Thaçi: Krimet në Kosovë janë hetuar më gjatë se krimet e luftës së dytë botërore
Foto: Laura Hasani

Thaçi: Krimet në Kosovë janë hetuar më gjatë se krimet e luftës së dytë botërore

Aktuale January 17, 2020 - 12:08

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në konferencën vjetore të prokurorëve të shtetit ka goditur bashkësinë ndërkombëtare për mos hetimin e krimeve të shtetit serb në Kosovë.

Ai ka theksuar se Kosova edhe pse ka qenë viktime është ndjekur e gjykuar më shumë se agresori, që ka qenë shteti i Serbisë, i cili ka kryer spastrim etnik e gjenocid ndaj popullatës civile.

Thaçi u bëri thirrje prokurorëve që të mos e bëjnë gabimin e njëjtë që ka bërë UNMIK-u dhe EULEX-i, që nuk kanë ndjekur kriminelët serbë për krimet në Kosovë, si dhe të rrinë sa më larg nga ndikimi politik, por edhe nga ndërhyrjet apo reagimet e zyrtarëve ndërkombëtarë.

Edhe gjatë përkujtimit të masakrës së Reçakut, Thaçi ka goditur ndërkombëtarët për amnistimin e krimeve që Serbia ka kryer në Kosovë, duke mos i ndjekur kriminelët, por duke ia lënë këtë në dorë Serbisë, e cila gjithë çka ka bërë është glorifikimi dhe shpallja heronj e kriminelëve pikërisht për shkak se kanë kryer krime në Kosovë.