Shpërfillja e ndërkombëtarëve nga LVV-ja dhe LDK-ja

Shpërfillja e ndërkombëtarëve nga LVV-ja dhe LDK-ja

Aktuale January 15, 2020 - 08:16
Image

Derisa Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës po vazhdojnë ta zvarrisin procesin e negociatave për arritjen e marrëveshjes, presioni ndërkombëtar për bërjen sa më të shpejtë të qeverisë po rritet. Ani pse kërkesat për një gjë të tillë kanë nisur qysh pas përfundimit të zgjedhjeve të 6 tetorit dhe janë duke vazhduar ende, LVV-ja dhe LDK-ja akoma nuk i kanë dhënë epilog kësaj çështjeje, shkruan sot gazeta "Zëri".

Ndonëse kanë kaluar më shumë se tre muaj prejse janë mbajtur zgjedhjet e parakohshme parlamentare, LVV-ja dhe LDK-ja ende nuk kanë arritur një marrëveshje finale për bashkëqeverisje. Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të bashkësisë ndërkombëtare që qeveria e re të formohet sa më parë, palët negociuese akoma nuk kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për ta finalizuar këtë çështje. Sidoqoftë, kërkesat e ndërkombëtarëve për formim të qeverisë së ardhshme edhe gjatë kësaj jave u adresuan në drejtim të partive dialoguese. Ata kërkuan nguti në këtë drejtim, rrjedhimisht bërje sa më të shpejtë të qeverisë së re. Duke u nisur nga kjo zvarritje gjatë muajit të kaluar në Kosovë erdhën edhe dy deputetë të Bundestagut gjerman për të kërkuar pikërisht formim sa më të shpejtë të institucioneve. Një gjë të tillë në vazhdimësi e ka kërkuar edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett, ai i Ambasadës Gjermane në Prishtinë Christian Heldt, diplomati britanik në Kosovë Nicholas Abbott, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë. Por asnjëra prej këtyre thirrjeve për arritje të marrëveshjes dhe bërje të qeverisë deri më tash nuk janë përfillur nga LVV-ja dhe nga LDK-ja.

Kërkohet nguti për bërjen e qeverisë

Lidhur me zvarritjen e formimit të institucioneve gjatë ditës së djeshme ka folur edhe ish-ambasadori i OSBE-së William Walker, i cili ka thënë se palët duhet të nxitojnë që ta bëjnë qeverinë. “Këshilla ime e vetme është ngutuni dhe bëjeni atë. Kanë kaluar 100 ditë nga zgjedhjet, kam menduar se negocimi dhe ndarja e pozitave kanë qenë diçka që e ka bërë sistemi i vjetër. Kam menduar se ky është një sistem i ri, udhëheqje e re. Kështu që le të formohet qeveria”, ka deklaruar ish-ambasadori.

Lidhur me të njëjtën çështje ka reaguar edhe deputeti gjerman i CDU-së, Nikolas Löbel, i cili ka konsideruar se tashmë ka ardhur koha që bisedimet për formimin e qeverisë të marrin fund. “Është koha që të përfundojnë negociatat për formimin e qeverisë në Kosovë. Vullneti i njerëzve për ndryshime dhe demokracia e shprehur më 6 tetor të vitit të kaluar duhet të përkthehet në një qeverisje efektive e demokratike dhe sundim të ligjit për të siguruar ta ardhmen dhe jetën e prosperuar të BE-së për qytetarët e Kosovës”, është shprehur deputeti i partisë së kancelares gjermane Angela Merkel.

Ndërkohë formim sa më të shpejtë të qeverisë një ditë para tyre ka kërkuar edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett. Kështu ka njoftuar LDK-ja, pas një takimi që lideri i këtij subjekti pati me diplomatin amerikan në Kosovë. “Kryetari Mustafa e njoftoi ambasadorin Kosnett për rrjedhën e bisedimeve të deritanishme me Lëvizjen Vetëvendosje për arritjen e marrëveshjes për bashkëqeverisje. Ambasadori Kosnett ftoi udhëheqësit politikë ta formojnë qeverinë e re, e cila sa më parë do të përmbushë mandatin e votuesve”, u tha në njoftimin e LDK-së.

Presioni, i vazhdueshëm nga ndërkombëtarët për formimin e qeverisë

Meqë LVV-ja dhe LDK-ja nuk po arrinin dot të gjenin një gjuhë të përbashkët për arritjen e marrëveshjes, gjatë muajit të kaluar në Kosovë erdhën dy anëtarë të Bundestagut gjerman, Christian Schmidt dhe Peter Beyer, të cilët zhvilluan takim me liderin e LVV-së Albin Kurtin dhe kreun e LDK-së Isa Mustafën. Deputetët e Bundestagut gjerman kërkuan nga negociatorët që të veprojnë në krijimin sa më të shpejtë të qeverisë së ardhshme. Gjatë deklaratës së tij Peter Beyer, anëtar i CDU-së, tha se palët duhet ta përfundojnë marrëveshjen për bashkëqeverisje. “Nëse është ky vullnet politik mes dy partive për ta formuar qeverinë për të mirën e qytetarëve të Kosovës, atëherë nuk duhet të ngecin në detaje teknike, por duhet t’i besojnë njëra-tjetrës. Thirreni njëra-tjetrën, caktojeni një datë të bisedimeve dhe përfundojeni marrëveshjen e koalicionit”, qe shprehur Beyeri.

Lidhur me mosformimin e institucioneve të reja, në po të njëjtën ditë me Beyer dhe Schmidt pati reaguar edhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, e cila pati kërkuar bërje sa më të shpejtë të qeverisë. Pas kësaj deklarate pati reaguar edhe Ambasada e SHBA-së në Prishtinë. “Ne pajtohemi me BE-në: njerëzit e Kosovës me padurim presin një qeveri, e cila do të sjellë ndryshime pozitive”, thuhej në reagimin e Ambasadës në fjalë, të lëshuar pak pas komunikatës së Zyrës së BE-së. Ngjashëm pati vepruar edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Prishtinë, e cila po ashtu tha se mbështet deklaratën e Zyrës së BE-së.

Formim sa më të shpejtë të qeverisë disa herë radhazi kërkoi edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.

Më shumë se tre muaj thirrje për formim të institucioneve

Thirrjet ndërkombëtare për formim të institucioneve nisën menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve dhe ende janë duke vazhduar. Dy ditë pas zgjedhjeve të 6 tetorit pati reaguar ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, i cili pati thënë se Kosova tashmë pret krijimin e një qeverie të re, e cila do t’ia dalë që të merret me temat e rëndësishme me të cilat përballet vendi. “Kosova ka votuar për ndryshim dhe tash pret formimin e një qeverie të re e të qëndrueshme, që do të mundë të merret me çështjet e rëndësishme me të cilat është duke u ballafaquar vendi. Unë mezi pres bashkëpunimin me qeverinë e re”, qe shprehur ambasadori i Britanisë së Madhe.

Edhe diplomati gjerman në Kosovë Christian Heldt pati thënë se mezi pret formimin sa më të shpejtë të qeverisë. Në po të njëjtën ditë - më 8 tetor, dy ditë pas përfundimit të zgjedhjeve, ambasadori i SHBA-së në Kosovë Philip Kosnett pati takuar ndaras dy liderët e dy partive më të mëdha të dala nga zgjedhjet, kreun e LVV-së Albin Kurtin dhe kryetarin e LDK-së Isa Mustafën. Si rrjedhojë po atë javë, më 10 tetor, qe mbajtur takimi i parë mes liderëve të këtyre partive. Por as tash kur kanë kaluar më shumë se tre muaj nga nisja e negociatave palët nuk kanë arritur të bien në ujdi për marrëveshjen përfundimtare për bashkëqeverisje./ZËRI