Alija: Serbia nuk mund ta pengojë reciprocitetin, spektri politik të jetë unik

Alija: Serbia nuk mund ta pengojë reciprocitetin, spektri politik të jetë unik

Aktuale February 10, 2020 - 14:43
Reciprocitetit është i mundshëm të ndodhë nëse ka vendosmëri nga ana e Qeverisë së Kosovës

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit për zëvendësimin e taksës 100 për qind me parimin e reciprocitetit i ka vënë përballë pozitë e opozitë. Ndryshe nga Qeveria, partitë opozitare po kërkojnë që taksa të mos hiqet pa njohje nga Serbia. Ndërsa njohësit e çështjeve politike, teksa vlerësojnë se Kosova mund të përfitojë nga reciprociteti, theksojnë se në këtë kërkesë spektri politik duhet të jetë i bashkuar dhe unik karshi Serbisë

Njohësi i çështjeve politike Rasim Alija në një prononcim për "Zërin" ka theksuar se parimi i reciprocitetit është i mundshëm të ndodhë nëse ka vendosmëri nga ana e Qeverisë së Kosovës. Sipas tij, nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në zëvendësimin e taksës me reciprocitet, veçse heqja taksës duhet të ndodhë pasi të jetë vënë reciprociteti. "Edhe ashtu nuk kemi indikatorë që faktojnë se taksa e ka prodhuar njëfarëlloj rritjeje ekonomike në vend e mbi të gjitha që t'u ketë ndihmuar bizneseve kosovare t'i rrisin kapacitetet e tyre dhe rrjedhimisht kjo të përkthehej në vende të reja të punës. Zëvendësimi i taksës do të duhej të bëhej edhe në mënyrë cilësore, por edhe në mënyrë të pangutshme, kjo i bie që kryeministri ta heqë taksën, por jo pa e vendosur reciprocitetin. Pra nuk duhet lënë hapësirë ku nuk do ta kishim asnjërën nga këto në raport me Serbinë", ka deklaruar ai.

Sa i përket asaj se a do të pranojë Serbia një masë të tillë ose jo, Alija thotë se kjo çështje nuk duhet ta preokupojë Kosovën. Sipas tij, spektri politik kosovar, veçanërisht Qeveria, duhet të jetë e vendosur në qëndrimet e saj nëse e aplikon parimin e reciprocitetit. "Kemi parë që ka vullnet dhe kur ka qëndrim dhe mbështetje ndërkombëtare Serbia di edhe t'i pranojë gjërat. Nuk është në dorën e Serbisë se a do ta pranojë reciprocitetin ose jo. Është në dorën e Kosovës se sa do të jetë e gatshme që ta vendosë një masë të tillë. Nuk ka të bëjë me atë se çka pranon Serbia, sepse Serbia nuk e ka pranuar as taksën 100%, por ka të bëjë me atë se si sillemi ne në raport me Serbinë dhe sa jemi të gatshëm që të gjithë bashkërisht, si shoqëri, si spektër politik dhe si qeveri, të kemi një plan konkret për zbatimin e masave të reciprocitetit", ka deklaruar ai./Zëri.