Ligji i ri për punësim në Gjermani zgjon shpresat e kosovarëve
Ligji i ri i miratuar në Gjermani rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar, që do të hyjë në fuqi në mars të këtij viti, ka ringjallur shpresë për shtetasit nga Kosova, të cilët synojnë punësimin në këtë shtet të BE-së. Ky ligj ua mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (shtete të treta) të emigrojnë lehtësisht në drejtim të Gjermanisë, shkruan sot gazeta Zëri.
A.Sh., 25-vjeçare, juriste e diplomuar në Fakultetin e Juridikut në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit, së bashku me të fejuarin e saj, po ashtu jurist, janë në pritje të implementimit të ligjit të Gjermanisë rreth imigrimit të fuqisë punëtore të kualifikuar për të aplikuar për punë në këtë shtet. A.Sh. ka rrëfyer për gazetën “Zëri” se ajo dhe i fejuari i saj po planifikojnë të nisin një jetë të re në shtetin gjerman. “Unë me të fejuarin tim kemi aplikuar për termin për vizë pune në Gjermani qe 10 muaj, mirëpo ende nuk kemi marrë përgjigje nga Ambasada. Ne po planifikojmë që në një të ardhme të afërt të shkojmë e ta fillojmë një jetë të re atje. Kushtet ekonomike në vend dhe pamundësia për të gjetur një punë të dinjitetshme, ku edhe pagat janë më të larta e po ashtu edhe kushtet e punës më të mira, na kanë shtyrë të interesohemi për shtetet tjera”, ka thënë ajo për gazetën “Zëri”. Ndonëse shprehet pesimiste se profesionin e saj si juriste do të mundë ta ushtrojë edhe në Gjermani, A.Sh. i ka thënë gazetës se ajo dhe i fejuari i saj janë të gatshëm ta lënë pas shkollimin disavjeçar në Kosovë për një punë jashtë profesionit të tyre, e cila paguhet më shumë. “Besoj që ligji i ri, të cilin e ka miratuar Gjermania, do të na hapë edhe më shumë rrugët për në këtë shtet. Do të kishim dëshirë që profesionin tonë si juristë ta vazhdojmë në këtë shtet, por që nuk do të prishte punë edhe nëse do të bënim punë të tjera fillimisht”, është shprehur 23-vjeçarja.
Personat që mund të kërkojnë punë në Gjermani, sipas Ambasadës Gjermane
Zyra për informim e Ambasadës Gjermane në një përgjigje të dhënë për “Zërin” ka njoftuar se tashmë i ka bërë të ditura kushtet dhe specifikat që duhet t’i plotësojnë qytetarët kosovarë, të cilët synojnë të punësohen në këtë shtet pas marsit të këtij viti. Sipas kësaj Ambasade, Ligji rreth Imigrimit të Fuqisë Punëtore të Kualifikuar, që pritet të hyjë në fuqi në mars, ua mundëson punonjësve të kualifikuar në arsim profesional nga shtete jashtë Bashkimit Evropian (shtete të treta) të emigrojnë më lehtë në të ardhmen në drejtim të Gjermanisë. Edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji përcaktimet ligjore ekzistuese për punonjës të kualifikuar me diplomë të shkollës së lartë/universitare do vazhdojnë të mbeten të vlefshme. Sipas Ambasadës Gjermane në Prishtinë, për hyrjen në Gjermani me qëllim nisjen e një marrëdhënieje punësimi ose kërkimin e një vendi pune do të vazhdojë të jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën qytetarët duhet të aplikojnë pranë Ambasadës Gjermane.
Fuqi punëtore e kualifikuar sipas ligjit të ri konsiderohen individët e diplomuar në universitete, si dhe personat me një kualifikim profesional, që njihet në Gjermani. “Si fuqi punëtore e kualifikuar konsiderohen të diplomuarit në universitete, si dhe personat me një kualifikim në arsimin profesional, që njihet në Gjermani. Punësimi është i mundur vetëm në atë profesion për të cilin keni marrë më parë kualifikimin përkatës. Një diplomë profesionale konsiderohet zakonisht si e kualifikuar dhe njihet nëse në Gjermani ajo do të merrej pas një periudhe dy-trevjeçare të arsimit profesional”, thuhet më tej në sqarimin e Ambasadës.
Kurse për punëkërkuesit me kualifikim të pamjaftueshëm ose për kualifikim profesional që nuk njihet në Gjermani vlejnë edhe më tej rregullat e deritanishme. Më tutje Ambasada sqaron se fillimisht duhet të njihet kualifikimi dhe më pastaj të parashtrohet kërkesa për vizë. “Punëkërkuesit e kualifikuar duhet të fillojnë këtë procedurë me kohë dhe këtë mund ta bëjnë edhe para hyrjes në fuqi të rregullave të reja, në mars të vitit 2020. “Sapo të merrni njoftimin zyrtar për njohjen e kualifikimit dhe keni një ofertë konkrete për një vend pune në Gjermani mund të aplikoni si fuqi punëtore e kualifikuar për vizë, në mënyrë që të vini në Gjermani dhe të ushtroni veprimtarinë profesionale për të cilën jeni kualifikuar”, thuhet më tutje aty.
Terminët në Ambasadë mund të caktohen vetëm në qoftë se individi posedon njohjen e diplomës mbi kualifikimin profesional, gjegjësisht të diplomës universitare.
Ambasada Gjermane lëshon 13 mijë viza pune për një vit
Në anën tjetër, vetëm në vitin 2018 Ambasada Gjermane në Prishtinë i ka lëshuar nga rreth 13 mijë viza pune për shtetasit kosovarë. Ndonëse në përgjigjen zyrtare të kësaj Ambasade të dhënë “Zërit” thuhet se ende nuk ka të dhëna përkatëse rreth kërkesave për viza për vitin 2019, për vitin 2018 ishin lëshuar rreth 13 mijë viza pune.
Zyrtarë të Ambasadës Gjermane muaj më parë i kanë thënë gazetës “Zëri” se gjatë vitit 2018 i kanë lëshuar gjithsej 38 mijë viza, prej të cilave 13 mijë për të studiuar ose për të punuar në Gjermani. “Gjatë vitit 2018 Ambasada Gjermane në Prishtinë ka lëshuar rreth 38.000 viza. Prej tyre rreth 25.000 viza për qëndrim afatshkurtër (të ashtuquajturat viza Schengen për turizëm, udhëtime afariste etj.), ndërsa rreth 13.000 viza për qëndrim afatgjatë (bashkim familjar, punë, studime etj.)”, thuhet në përgjigjen e kësaj Ambasade për “Zërin”.
Trendi i pajisjes me viza gjermane për kosovarët edhe për vitin 2019 duket të jetë i njëjtë me vitin e kaluar. “Sipas zhvillimeve aktuale, duket se shifrat për vitin 2019 do të jenë të përafërta me nivelin e periudhave referuese të viteve paraprake. Ambasada Gjermane në Prishtinë gjatë viteve të fundit ka ngritur ndjeshëm kapacitetet për shqyrtimin e kërkesave për viza. Megjithatë, numri i kërkesave edhe më tutje tejkalon kapacitetet e Ambasadës. Për këtë arsye pritjet janë të pashmangshme”, thuhet mes të tjerash në përgjigjen e Ambasadës.
Mbi 200 mijë kosovarë kërkuan azil në BE për 10 vjet
Vala më e madhe e ikjes nga Kosova ka qenë gjatë periudhës 2013-2015, ku mbi 100 mijë kosovarë kanë ikur ilegalisht nga vendi. Në anën tjetër, sipas të dhënave të EUROSTAT-it, për një dekadë mbi 200 mijë kosovarë kërkuan azil në BE. Në periudhën 2008-2018 gjithsej 203 mijë e 330 qytetarë të Kosovës kanë ikur nga Kosova dhe kanë bërë kërkesë për azil në Bashkimin Evropian (BE). Gjatë kësaj kohe po ashtu 141.330 qytetarë të Kosovës u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE. Sidoqoftë, që nga viti 2016 Kosova ka shënuar një rënie të konsiderueshme si në numrin e kërkesave për azil, ashtu edhe në numrin e shtetasve të Kosovës, që u gjetën ilegalisht të pranishëm në BE.
Arsyet e ikjes së kosovarëve dhe rreziku i përsëritjes së ikjes masive të vitit 2013
Bekim Baliqi, profesor i së drejtës ndërkombëtare, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se trendi i ikjes nga Kosova i fuqisë punëtore të kualifikuar është shqetësues. Ikja e tillë e fuqisë punëtore, sipas Baliqit, shkakton hendek të madh në tregun kosovar të punës. “Ky fakt është shqetësues, sepse fuqia punëtore, sidomos ajo e kualifikuar, është e vështirë të krijohet dhe një ikje e tillë lë hendek të madh në tregun e punës, por edhe në kryerjen e shërbimeve të ndryshme publike dhe të kërkesave që ka një shtet. Në këtë rast sidomos personeli mjekësor do të lërë pasoja të mëdha në sistemin e shëndetësisë, pastaj edhe disa profesione, që janë të kërkuara në sektorin e teknologjisë informative. Do të kishin qenë një aset i madh për Kosovën sikur ato të kishin operuar në Kosovë”.
Kësisoj, sipas tij, shkaqet kryesore pse të rinjtë kosovarë po ikin kanë të bëjnë me kushtet e rënda ekonomike, por edhe zhgënjimi i tyre nga funksionimi jo i rregullt i institucioneve vendore. “Për fat të keq ne kemi parë një trend të tillë të migrimit jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon, edhe tek ato vende që janë pjesë e BE-së tashmë, si në Kroaci, në Bullgari ose në Romani. Pra ky është tashmë një trend global, por për fat të keq vendet e vogla dhe vendet që kanë nevojë për një stabilizim më të madh institucional, siç është Kosova, kanë pasoja më të mëdha për shkak se supozojmë një mjekut i duhen diku 20 vjet studim i mirëfilltë dhe pastaj ai i gatshëm absorbohet nga një shtet tjetër”.
Sipas Baliqit, trendi i ikjes së të rinjve kosovarë ka efekt demotivues te gjeneratat e reja, që do ta shohin shkollimin në Kosovë dhe punësimin në një shtet tjetër si një rrugëtim të zakonshëm. Rrjedhimisht, sipas tij, ikja e të rinjve do të vazhdojë nëse institucionet kosovare nuk krijojnë politika shtetërore që i stimulojnë dhe i nxisin të rinjtë kosovarë të kontribuojnë në vendin e tyre. /ZERI