Shaljanët bllokojnë rrugën, nuk shfaqet Agim Bahtiri
Rreth 150 banorë të Shalës së Bajgorës kanë bllokuar përreth 40 minuta rrugën kryesore, e cila dërgon në Mitrovicë, të pakënaqur me punësimin e fundit të punëtorëve në “Trepçë”. Shaljanët i ka përkrahur kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, por qytetarët e fshatrave të Mitrovicës thonë se Bahtiri ka futur përçarje në mesin e popullatës së Shalës së Bajgorëve dhe të tjerëve. Ibrahimi: Prodhimi në “Trepçë” është rritur 20 për qind, shkruan sot gazeta Zëri.
Paralajmërimi i banorëve të Shalës së Bajgorës për protestë në shenjë pakënaqësie për punësimet e fundit në “Trepçë” është realizuar të hënën. Rreth 150 banorë të Shalës së Bajgorës kanë bllokuar përreth 40 minuta rrugën kryesore, e cila dërgon në Mitrovicë, të pakënaqur me punësimin e fundit të punëtorëve të “Trepçë”, që siç thonë shaljanët, është bërë me nepotizëm. Protestuesit kanë thënë se Shala është anashkaluar gjatë punësimit të fundit në “Trepçë”, ndonëse shumë të papunë të kësaj ane kanë aplikuar me kohë. Sipas tyre, menaxhmenti i “Trepçës” ka punësuar njerëz nga vende tjera, duke përfshirë Skenderajn dhe Vushtrrinë. Organizatori i protestës, Arsim Musa, i ka ftuar të gjithë shaljanët nëpërmes “Facebook”-ut të dalin në protestë dhe të protestojnë kundër punësimeve në “Trepçë”.
Shaljanët: “Trepça” është pasuri e Shalës, ata kanë përparësi në punësim
Gani Hajdari, një banor i Shalës, ka shkruar në “Facebook” se disa parti politike kanë harruar se “Trepça” dhe Stan Tërgu janë rajon i Shalës. “Është pasuri e Shalës edhe ata kanë përparësi në punësim, sepse përparësi kanë pasur brez pas brezi. Ata e kanë mbajtur këtë minierë e tash të mos i pranojnë në punë është mëkat i madh dhe ai komision do të ketë përgjegjësi. Të vetmin burim ne shaljanët e kemi këtë minierë, ai komision lë të zhduket me gjithë menaxhmentin, i cili deri sot nuk ka ditur ku është miniera dhe kush janë ata që punojnë aty”, ka thënë ai.
Në përkrahje të protestës ka dalë edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili ka deklaruar se mbështet fuqishëm shaljanët në kërkesat e tyre. Ai e ka vlerësuar ndërmarrjen “Trepça” për kontributin e saj në zhvillimin ekonomik të vendit, por siç ka thënë ai, “ndërhyrja e politikës ka anashkaluar minatorët që me sakrificë të lartë shpëtuan ndërmarrjen nga fundosja menjëherë pas luftës”. “Kombinati ‘Trepça’ gjithmonë ka qenë promotori kryesor i zhvillimit ekonomik të Mitrovicës, por edhe i mbarë Kosovës. ‘Trepça’ ka pasur prodhim të lartë, duke sjellë kështu profit të madh për vendin. Kjo për arsye sepse është punuar drejt, është punuar pa hile. Punëtorët janë kujdesur për minierën sikurse për shtëpinë e tyre, sepse realisht edhe ka qenë shtëpia e tyre e dytë. Fatkeqësisht, shumë shpejt pas kësaj filloi implikimi i politikës në punën e minierës dhe u harrua kontributi i minatorëve vendas dhe dalëngadalë ata u zëvendësuan me të dëgjueshmit dhe me servilët partiakë nga anembanë Kosova. Shaljanët u anashkaluan krejtësisht dhe në vend të punësimit shpërbleheshin me premtime të rrejshme. Kurrsesi nuk pajtohem me ndarje krahinore, por gjithsesi nuk mund të pajtohem as me injorim të tillë që i bëhet Shalës nga paslufta. Pajtohem dhe mbështes fuqishëm protestën me anë të së cilës shaljanët kërkojnë drejtësi dhe barazi, sepse ky duhet të jetë synimi kryesor në shoqërinë tonë”, ka shkruar vetëm një ditë para protestës kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Banorë të tjerë: Po duan të na përçajnë dhe të na ngatërrojnë mes vete
Por me Agim Bahtirin nuk janë pajtuar banorë të fshatrave të tjera të Mitrovicës, madje ata e quajnë Bahtirin si një përçarës, i cili dëshiron t’i ngatërrojë mes vete shaljanët. “Unë jam i Koshtovës dhe nuk paskam hise në ‘Trepçë’ a, as ai i Zhabarit, as ai i Vaganicës, as asnjë tjetër, veç Shala. Marre për ty o Agim Bahtiri, fëmijët e mi po u dashka me vdesë urie se s’po u bajka me hi në punë në ‘Trepçë’. Deri këtu na paska sjellë politika e jote qorre”, ka thënë një banor i Koshtovës, ndërsa Ardiana Begu u shpreh se qëllimi është të futet përçarje në mes njerëzve. “Shaljanët kundër shaljanëve, 97 veta nga 120 janë pranuar në punë të Shalës e ky Agim Bahtiri nuk paska mundur ta shtijë në punë asnjë të Gushavcit, as të Lushtës, as të Zhabarit, as të Kosthovës, as të Kçiqit. Mos bre se marre me këto ndarje, po doni me na shti Shalën me u përla mes vete. Tash po dëshironi me na shti kundër 97 shaljanëve që qenkan hyrë në punë. ‘Trepça’ më së pari është e Kosovës, e të gjithë shqiptarëve, e këtij Agim Bahtirit s’i ka mbetur tjetër veç me i shti shaljanët mes vete, po edhe të tjerët”, thotë ajo.
Në anën tjetër kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk është dukur fare në protestën e organizuar nga shaljanët, të hënën, në rrugën kryesore që çon nga Shala për Mitrovicë, ku ajo ishte bllokuar përreth 40 minuta. Një grup i protestuesve pas përfundimit të protestës janë pranuar në bisedë të drejtori menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, i cili ka dëgjuar ata për pakënaqësitë e tyre.
“Trepça” kishte shpallur konkurs për pranimin e 230 punëtorëve të rinj në pozita të ndryshme, si punëtorë në flotacion (Tuneli i Parë) dhe në minierën e ‘Trepçës’ në Stan Tërg. “Trepça”, e cila pronar e ka shtetin e Kosovës, pavarësisht shumë vështirësive me të cilat përballen, megjithatë ka pranuar një numër të madh të punëtorëve në punë. Pas intervistimit me gojë dhe me shkrim, nga rreth 800 aplikues, komisioni përkatës ka përzgjedhur 230 më të suksesshmit, por që pas publikimit të emrave të punëtorëve të pranuar në punë banorët e Shalës së Bajgorës kanë shfaqur pakënaqësitë e tyre.
Ibrahimi: Me gjithë vështirësitë prodhimi në “Trepçë” është rritur për 20 për qind
Menaxhmenti i “Trepçës” prej përfundimit të luftës një ndër problemet ka theksuar numrin e vogël të punëtorëve, respektivisht të minatorëve, shumica prej të cilëve ishin të vjetër në moshë. Menaxhmenti i “Trepçës” ka kërkuar vazhdimisht të pranohen në punë fuqi e re punëtorëve, para së gjithash të rinj, fëmijë të minatorëve. Në këtë mënyrë disa prej tyre ishin pranuar në punë në “Trepçë”, por nuk kishte mjaftuar për t’i përmbushur të gjitha nevojat. Kombinati “Trepça” ka vite që po përballet me probleme të mëdha financiare për shkak të keqmenaxhimit disavjeçar në vazhdimësi nga menaxhmente, të cilat janë cilësuar si politike. Në shtatorin e vitit të kaluar kishte dështuar tenderi prej 17.6 milionë eurosh për shitjen e koncentratit për tetor, nëntor dhe dhjetor, ngase nuk është arritur marrëveshja për nënshkrimin e kontratës sipas kritereve të dosjes së tenderit dhe të propozimit të kontratës së publikuar në dosjen e tenderit. Për shitjen e koncentratit të plumbit dhe të zinkut “Trepça” ka kontratë me kompaninë zvicerane “Glencore International AG”.
Drejtori menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi, ka thënë se pa investime milionëshe vështirë se “Trepça” do të mundë të funksionojë. “‘Trepça’ ballafaqohet me shumë probleme, duke filluar nga punëtorët e vjetër që vetëm deri në vitin 2022 duhet të pensionohen rreth 250 veta, që do të thotë se ata janë 63-vjeçarë dhe kontributi i tyre në minierë vihet në dyshim pasi duhet të ketë një forcë fizike. Kur e kemi parasysh edhe teknologjinë e vjetërsuar, kjo e vështirëson edhe më shumë situatën”, ka thënë Ibrahimi, i cili për fund ka bërë të ditur se në vitin 2019 prodhimi në “Trepçë” është rritur për 20 për qind. “Prodhimi është rritur për 20 për qind, por nuk e kemi arritur atë që kemi synuar sepse vështirësitë dhe problemet janë shumë të mëdha”, ka thënë mes tjerash drejtori menaxhues i “Trepçës”, Basri Ibrahimi.
“Trepça” pa pjesën veriore numëron 1.240 punëtorë. /ZERI