Zëvendëskryeministri Abazi i përgjigjet Haradinajt për taksën

Zëvendëskryeministri Abazi i përgjigjet Haradinajt për taksën

Aktuale February 10, 2020 - 23:36

Zëvendëskryeministri Haki Abazi ka folur rreth kërkesës së ish-kryeministrit Ramush Haradinaj për mos heqjen e taksës ndaj produkteve serbe. Ky i fundit vazhdon të këmbëngulë se heqja e taksës së paralajmëruar nga ana e kryeministrit Albin Kurti, është hap i gabuar.

Sipas Haradinajt reciprociteti me Serbinë është i pamundur, por ndryshe mendon Abazi.

Sipas tij, reciprociteti është treguar shpesh si zgjidhje e shumë problemeve në skenën ndërkombëtare.

“Reciprociteti është metodë dhe masë e njohur ndërmjet shteteve dhe të cilësohet si formë e zgjidhjes së problemit”, tha Abazi në emisionin “DPT te Fidani” në T7.

‘Reciprociteti ka treguar rezultate”, thekson ai.

Abazi ka komentuar edhe deklaratat e Haradinajt sipas të cilave me heqjen e taksës Kurti do të “mbetet cullak, i zhveshur”

“Gjuha që ka përdorur ish-kryeministri Haradinaj nuk i shkon një ish-kryeministri. Ka qenë një gabim i shprehjes që është përdor që si gjuhë nuk ish dashtë me u përdor’, shtoi ai.

Abazi mirëpret një opozitë konstruktive.

“Ne duam një opozitë konstruktive brenda parlamentit sepse nuk kishte me pasë vlerë sistemi demokratik pa opozitë konstruktive”.