Marrëveshja LVV - LDK sa afër, aq edhe larg
Foto: Laura Hasani

Marrëveshja LVV - LDK sa afër, aq edhe larg

Aktuale January 11, 2020 - 07:50
detajet
Image

Oferta e fundit për bashkëqeverisje e LDK-së e ka përfshirë në negociata sërish edhe postin e kryeparlamentarit, i cili për Vetëvendosjen tash pas konstituimit të Kuvendit është i panegociueshëm. Sipas analistëve, një ofertë e tillë nga LDK-ja mund ta zvarrisë ose edhe ta pamundësojë arritjen e marrëveshjes bashkëqeverisëse. Kësisoj ata theksojnë se nëse nuk arrijnë dakordim LVV-ja e LDK-ja duhet të lëshojnë rrugë për zgjedhje të reja, shkruan sot gazeta Zëri.

Marrëveshja bashkëqeverisëse mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është stërzgjatur. Ndryshe prej deklaratave të liderëve të të dyja partive se qeveria do të formohet shpejt pas zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV-së e LDK-së nuk i mjaftuan as 3 muaj kohë. Për shkak të mungesës së transparencës as pas këtyre muajve asgjë nuk është e qartë se në cilën fazë qëndron dakordimi për koalicionin qeverisës. 

. Pas takimit të së enjtes Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për medie bëri të ditur se ia ka paraqitur Vetëvendosjes një ofertë për bashkëqeverisje, ndonëse nuk e ka bërë publike. Sipas medieve, në ofertën e LDK-së është futur përsëri pozita e kryeparlamentarit, e cila tashmë pas konstituimit të Kuvendit për Vetëvendosjen po konsiderohet çështje e kryer. Sipas deputetëve të Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, kërkesa për pozitën e kryeparlamentarit nga LDK-ja është arsye për ta zvarritur dhe për ta pamundësuar koalicionin qeverisës.

Ndërsa sipas analistëve, nëse partitë nuk duan ose nuk merren vesh që të udhëheqin bashkë, duhet të tërhiqen dhe të lëshojnë rrugë për zgjedhje të reja. “Nëse LDK-ja nuk është e gatshme për pushtet, respektivisht nuk merret vesh me LVV-në për ndarjen e posteve, atëherë është më e ndershme të tërhiqet, të deklarojë se do të qëndrojë në opozitë. Ashtu siç është e ndershme dhe e domosdoshme që LVV-ja, pa e zvarritur më tej procesin, të tregojë se nuk është e gatshme, nuk po mundet të arrijë marrëveshje me LDK-në për të bashkëqeverisur”, ka thënë analisti politik Imer Mushkolaj.

Vetëvendosja: Duhet durim për marrëveshje të sigurt me LDK-në

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka theksuar se sado që është e nevojshme që qeveria të krijohet sa më parë, më e nevojshme është që të kihet durim, sepse vendimet e tanishme mund të ndikojnë në rrugën e qeverisë së re në të ardhmen. Kësisoj Nagavci ka theksuar se për t’i shmangur pengesat e së ardhmes marrëveshja LVV - LDK edhe mund të marrë kohë. “Në momentet e rëndësishme, pavarësisht tensionit e presionit e madje pikërisht për këtë vendimet duhet të jenë të matura mirë, të kujdesshme e të drejta. Dëshira për zgjidhje të shpejta e për arritje të marrëveshjes, sado e kuptueshme, nuk mund të jetë arsyeja për të humbur durimin. Rruga përpara është e gjatë, ka momente zhgënjimi e frike, por vendimet e drejta na sigurojnë që shpresa për zhvillim, angazhimi për drejtësi e kohët e bukura të jenë më të afërta e të zgjasin më shumë”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa deputeti tjetër i LVV-së, Mefail Bajqinovci, ka theksuar se Vetëvendosja është duke punuar shumë që marrëveshja të arrihet, madje i ka bërë thirrje LDK-së që sa më parë ta nisin bashkëqeverisjen. “Jemi pajtuar për programin, duhet të pajtohemi edhe për parimet udhëheqëse dhe në pushtet të mos shkojmë për vete, por për njerëzit. Ejani të qeverisim bashkë, jo siç them unë ose siç thua ti, por siç thotë projekti për ndryshim e për transformim të thellë në qeverisjen e vendit, për çka edhe jemi votuar”, ka shkruar ndër të tjera Bajqinovci.

LDK-ja kërkon të negociojë për postin e kryeparlamentarit

Nga Lidhja Demokratike e Kosovës është konfirmuar se pozita e kryeparlamentarit vazhdon të jetë pikë ndarëse mes të dyja partive.

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, është shprehur se pas zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit është imponuar një situatë e re, e cila kërkon durim që bisedimet të shtirren deri në atë fazë, sa të dyja palët ta arrijnë një marrëveshje, shkruan gazeta Zëri.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe nënkryetari tjetër i kësaj partie Agim Veliu, teksa ka theksuar se LVV-së, si parti fituese e zgjedhjeve, i takon të gjejë zgjidhjen për formimin sa më të shpejtë të qeverisë. Por ai shtoi se LDK-ja ka parimet e saj dhe pret një qeveri të barabartë me partinë e Kurtit. “LDK-ja i ka humbur zgjedhjet, nuk është parti e parë, jemi të detyruar t’i presim hapat e LVV-së, që është përgjegjëse për krijim të institucioneve. Jemi në pritje që ata të ofrojnë një zgjidhje mbi situatën, e cila është krijuar. Ne kemi parimet tona, dëshirojmë një qeveri të barabartë dhe të balancuar”, ka deklaruar ai.

Kërkesa e postit të kryeparlamentarit nga LDK-ja, arsye për të mos bërë koalicion

Kryetarja e Alternativës, njëherësh deputete e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari, ka theksuar se procesin e negociatave mes LVV-së e LDK-së e kanë përcjellë kërkesa të shumta të kësaj të fundit. Meqë tashmë është zgjedhur kryetari i Kuvendit Kusari thekson se rifutja e kësaj pozite në bisedimet për bërjen e qeverisë do të ishte tendencë e LDK-së që të krijojnë arsye për të mos e bërë qeverinë me Vetëvendosjen. “Nuk kemi informata të konfirmuara, por nëse flasim për kthimin në pikën zero të postit të kryeparlamentarit, atëherë me të vërtetë fitohet bindja se mundohen të gjenden arsye për mos të ndodhur një koalicion i përbashkët mes LDK-së dhe LVV-së”.

Sipas saj, zgjedhja e Glauk Konjufcës kryetar Kuvendi ka qenë urgjencë dhe jo lojë e Vetëvendosjes. Ajo thotë se Albin Kurti ia ka ofruar këtë post LDK-së deri më datën 24 dhjetor, kur edhe u mbajt seanca konstituive dhe tashmë Kusari konsideron se kjo pozitë duhet të jetë çështje e mbyllur. “Unë besoj se mund të quhet trajtim i domosdoshmërisë ose i urgjencës për krijim të institucioneve dhe jo lojë, për shkak se Albin Kurti ka qenë i qartë kur ia ka ofruar LDK-së kërkesat, janë diskutuar afatet dhe nëse nuk gaboj ka qenë 24 dhjetori, pastaj LDK-ja nuk ka kthyer përgjigje pozitive dhe është vendosur të votohet kryeparlamentari”, ka shtuar ajo.

Thaçi Kurtit: Merreni ose lëreni postin e kryeministrit

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kërkuar nga lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, që ta njoftojë atë nëse partia e tij do ta dorëzojë emrin e mandatarit për kryeministër te presidenti ose nëse do të refuzojë ta bëjë një gjë të tillë, në mënyrë që të vazhdohet me mandatimin e dikujt tjetër. “Si president i Republikës së Kosovës jam i obliguar që të ndërmarr veprime pa vonesa të mëtejme, duke ndjekur të gjithë hapat kushtetues, që qytetarët e Republikës së Kosovës ta kenë sa më shpejt qeverinë e tyre. Duke marrë parasysh parimet demokratike, transparencën dhe korrektësinë politike, ua kam dhënë mundësinë dhe kam kërkuar në vazhdimësi ta propozoni kandidatin/en për kryeministër”, i ka shkruar Thaçi Kurtit.

Duke theksuar se presidenti e ka parasysh edhe Pikën 87 të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në rastin nr. K0103/14, e cila vëren se “nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”, thuhet në letrën e Thaçit të dërguar Kurtit.

Ditë më parë Thaçi i kishte dhënë ultimatum prej 48 orësh Albin Kurtit që ta propozojë emrin e kryeministrit të ri, por ai afat nuk ishte respektuar nga Kurti./Zëri.

Haki Abazi, i propozuari i Vetëvendosjes për zëvendëskryeministër, ka thënë se presidenti Thaçi nuk ka të drejtë të bëjë presione të tilla ndaj partisë së tij, sepse Kushtetuta e përcakton si vihet deri te krijimi i qeverisë. “Kushtetuta e përcakton qartë, legjislacioni i saj. Ne kemi Kushtetutë, jemi shtet parlamentar dhe jo presidencial. Kushtetuta e përcakton formën e realizimit të votës qytetare në qeverisje”, ka thënë Abazi.