LDK-ja e pret Vetëvendosjen vetëm deri të dielën
Foto: Laura Hasani

LDK-ja e pret Vetëvendosjen vetëm deri të dielën

Aktuale January 24, 2020 - 12:34
Lëvizja Vetëvendosje ka kohë vetëm deri të dielën ta shqyrtojë ose edhe ta pranojë ofertën e fundit për bashkëqeverisje të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në të kundërtën, nëse nuk ka ndonjë dakordim, LDK-ja do t’i lëshojë rrugë LVV-së që të negociojë me ndonjë parti tjetër për bërjen e qeverisë, pavarësisht se ajo e sheh vetëm LDK-në si partnere

Lëvizja Vetëvendosje ka kohë që deri këtë të diel të pajtohet me Lidhjen Demokratike të Kosovës për krijimin e qeverisë së re. Ky është afati i fundit, të cilin kreu i LDK-së Isa Mustafa ia ka dhënë LVV-së për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët për qeverisje, sepse në të kundërtën partia e tij do të tërhiqet nga negociatat. Nga Lidhja Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që brenda këtij afati LVV-ja ta shqyrtojë edhe një herë propozimin e LDK-së për largimin e Glauk Konjufcës nga pozita e kryeparlamentarit dhe dorëzimin e këtij posti te LDK-ja deri në zgjedhjen e presidentit, shkruan gazeta "Zëri"

Por nga Vetëvendosja oferta e LDK-së vazhdon të mos jetë e pranueshme. Ka më shumë se dy javë që palët nuk kanë zhvilluar takime për t’i dhënë mundësi krijimit të koalicionit. Sipas analistëve politikë, nëse Vetëvendosja nuk e respekton afatin e LDK-së dhe dështon marrëveshja opsioni i vetëm mbetet qeveria e pakicës, e përbërë nga Vetëvendosja, me votat e LDK-së, por pa të në koalicion. Më tutje jashtë ultimatumit treditor të LDK-së Albin Kurti ka 12 ditë afat kushtetues që të krijojë përbërjen e ekzekutivit të ri dhe atë t’ia paraqesë Kuvendit të Kosovës për votim.

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës ia kanë kujtuar edhe një herë Lëvizjes Vetëvendosje që vetëm deri të dielën do t’i presin për përgjigje sa i përket ofertës së fundit që ia kanë paraqitur partisë së Kurtit.

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka thënë se e diela nuk është ultimatum për Kurtin, por afati i fundit që ai të reflektojë karshi propozimit të LDK-së.

“Ne mbetemi në qëndrimin tonë. Nuk ka lëvizje, por reflektimi i përket tani Kurtit, ai është mandatar dhe ashtu duhet të sillet. Oferta jonë mbetet dhe është shumë korrekte. Unë nuk kam dhënë ultimatume e as nuk po jap, porse deri të dielën e kemi caktuar afatin, në mënyrë që nëse nuk ka marrëveshje me ne, atëherë Kurti të ketë kohë për negociata të tjera”, ka deklaruar Muhaxheri.

Ndërsa anëtari tjetër i Kryesisë së LDK-së, Haki Rugova, nuk e ka mohuar mundësinë që partia e tij t’ia japë edhe një shans tjetër LVV-së për t’u takuar, në të cilin do të duhej të bënte kompromise.

“Kërkesa jonë është të heqin dorë prej postit të kryeparlamentarit dhe të na ftojnë në takim, në mënyrë që të arrihet marrëveshja, në rast se Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga posti i kryeparlamentarit, për kompromise tjera duhet që t’u kthehen takimeve”, u shpreh Rugova./ZERI