Stomatologët, mjekët e përgjithshëm e specialistët janë të papunë

Stomatologët, mjekët e përgjithshëm e specialistët janë të papunë

Aktuale January 14, 2020 - 09:12

Shumë mjekë edhe gjatë këtij viti vazhdojnë të jenë të papunë në Kosovë, pavarësisht nevojave që kanë institucionet publike shëndetësore për ta. Mospunësimi i këtyre mjekëve thuhet të jetë për shkak të keqmenaxhimit e për shkak të sistemit shëndetësor të dështuar në vend, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Mbi 650 mjekë të papunë në Kosovë, QKUK-ja e spitalet s’i punësojnë ata

Çështjen e mjekëve të papunë në vend disa herë e kanë ngritur edhe nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës.

Kryetari i kësaj federate, Blerim Syla, ka thënë për “Zërin” se sistemi i dështuar i shëndetësisë në vend është arsyeja se pse mjekëve nuk po u ofrohen vende të punës e as specializime.

Sipas tij, përgjithësisht numri më i madh i të papunëve janë stomatologë e mjekë të përgjithshëm. “Arsyeja është sistemi i dështuar i shëndetësisë, sepse për fat të keq mjekëve të rinj nuk u ofrojnë as specializime e as vende të punës. Ata nuk kanë bërë problem për paga, por thjesht ata nuk kanë një vend të punës. Atyre duhet t’u gjejnë vend të punës, të paguhen si praktikantë e pastaj të merren me specializime dhe me edukime të vazhdueshme”.

Syla ka thënë më tutje se në Kosovë edhe një numër i madh i mjekëve të cilët kanë kryer specializimin janë të papunë. /ZERI