Përafrohen qëndrimet LVV - LDK, marrëveshja në horizont
Foto: Laura Hasani

Përafrohen qëndrimet LVV - LDK, marrëveshja në horizont

Aktuale January 09, 2020 - 07:45
Detaje
Image

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë arritur t’i japin kahe marrëveshjes së tyre bashkëqeverisëse, por jo edhe ta lidhin atë. Në takimin e djeshëm, që mbajtën Kurti e Mustafa, theksuan se kanë arritur të lëvizin e t’i përafrojnë qëndrimet sa i përket arritjes së marrëveshjes, për të cilën e caktuan edhe një takim për sot, shkruan gazeta Zëri.

Koalicioni qeverisës në mes të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është afër për t’u lidhur. Kështu së paku kanë deklaruar krerët e të dyja partive, të cilët theksojnë se në takimin e gjatë të djeshëm ka pasur përafrim të qëndrimeve në kuadër të arritjes së marrëveshjes bashkëqeverisëse.

Kreu i LVV-së Albin Kurti para takimit me liderin e LDK-së Isa Mustafën ka folur shkurtimisht para medieve, ku deklaroi se marrëveshja për koalicion është shumë afër. “Shpresoj që tash pasi kanë rifilluar bisedimet edhe do të shkojmë me shpejtësi drejt arritjes së marrëveshjes, që edhe ashtu është shumë afër”, tha lideri i Vetëvendosjes. 

Deklarata pothuajse të njëjta u dhanë edhe nga LDK-ja pas përfundimit të takimit, ndonëse krerë të kësaj partie nuk e përjashtojnë mundësinë që qeveria e re të bëhet edhe pa Vetëvendosjen. Gjatë ditës së djeshme partia e Kurtit mblodhi Kryesinë e saj, që përveç negociatave me LDK-në të diskutojnë edhe për propozimin e mandatarit për qeverinë e re, për të cilin presidenti Hashim Thaçi i kishte dhënë afat Kurtit që brenda 48 orëve t’ia dorëzojë emrin e të nominuarit për kryeministër. Përveçqë ky afat nuk u përfill, Vetëvendosja nuk e dha as një datë të saktë se kur do t’ia dorëzojë Thaçit emrin e kandidatit të nominuar për kryeministër.

LVV-ja e LDK-ja i përafrojnë qëndrimet, por nuk i kurorëzojnë

Edhe takimi i djeshëm mes liderëve të LVV-së e LDK-së ka zgjatur tri orë të tëra. Ndonëse pas përfundimit të tij nuk pati marrëveshje, dy subjektet politike njoftuan se ka pasur përafrime e lëvizje në qëndrime sa i përket marrëveshjes qeverisëse. Përmes një komunikate që lëshoi për medie Vetëvendosja theksoi se ka përafrim të qëndrimeve me LDK-në dhe përpjekje për koalicion do të bëjnë edhe gjatë ditës së sotme me një takim tjetër. “Në kuadër të rifillimit të bisedimeve në takimin e sotëm ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës pati përafrim. Takimi i radhës drejt marrëveshjes për koalicionin qeverisës LVV - LDK është nesër”, thuhet në deklarimin e LVV-së.

Se ka përparim në kuadër të marrëveshjes e ka theksuar edhe deputeti dhe zëdhënësi i LDK-së Besian Mustafa pas përfundimit të takimit. Ai tha se ka pasur disa lëvizje sa i përket marrëveshjes, por pa i specifikuar ato. “Kemi disa lëvizje në përpjekje për marrëveshje, por do të kemi edhe një takim të radhës nesër”, ka thënë shkurt Mustafa.

Për Kryesinë e LDK-së qeveria mund të krijohet edhe pa Vetëvendosjen

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, i është drejtuar me një gjuhë tjetër partisë me të cilën po synojnë ta lidhin koalicionin qeverisës. Rugova tha se dhe pse subjekti tij politik ka dalë i dyti qeveria e re mund të bëhet edhe pa fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai theksoi se nëse nuk ka marrëveshje me LVV-në, ka variante tjera B e C, që mund ta bëjnë qeverinë edhe pa të. “Kërkesat janë të njohura publikisht, por edhe ofertat. Se a do të arrihet marrëveshja varet nga ekipi negociator (Kryesia) në krye me Isa Mustafën. Ta shohim a do të arrihet. Besoj që duhet të arrihet. Nëse nuk arrihet marrëveshja shikojmë, se ekzistojnë variante tjera plot, ka variante B e C. Shteti nuk guxon të kollabojë, duhet të funksionojë. Mundet të bëhet qeveria edhe pa Vetëvendosjen”, ka thënë Rugova.

Opozita kritikon LVV-në e LDK-në, i quan mashtruese

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka reaguar ndaj takimeve pa marrëveshje mes Kurtit e Mustafës. Përmes një shkrimi Kadriaj i ka përmendur ofendimet që partia e saj ka marrë nga LVV-ja e LDK-ja kur pas zgjedhjeve të 2017-s ishin krijuar vonesa në krijimin e qeverisë “Haradinaj”. “Kur neve na mungonte një numër për të formuar qeverinë sulmoheshim e ofendoheshim deri në personale. Ndërsa sot, pas shumë e shumë takimeve të kota, akoma s’po munden të ndajnë kulaçin. Pra, kauzë është vetëm pushteti e assesi shteti. Mashtruesit ndryshe nuk janë”, ka thënë ajo.

Kurti s’ia përfill afatin Thaçit

Në mbledhjen që e mbajti dje Kryesia e Lëvizjes Vetëvendosje mori vendim që ta dërgojë te presidenti emrin e të nominuarit për kryeministër ditëve në vijim, por jo brenda afateve kohore që presidenti Hashim Thaçi ia kishte përcaktuar liderit të Vetëvendosjes Albin Kurtit. Këtë e bëri të ditur pas mbledhjes deputetja e kësaj partie, Arbërie Nagavci. “Në bazë të Kushtetutës, LVV-ja në ditët në vijim do t’i dërgojë shkresë formale presidentit me emrin e personit që ta mandatojë për kryeministër. Pastaj presidenti duhet ta dekretojë personin tonë dhe letrën formale ta dërgojë në Kuvend”.

Ajo foli edhe për negociatat me LDK-në, ku tha se partia e saj është duke pritur për kërkesat e LDK-së ndaj Vetëvendosjes për ta lidhur koalicionin. “Kemi filluar diskutimet me LDK-në dhe presim ta finalizojmë marrëveshjen. Presim të dimë se cilat janë kërkesat e LDK-së, Kryesia i ka dhënë mandat të plotë Grupit Punues që t’i marrë vendimet dhe t’i vazhdojë angazhimet për marrëveshje, shpresojmë se edhe LDK-ja të jetë e përkushtuar në të njëjtën mënyrë që të kemi marrëveshje sa më parë”. Më tutje ajo shtoi se Vetëvendosja është duke pritur që LDK-ja t’i propozojë 6 emrat e tjerë të kabinetit qeveritar, ashtu siç kishte bërë ditë më parë LVV-ja./ZERI