Zvarritet formimi i komisioneve parlamentare
Foto: Laura Hasani

Zvarritet formimi i komisioneve parlamentare

Aktuale January 17, 2020 - 08:18
Image

Ndonëse po bëhet një muaj prejse është formuar Kuvendi i Kosovës kryesia ende nuk ka thirrur asnjë mbledhje, rrjedhimisht nuk është mbajtur asnjë seancë e as nuk ka nisur formimi i komisioneve parlamentare. Gjersa Kryesia e Kuvendit nuk ka folur rreth kësaj çështjeje, njohësit e rrethanave politike kanë thënë se formimi i komisioneve është çështje e cila duhet të përmbyllet urgjentisht, shkruan gazeta "Zëri".

Po bëhet gati një muaj prejse Kuvendi është formuar dhe është funksional, mirëpo akoma nuk janë formuar komisionet parlamentare. Sipas Nenit 63, pika 2 e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës pas formimit Kryesia e Kuvendit duhet të kërkojë nga secili grup parlamentar t’i propozojë emrat për kryetarë dhe për anëtarë të komisioneve. “Kryesia e Kuvendit kërkon nga secili grup parlamentar, i përfaqësuar në Kuvend, t’i propozojë kryetarët, zëvendëskryetarët dhe anëtarët e komisioneve”, thuhet në këtë dokument. Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje nga Kryesia e Kuvendit lidhur me atë se kur do të nisë formimi i komisioneve parlamentare, por një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur. Nga Lëvizja Vetëvendosje kanë thënë se këto ditë s’mund të flasin për këtë çështje. “Do të jetë vështirë të përgjigjemi në këto pyetje këto ditë”, thuhet në përgjigjen e zyrës për medie nga LVV-ja.

Ndërkohë monitorues të punës së Kuvendit nga shoqëria civile kanë thënë se Kuvendi për herë të parë po përballet me një situatë të tillë ku pas formimit të këtij institucioni Kosova nuk ka krijim të qeverisë. Por pavarësisht kësaj ata kanë vlerësuar se duhet sa më shpejt të formohen komisionet parlamentare, pasi çështja e buxhetit kërkon trajtim të menjëhershëm. Por në rast se qeveria nuk formohet deri në fund të këtij muaji, atëherë sipas tyre duhet që për muajin mars të merret një vendim nga ana e Kuvendit për zgjatje buxhetore në vlerën e 1/12 të buxhetit të vitit të kaluar.

Konjufca: Mundësitë për buxhet, të pakta

Shqetësime për çështjen e buxhetit gjatë ditës së djeshme ka shprehur edhe kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, i cili gjatë një takimi me sindikalistët e SBASHK-ut, të FSSHK-së dhe të SPK-së ka thënë se ka shqyrtuar me ekspertë mundësitë eventuale që Kosova ta ketë Ligjin e Buxhetit për vitin 2020, në mënyrë që të mos vihet deri te një situatë e atillë, ku pa paga do të mbeten mijëra të punësuar në sektorë të ndryshëm. Por megjithëkëtë ai ka thënë se në rrethanat aktuale mundësitë për të pasur një ligj të buxhetit janë të vogla. Sidoqoftë Konjufca është zotuar se do t’i kryejë të gjitha angazhimet që në bashkëpunim me palët e tjera të gjejnë një zgjidhje të lejuar ligjërisht.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se meqenëse Kuvendi është formuar tashmë do të duhej që sa më parë t’i formonte komisionet parlamentare. Kjo sipas tij është një përvojë e re për Kuvendin, pasi në zgjedhjet e kaluara qeveria është votuar menjëherë pas formimit të Kuvendit. Pavarësisht kësaj, meqë vendi gjendet në një situatë të tillë, sipas Cakollit, Kuvendi do të duhej të procedonte sa më parë formimin e komisioneve, pasi çështja e buxhetit kërkon trajtim të menjëhershëm. “Sa i përket votimit të buxhetit është një nga çështjet më të ndjeshme tani për tani dhe kërkon trajtim të menjëhershëm nga ana e institucioneve të vendi”, ka theksuar ai.

Kuvendit sipas Cakollit duhet që sa më parë t’i propozohet buxheti në mënyrë që vendi të mos pësojë krizë financiare. “Kuvendit duhet t’i propozohet buxheti, në mënyrë që të mos rrezikojmë hyrjen në ndonjë krizë financiare krejtësisht të panevojshme duke qenë se dispozitat ligjore në fuqi parashohin që pas muajit mars nuk mund të bëhet asnjë pagesë e vetme nga buxheti i konsoliduar i vendit, që nënkupton se asnjë transaksion financiar nuk mund të kryhet nga Ministria e Financave”, është shprehur ai, përcjell "Zëri".

Megjithatë siç ka sqaruar tutje Cakolli, në rast se nuk arrihet të formohet qeveria deri në fund të këtij muaji, atëherë Kuvendi duhet të marrë një vendim për muajin mars për zgjatje buxhetore.

“Në rast se nuk kemi krijim të qeverisë deri në fund të këtij muaji, atëherë do të duhej që për muajin mars të merret një vendim nga ana e Kuvendit për zgjatje buxhetore në vlerën e 1/12 së buxhetit të vitit të kaluar, në mënyrë që të kryhen të paktën pagesat ose transaksionet, të cilat janë të parapara me buxhetin e vitit të kaluar”, ka theksuar ai.

Tahiri: Kuvendi t’i krijojë komisionet dhe buxheti të votohet sa më parë

Njohësi i çështjeve politike Ramush Tahiri ka thënë se Kuvendi duhet t’i krijojë sa më shpejt komisionet parlamentare. Pas krijimit të komisioneve parlamentare, edhe nëse nuk formohet qeveria e re, sipas Tahirit kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj duhet ta dërgojë buxhetin në Kuvend për ta miratuar.

“Kuvendi nuk e ka mbajtur asnjë mbledhje dhe nuk i ka krijuar komisionet parlamentare. Kuvendi duhet t’i krijojë komisionet parlamentare, se është funksional. Në momentin që e krijon komisionin për financa dhe për buxhet del buxheti në Kuvend, ngase Qeveria është në detyrë dhe Qeveria e ka për obligim ta dërgojë buxhetin. Në këtë bazë Ramush Haradinaj duhet ta dërgojë buxhetin”, ka thënë Tahiri.

Tutje ai ka thënë se distribuimi i buxhetit mund të bëhet me parametra të vitit të kaluar për tre mujorin e parë ndonëse qeveria e re në ardhje mund të ketë synime të tjera. “Duke e dorëzuar buxhetin ne e evitojmë krizën, sepse paratë për buxhet mblidhen në ato forma që mblidhet buxheti i Kosovës, vetëm puna e distribuimit mbetet. E distribuimi bëhet me parametra të vitit të kaluar ashtu siç ka qenë për tremujorin e vitit të kaluar, ashtu ndahen. Qeveria e re mund të ketë synime të tjera, por moskrijimi i qeverisë ‘Kurti’ e cila e bën buxhetin e ri e shtyn qeverinë e vjetër ta dërgojë buxhetin në Kuvend”, ka përfunduar ai./ZËRI