Ambasada Gjermane lëshon 13 mijë viza pune për një vit

Ambasada Gjermane lëshon 13 mijë viza pune për një vit

Aktuale January 14, 2020 - 10:44

Ligji i ri i miratuar në Gjermani rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar, që do të hyjë në fuqi në mars të këtij viti, ka ringjallur shpresë për shtetasit nga Kosova, të cilët synojnë punësimin në këtë shtet të BE-së. Ky ligj ua mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (shtete të treta) të emigrojnë lehtësisht në drejtim të Gjermanisë, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Ligji i ri për punësim në Gjermani zgjon shpresat e kosovarëve

Në anën tjetër, vetëm në vitin 2018 Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar nga rreth 13 mijë viza pune për shtetasit kosovarë. Ndonëse në përgjigjen zyrtare të kësaj Ambasade të dhënë “Zërit” thuhet se ende nuk ka të dhëna përkatëse rreth kërkesave për viza për vitin 2019, për vitin 2018 ishin lëshuar rreth 13 mijë viza pune.

Zyrtarë të Ambasadës Gjermane muaj më parë i kanë thënë gazetës “Zëri” se gjatë vitit 2018 i kanë lëshuar gjithsej 38 mijë viza, prej të cilave 13 mijë për të studiuar ose për të punuar në Gjermani. “Gjatë vitit 2018 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar rreth 38.000 viza. Prej tyre rreth 25.000 viza për qëndrim afatshkurtër (të ashtuquajturat viza Schengen për turizëm, udhëtime afariste etj.), ndërsa rreth 13.000 viza për qëndrim afatgjatë (bashkim familjar, punë, studime etj.)”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade për “Zërin”.
Trendi i pajisjes me viza gjermane për kosovarët edhe për vitin 2019 duket të jetë i njëjtë me vitin e kaluar. “Sipas zhvillimeve aktuale, duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake. Ambasada Gjermane në Prishtinë gjatë viteve të fundit ka ngritur ndjeshëm kapacitetet për shqyrtimin e kërkesave për viza. Megjithatë, numri i kërkesave edhe më tutje tejkalon kapacitetet e Ambasadës. Për këtë arsye pritjet janë të pashmangshme”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Ambasadës. /ZERI