Sinjalet e Speciales për përgatitjen e aktakuzave
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar e Kosovës me seli në Hagë, që kanë mandat dhe juridiksion për hetimin e krimeve të luftës në Kosovë, kanë dhënë sinjalet e para se shpejt mund të fillojnë me ngritjen e aktakuzave, për shkak se ky institucion ka hapur një konkurs, përmes së cilës kërkojnë 33 punonjës administrativë, zyrtarë ligjorë dhe përkthyes, shkruan sot gazeta Zëri.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për drejtësi (IKD), në një deklaratë për “Zërin” ka thënë se Zyra e Prokurorit Special është në përfundim të fazës së hetimeve. Rrjedhimisht sipas tij, shumë shpejt mund të priten edhe aktakuzat e para. “Është fakt notor se Zyra e Prokurorit të Specializuar është në fazën finale të intervistimit të dëshmitarëve dhe të të dyshuarve. Sigurisht se tërë kjo procedurë mund të përmbyllet deri në mesin e këtij viti”, ka potencuar Miftaraj.
Pas mbylljes së hetimeve, sipas Miftarajt, Prokurorisë Speciale i nevojiten disa muaj kohë deri në ngritjen e plotë të aktakuzave të para. “Pas përmbylljes së këtij procesi Prokurorisë mund t’i duhen disa muaj në hartimin e aktakuzave, të cilat dërgohen në Gjykatë. Me vetë faktin se Gjykata ka filluar me rekrutimin e personelit shtesë është indikacion se kjo Gjykatë po përgatitet për pranimin e aktakuzave të para dhe për trajtimin e tyre”, ka thënë ai.
Në anën tjetër avokati i akredituar nga Gjykata Speciale, Artan Qerkini, për “Zërin” ka thënë se hapja e konkursit nga ana e Dhomave të Specializuara të Hagës është stimuluar nga aktivizimi aktual i Gjykatës. Kësisoj, sipas tij, me tërë intensitetin e punës gjatë muajve të fundit ky institucion ka nevojë për staf shtesë. “Sa i përket punës operative mund të jetë që nga zhvillimet, të cilat janë aktuale në kuadër të Dhomave të Specializuara, ata mund të kenë vërejtur se stafi i tyre është i pamjaftueshëm për ta përballuar fluksin e punëve me të cilat ndeshen dhe për rrjedhojë mund të kenë nevojë për staf shtesë qoftë teknikë, profesional etj”, ka thënë Qerkini.
Ndërkohë Qerkini ka nënvizuar se Prokuroria e Specializuar nuk ka afat kohor të paraparë me ligj se deri kur ka kohë t’i ngrejë aktakuzat. Mirëpo, sipas tij, parashihet që brenda një afati të arsyeshëm ky institucion të përmbyllë punën e vet. “Rregullat dhe procedurat e parashikojnë që Prokuroria e Specializuar duhet t’i përfundojë hetimet brenda një afati të arsyeshëm, mirëpo nuk janë dhënë afate të përpikta se brenda cilave afate Prokuroria duhet t’i përmbyllë hetimet. Kështu që duke marrë parasysh këtë rrethanë besoj se ata duhet të jenë më efikas dhe rrjedhimisht nëse nuk gjejnë prova t’i mbyllin hetimet, në mënyrë që personat e dyshuar të kenë siguri juridike dhe të dinë nëse do të vazhdohet procedura ndaj tyre ose do të pushohen hetimet”, është shprehur Qerkini. /ZERI