Shumë mjekë në institucionet publike shëndetësore në vend pa licenca
Fluksi i ikjes së mjekëve nga Kosova vit pas viti vlerësohet të jetë i lartë. Pagat e ulëta e mospunësimi janë arsyet kryesore që po shtyjnë mjekët ta lëshojnë vendin. Mbi 650 mjekë thuhet të jenë të papunë në vend, derisa institucionet publike shëndetësore vazhdojnë të kenë mungesë të tyre, shkruan sot gazeta Zëri.
Derisa Kosova ka nevojë për punëtorë shëndetësorë, shumë prej tyre po marrin rrugën për në shtetet tjera, kryesisht në Gjermani. Kjo për shkak se kushtet e punës e po ashtu edhe pagat që po u ofrohen atje janë shumë më të mira se në vend.
Disa herë është alarmuar se Kosova në një të ardhme të afërt do të mbetet pa punëtorë shëndetësorë.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se gjatë vitit të kaluar mbi 100 mjekë kanë kërkuar certifikatat e pastërtisë etiko-profesionale në këtë Odë. Këto certifikata zakonisht merren nga ta për të aplikuar për punë në shtetet tjera.
Përndryshe, derisa institucionet publike shëndetësore në vend kanë mungesë të personelit mjekësor, mbi 650 mjekë të profileve të ndryshme po vazhdojnë të jenë të papunë në vend.
Sejdiu ka thënë se mungesa e punësimit, kushtet e punës e po ashtu edhe pagat janë arsyet kryesore që po shtyjnë mjekët të ikin nga vendi.
Sipas tij, mjekët nuk trajtohen dinjitetshëm në vend.
Për më shumë, Sejdiu ka përmendur edhe mjekët pa licencë, të cilët punojnë në Kosovë, derisa ka thënë se nga institucionet në vend nuk është marrë asnjë hap ndaj tyre. Ai ka thënë se puna që ata bëjnë pa licencë është vepër penale.
Zëri: A ka mjekë në institucionet publike shëndetësore në vend, të cilët po punojnë pa licencë?
Sejdiu: Po, ka mjekë që janë duke punuar pa licenca të vlefshme në institucionet publike. Kjo është vepër penale, porse si duket kjo nuk u bën përshtypje menaxherëve dhe vetë mjekëve. Ne ua kemi bërë me dije me shkresa zyrtare udhëheqësve të institucioneve respektive, mjekëve, të cilët kanë këtë problem ligjor, si dhe Inspektoratit Shëndetësor të MSH-së. Sa jemi në dijeni, asnjë hap nuk është ndërmarrë nga këta të fundit.
Zëri: Po ashtu as gjatë vitit të kaluar nuk kanë munguar sulmet ndaj mjekëve. Sa mjekë janë sulmuar gjithsej në vitin 2019?
Sejdiu: Tek OMK-ja janë lajmëruar 5 raste të sulmeve fizike ndaj mjekëve, njëri prej tyre ka qenë tentim vrasjeje.
Zëri: Sa janë të sigurt mjekët në vendet e tyre të punës, duke u bazuar në këto raste të sulmeve dhe sa po punojnë institucionet në mbrojtjen e tyre?
Sejdiu: Ekziston një shpërfillje e menaxherëve në këtë aspekt, sepse të gjitha këto sulme kanë ndodhur brenda këtyre institucioneve dhe nuk kemi vërejtur ndonjë hap të ndërmarrë nga këta të fundit. //ZERI