Kryeshefi i Telekomit flet për marrëveshje të mundshme me Ministrinë e Inovacionit

Kryeshefi i Telekomit flet për marrëveshje të mundshme me Ministrinë e Inovacionit

Aktuale January 27, 2020 - 12:44
Ky diskutim u bë sot nga Kryeshefi i Telekomit dhe Ministri nëdëtyrë i Inovacionit, Muzafer Shala

Telekomi i Kosovës dhe Ministria e Inovacionit kanë diskutuar sot për mundësinë e zhvendosjes së Qendrës së Trajnimeve në Prizren në Qendrën Inovative të qeverisë së Kosovës.

Ky diskutim u bë sot nga Kryeshefi i Telekomit dhe Ministri nëdëtyrë i Inovacionit, Muzafer Shala.

Por, duket të jetë një diskutim i kotë, nëse merren parasysh planet e qeverisë së re, VV dhe LDK e cila ka paraparë shkrirjen e Ministrisë së Inovacionit, e cila është krijuar në vitin 2017.

“Gjithashtu diskutuam që Telekomi të komercializojë programet e veta të trajnimit që janë gjithsej 74. Bashkë me ministrin Shala diskutuam për mundësinë që këto trajnime tu ofrojmë të gjithë qytetarëve tanë ngase ne si kompani publike kemi obligim që të ofrojmë shërbime kualitative me çmimet më të mira në treg.
Ndër trajnimet më të rëndësishme që Telekomi do të ofrojë janë edhe ato të CISCO-s dhe MICROSOFT. Ministri i Inovacionit, Muzafer Shala pohoi se është shumë i rëndësishëm orientimi strategjik që Telekomi ka vendosur ta ndjekë, gjithashtu është jashtëzakonisht me rëndësi kur menaxhmenti e di saktë se çfarë dëshiron të arrijë dhe me sa mësova nga takimi me z.Istrefi këto dy veprime janë të qarta për ta dhe nuk dyshoj që do të arrijnë suksesin që synojnë. Ai gjithashtu bëri thirrje që kompania në fjalë të mbështetet nga institucionet vendore. Në anën tjetër marrëveshja për shfrytëzim të hapësirës së Qendrës Inovative do të nënshkruhet shumë shpejt”, ka shkruar Bedri Istrefi në një komunikim në Facebook.

Megjithatë, këto plane ambicioze të këtij kryeshefi me gjasë duhet të rishqyrtohen.
Nga Vetëvendosje, parti fituese e zgjedhjeve, kishin deklaruar më herët se në rast të një qeverie të re me LDK-në janë marrë vesh që Ministria e Inovacionit të shuhet. Më herët për Kosovapress, nënkryetari i VV-së Besnik Bislimi kishte dhënë detaje se si do të dukeshin ministritë.

“Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të jetë Ministri në veti, por Ministri të tjera do të bashkohen me të. Për shembull, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë do të bashkohen më të, sipas njërit prej versioneve. Ministra e Punës jo e Mirëqenies Sociale, por vetëm e Punës. Po ashtu edhe një pjesë e Ministrisë së Inovacionit, po ashtu një pjesë e Ministrisë së Diasporës që merret me investime strategjike. Do të thotë kjo Ministri do të bëhet një super ministri…Ministria e Inovacionit kalon tek Ministria e Arsimit dhe roli primar si Ministri nuk është, por si departament e ka për me mbështet hulumtimet shkencore”, thotë ai