-ja, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike nga Nisma, Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes nga LVV-ja, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale nga AAK-ja, Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis nga LVV-ja, Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve nga Lista Serbe, Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione nga Grupi 6 Plus, Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike nga PDK-ja, Komisioni për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë nga PDK-ja. /ZERI