Si u krijua “kultura e korrupsionit” në Kosovë?
Emërimet politike, fenomeni i nepotizmit dhe korrupsionit, vazhdojnë t’i ngufasin institucionet e Kosovës dhe në përgjithësi shoqërinë, thuhet në raportet e organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.
Sipas raportit të organizatës Transparency International, që është publikuar të enjten, ku prezantohet Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2019, Kosova del se ka shënuar regres sa i takon luftës kundër korrupsionit.
Edhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare në Kosovës, konsiderojnë se korrupsioni në Kosovë në masë të madhe është i shprehur kryesisht me emërimet e militantëve partiakë në poste të larta publike.
Arben Kelmendi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se tashmë është evidente se vetë partitë politike që kanë udhëhequr me institucionet, kanë krijuar një kulturë të korrupsionit, e cila është instaluar në të gjitha instancat qeverisëse në vend.
“Kur një shoqëri është e korruptuar, aty nuk paraqitet vetëm një lloj i korrupsionit. Në Kosovë kemi të bëjmë me disa lloje të korrupsionit, kemi korrupsionin e madh, pra atë të përmasave të mëdha ose që quhet korrupsioni i ‘jakave të bardha’. Kemi atë korrupsionin e imtë, i cili paraqitet në nivele më të ulëta administrative. Sigurisht që nepotizmi dhe format e tjera të korrupsionit, pashmangshëm paraqiten në këto shoqëri, me të cilat në një farë forme, mbillet e ashtuquajtura kulturë e korrupsionit”, thotë Kelmendi.
Organizata Transparency International në raportin e saj thotë se ajo që duhet të ndodhë në Kosovë, është braktisja e praktikës së zakonshme e emërimeve politike në ndërmarrjet shtetërore, duke vendosur një detyrim të fuqishëm ligjor për partitë politike që t’i zbulojnë financat e tyre.
Kelmendi thotë se emërimet me preferenca politike dhe nepotizmi, mund të çrrënjosen me instalimin e mirëfilltë të sistemit të meritokracisë.
“Kjo dukuri shumë negative për shoqërinë kosovare do të mund të largohet vetëm me një instalim të mirë të sistemit të meritokracisë”, vlerëson Kelmendi.
Edhe në Organizatën për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, thonë se kanë ngritur zërin disa herë për nivelin e lartë të korrupsionit dhe nepotizmit në institucione.
Arton Demhasaj nga organizata “Çohu”, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se politika është ajo e cila i ka vendosur shtresat e korrupsionit në shumë institucione të rëndësishme.
“Nga një qeveri në qeverinë tjetër, vetëm ka vazhduar avazi i vjetër. Secila parti që ka ardhur në pushtet është munduar që militantët e saj partiakë, e herë-herë edhe njerëz familjarë t’i sistemojë në pozita të ndryshme. Dhe, kjo ka ndikuar që ne sot ta kemi administratën shtetërore tërësisht të politizuar”, thekson Demhasaj.
Sipas tij, njerëzit e politikës të vendosur në vendet e punës ku nuk e meritojnë, po ndikojnë negativisht në funksionimin e shumë mekanizmave.
“Krejt çka tash duhet, është vullneti politik i partive politike që ta ndalin praktikën e gabuar të deritanishme të emërimeve partiake të njerëzve të caktuar në pozitat e tilla. Duhet të funksionojë ideja që në pozitat e tilla të emërohen njerëzit që janë të thirrur”, thotë Demhasaj.
Diplomatë ndërkombëtarë, fillimisht, por edhe shoqëria civile dhe në Prishtinë, kanë tërhequr vërejtjen se korrupsioni ka ngufatur institucionet dhe ndërmarrjet publike më militantë partiakë dhe të afërm të familjes pa kritere punësimi.
Përfaqësues të shoqërisë civile, pohojnë se është paradoks të besohet se nepotizmi mund të parandalohet nga subjektet politike që vetë e kanë instaluar nepotizmin në pozita vendimmarrëse dhe në institucionet shtetërore.
Ka rreth një vit që përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë i kanë shpeshtuar kritikat në drejtim të institucioneve të Kosovës, lidhur me fenomenet negative, si nepotizmi, korrupsioni apo për dukurinë, siç po quhet, të “kapjes së shtetit”.
Ata theksojnë se shtetet që Kosova i konsideron si mike, po e humbin durimin e tyre, duke potencuar se qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një trajtim të tillë nga të zgjedhurit e tyre, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal.
Punësimet partiake dhe jo mbi bazën e meritave, sipas Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe asaj të Britanisë së Madhe ishin arsyeja kryesore pse përfaqësuesit e këtyre vendeve në vitin e kaluar janë tërhequr nga bordet e disa ndërmarrjeve publike.
Së fundit, zyrtari nga Ambasada e SHBA-së është larguar nga bordi i Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronës në Kosovë, duke konsideruar se në krye të këtij institucioni është një person i pakualifikuar.