Angazhimi i SHBA-së mund t’i paraprijë marrëveshjes finale

Angazhimi i SHBA-së mund t’i paraprijë marrëveshjes finale

Aktuale January 28, 2020 - 09:38
Angazhimi i SHBA-së lë të kuptohet se mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare

Dje në Berlin është mbajtur takimi ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë për vënien në funksion të linjës hekurudhore Kosovë - Serbi. Një marrëveshje e tillë po cilësohet si hap pozitiv dhe e cila mund t’i paraprijë rifillimit të dialogut, mirëpo është kritikuar përfaqësimi i Kosovës dhe jotransparenca mbi këtë marrëveshje, shkruan gazeta Zëri.

Arben Fetoshi, njohës i çështjeve ndërkombëtare, ka thënë për gazetën se këto marrëveshje mund t’i paraprijnë normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi. Sipas tij, angazhimi i SHBA-së lë të kuptohet se mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare. “Marrëveshjet e fundit janë hapa me rëndësi drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë - Serbi, sidomos nëse kemi parasysh aktivizimin e ambasadorit Grenell si i dërguar i presidentit amerikan. Nëse mbeten vetëm zgjidhje për këta dy sektorë, pa dyshim shumë të rëndësishëm, ato mund të përfundojnë si shumë marrëveshje të tjera të Brukselit, por spostimi i diplomacisë evropiane nga kjo çështje nënkupton angazhim të SHBA-së për marrëveshje përfundimtare e joparciale”, ka thënë ai.

Megjithatë ai ka thënë se nuk pret se palët do të kthehen në tavolinë me formatin e njëjtë të dialogut. “Në këtë kontekst duhet parë presionin e Grenellit për heqjen e taksës, në mënyrë që palët të rikthehen në tavolinë. Por, meqenëse nuk besoj se do të ketë rikthim në formatin e dështuar të Brukselit dhe duke u bazuar në interesin e presidentit Trump për një sukses diplomatik, që riafirmon rolin e domosdoshëm amerikan në Evropë, Marrëveshja për Hapësirën Ajrore më duket paralajmërim i marrëveshjes finale”, ka thënë Fetoshi për “Zërin”./Zëri.