Kurti e Thaçi inkurajohen që të bashkëpunojnë në politikë të jashtme

Kurti e Thaçi inkurajohen që të bashkëpunojnë në politikë të jashtme

Aktuale February 10, 2020 - 19:10

Politika e jashtme me gjasë do t’i bashkojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe presidentin e shtetit, Hashim Thaçin. Të dy këta, që njihen mirë për raportet e acaruara do të duhet të bashkëpunojnë mes vete, për koordinim në fazën e fundit për paqen në dialogun Kosovë – Serbi.

Së fundmi për këtë, Kurti i ka bërë Thaçit edhe një thirrje publike. Analistët Blerim Vela dhe Jeta Krasniqi kanë komentuar këtë çështje të pyetur nga Gazeta Express.

Pak ditë pasi që mori pozitën e të parin në Qeveri, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kërkuar nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi që të jenë unik në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që të mos vazhdohet si në tre vitet e fundit.

 “Unë besoj që tashmë është urgjente që ne të kemi një politik unike në arenën ndërkombëtare që të mos vazhdohet në mënyrën e këtyre 2-3 viteve të fundit. Qeveria e re e Kosovës unë si kryeministër i ri, dua që të koordinohemi edhe me presidentin aktual në mënyrë që të mos kemi në politikën e jashtme një kakofoni që me siguri bëhet e dëmshme edhe jashtë vendit dhe brenda vendit, mendoj se sot kjo është detyra më rëndësishme për shtetin tonë e jo atë se ku kush do të jetë pas disa muajsh apo pas një viti”, deklaroi kryeministri Kurti, që për këtë mori reagim edhe nga ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Pacolli tha se kjo deklaratë e Kurtit është e drejtë dhe e nevojshme, pasi që ai shtoi se është përballur me mungesë të harmonizimit sa kishte qenë ministër.

 “Deklarata e Kryeministrit të Kosovës, për koordinim të politikës së jashtme me akterët kryesorë institucional është shumë e drejtë dhe e nevojshme. Në vitet e kaluara jam përballur drejtpërsëdrejti me fenomenin e mungesës së harmonizimit të veprimeve dhe deklaratave që e kanë dëmtuar dhe vështirësuar politikën e jashtme të Kosovës”, shkroi Pacolli në Facebook.

Në fakt, qeveria në krye me Haradinajn, kishte qenë e njohur për raportet e acaruara me presidentin e vendit, sidomos për punën e politikës së jashtme. Madje, në takimet e rëndësishme për vendin, Haradinaj dhe Hashim Thaçi kishin shkuar me qëndrime të ndryshme. Sidomos kur bëhej fjalë për taksën dhe shkëmbimin me territore.

Për të folur për deklaratën e Kurtit dhe për koordinimin që duhet të bëjnë presidenti dhe kryeministri në mënyrë që të arrihet marrëveshja e paqes në fazën e fundit të dialogut kanë folur për Gazetën Express njohësit e çështjeve politike, Blerim Vela dhe Jeta Krasniqi.

Analisti Blerim Vela thotë se vazhdimi i dialogut është duke ndjekur agjendë të ngjeshur, e se tentimi i parë për të arritur marrëveshje do të jetë gjatë muajit mars.

Ai shton se koordinimi presidencë – qeveri është parakusht për përfaqësim adekuat.

“Vazhdimi i dialogut Kosovë – Serbi duket se po ndjek agjendë të ngjeshur kohore që nënkupton se tentimi i parë për të arritur marrëveshjen do të jetë që gjatë muajit mars. Në këtë situatë, koordinimi mes qeverisë së re dhe presidencës është parakusht për përfaqësim adekuat të interesave të Kosovës në dialogun me Serbinë. Kryeministri Kurti veçse ka artikuluar qëndrimin për bashkërendim institucional që do të pamundësonte përfaqësim e Kosovës me dy qëndrime të ndryshme. Në këtë drejtim, qeveria ka rol udhëheqës, por jo  edhe të vetëm pasi që kërkohet përfshirje e akterëve relevant institucional. Presidenti Thaçi ka përparësinë pasi që ka qenë i përfshirë në fazën përgatitore për rifillimin e negociatave dhe deri në artikulimin e qartë të pozicionit të qeverisë së re rreth formatit, parimeve udhëheqëse dhe qëllimeve mund të shtrijë ndikimin e tij gjatë kohëzgjatjes së procesit negociator të filluar nga Ambasadori Grenell”, thotë Vela.

Ai shton se përfshirja e presidentit Thaçi do të thotë që LDK dhe LVV do të kenë edhe mbështetjen e PDK-së në Kuvend të Kosovës.

“ Po ashtu, përfshirja e Thaçit duhet të jetë çelësi për sigurimin e mbështetjes së PDK-së gjatë procesit negociator në Kuvend. Miratimi dhe zbatimi efikas i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë do të varet nga aftësia e koalicionit të ri LVV – LDK, të sigurojnë mbështetjen e së paku 2/3 të deputetëve të Kuvendit – ku roli i PDK-së do të jetë i rëndësishëm për të siguruar këtë mbështetje”, tha Vela në një përgjigje për Express.

Në anën tjetër, Jeta Krasniqi nga KDI thotë se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga Albin Kurti, e se këtë ja garanton vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

“Në bazë të aktygjykimit të Gjykatës Kushtetuese i vitin të kaluar mbi Ligjin për Delegacionin, procesi i dialogut Kosovë-Serbi duhet të udhëhiqet nga Kryeministri i vendit në koordinim me Presidentin dhe nën mbiqkyrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, thotë Krasniqi, teksa shton se në mandatin e kaluar nuk ka pasur koordinim mes Thaçit dhe ish-kryeministrit Haradinaj.

“ Gjatë mandatit të kaluar qeverisës kemi parë që Presidenti i vendit z. Thaçi ka shtyrë përpara tezën e korrigjimit të kufijve, ndërsa Kryeministri i vendit Haradinaj ka qenë kundër kësaj teze. Si përfaqësues të institucioneve të Kosovës të dy këta udhëheqës kanë shtyrë përpara teza të ndryshme dhe në arenën ndërkombëtare duke mos pasur një qasje të koordinuar dhe unike. Është mëse e nevojshme që krerët institucional të koordinojnë qëndrimet e tyre dhe të paraqesin shtetin e Kosovës në një zë pasi përfaqësojnë të njëjtin shtet dhe jo shtete të ndryshme”, thotë Krasniqi për Gazetën Express.

Dialogu Kosovë – Serbi po qëndron pezull që nga vendosja e masës 100 për qind për produktet serbe e boshnjake.

Me ndërmjetësimin e BE-së dhe SHBA-së viti 2020 po shihet si potencial për arritje të marrëveshjes së paqes.