Në Bajgorë prodhohen 105 megavate rrymë nga era, në Qyqavicë 100 megavate
Foto: Laura Hasani

Në Bajgorë prodhohen 105 megavate rrymë nga era, në Qyqavicë 100 megavate

Aktuale January 04, 2020 - 08:10
Detaje
Image

Derisa për infrastrukturën rrugore dhe publike në Bajgorë “SOWI Kosova”, e cila është duke realizuar tri projekte të parqeve energjetike, do të investojë qindra miliona euro, për ndërtimin e infrastrukturës rrugore në Qyqavicë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka dhënë 300 mijë euro, ndërsa marrin pjesë edhe dy komunat e Drenicës, Skenderaj e Drenasi, me nga 20 mijë euro, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Vendimi i Kushtetueses mbi nënshkrimet e mësimdhënësve

Edhe qindra miliona euro të tjera do t’i investojë partneri i parë strategjik i Kosovës “SOWI Kosova” në Bajgorë të Mitrovicës për të mundësuar zbatimin e projekteve energjetike nga era, që janë duke u realizuar në këtë fshat të Mitrovicës. Pak para ndërrimit të motmoteve i pari i Mitrovicës Agim Bahtiri ka nënshkruar marrëveshje të re bashkëpunimi me investitorin e parë strategjik të Kosovës, ndërmarrjen “SOWI Kosova”, që është duke zhvilluar tri projekte, parqet e prodhimit të energjisë elektrike nga era në rajonin e Bajgorës së Mitrovicës. 

Projekti, me shumë të mira në rajonin e Bajgorës

Sipas të parit të Mitrovicës Agim Bahtirit, marrëveshja ka për qëllim realizmin e investimeve të kompanisë “SOWI Kosova” në infrastrukturën rrugore dhe publike në rajonin e Bajgorës, me qëllim të krijimit të kushteve për implementimin e projekteve të prodhimit të energjisë nga era me kapacitet prej 105 megavatesh.

Për më shumë, pas përfundimit të investimeve infrastruktura e re e krijuar do të jetë edhe në shërbim të banorëve të rajonit të Bajgorës, të nevojave të projektit, si dhe të zhvillimit ekonomik të rajonit në përgjithësi. “Shumë shpejt, në kuadër të projektit tonë, qytetarët në rajonin e Bajgorës do të kenë rrugë dhe infrastrukturë moderne në shfrytëzim. Ky është vetëm një nga përfitimet direkte të komunitetit në kuadër të projektit tonë. Me këtë rast dëshirojmë të falënderojmë kryetarin Agim Bahtiri për bashkëpunimin e mirëfilltë dhe për mbështetjen e vazhdueshme të projektit që nga fillimi i implementimit të tij”, tha z. Ilir Grapci, partner lokal në kompaninë “SOWI Kosova”, pas nënshkrimit të marrëveshjes së bashkëpunimit. Kompania “SOWI Kosova” do të realizojë investimin më të madh të pasluftës në Kosovë, duke ndërtuar projektet e prodhimit të energjisë elektrike nga era në rajonin e Bajgorës.

Tri projektet me kapacitet të përgjithshëm të instaluar të prodhimit të energjisë elektrike prej 105 megavatesh do të përfundojnë së ndërtuari në vitin 2021, prej kur edhe do të fillojë prodhimi i energjisë elektrike nga era dhe shpërndarja e energjisë së prodhuar në rrjetin kombëtar energjetik të Kosovës. Në kuadër të projektit “SOWI Kosova” do të investojë rreth 170 milionë euro në Kosovë, shumë kjo e mbuluar përmes kredive nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), institucion multinacional financiar në pronësi të 69 kombeve, “Erste Group”, bankë udhëheqëse nga Austria dhe “NLB Group”, banka sllovene me prezencë të fuqishme në Kosovë.

Në Qyqavicë vendosen 17 turbina

Kreditë e larta për projektin, në vlerë prej 120 milionë eurosh, mbulojnë vetëm 70 për qind të financimit të nevojshëm për projekt, derisa 30 për qind e shpenzimeve janë siguruar nga vetë kompanitë dhe pronarët e projektit, në mesin e të cilëve janë Ilir Grapci nga Kosova, Christian Hammeke nga Gjermania dhe kompania “Enlight” nga Izraeli.

Përveç gjenerimit të energjisë elektrike pa ndikuar në mjedis, projektet e “SOWI Kosova” përkrahin Republikën e Kosovës në arritjen e caqeve të prodhimit të energjisë elektrike nga burime të ripërtërishme, obligime që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian dhe që janë në pajtim me traktatet dhe me praktikat globale për burime të energjisë elektrike.

Projekti parasheh vendosjen e 27 turbinave të prodhuesit “General Electric” me kapacitet të përgjithshëm të instaluar prej 105 megavatesh. Përveç vendosjes së turbinave, aktivitetet e ndërtimit do të përqendrohen edhe në zhvillimin e projekteve infrastrukturore në rajonin e Bajgorës, që do të lehtësojnë mobilitetin dhe zhvillimin e këtij rajoni.

Një projekt i prodhimit të energjisë elektrike me erë është duke u realizuar në Qyqavicë, ndërsa përfituesi më i madh do të jetë komuna e Vushtrrisë. Memorandumi është nënshkruar në Vushtrri në mes të kryetarit të Vushtrrisë Xhafer Tahirit dhe përfaqësuesve të projektit “Cicavica Wind Farm”, që është projekt i kompanisë franceze “Akou Energy”. Me këtë projekt, për të cilin investohen 100 milionë euro, synohet prodhimi i energjisë së ripërtëritshme nga era.

Projekti është duke u realizuar në Qyqavicë, ku janë planifikuar se do të vendosen 17 turbina për prodhimin e 100 MW/h energji elektrike nga era. Sipas memorandumit të nënshkruar Komuna e Vushtrrisë do të ketë përfitime të mëdha, të hyra direkte nga projekti, që korrespondojnë në vlerën prej 1 për qind të të ardhurave vjetore të projektit “Cicavica Wind Farm”, bursa studimi në Francë për studentët vushtrrias dhe për studentët nga e gjithë Kosova në fushën e energjisë së ripërtëritshme, ku Ambasada Franceze në Prishtinë do të angazhohet dhe do të ndërmjetësojë për këtë qëllim subvencionimin e organizatave joqeveritare lokale për të zhvilluar turizmin energjetik në Bjeshkën e Qyqavicës.

Emil Bakiq, drejtor për Ballkanin i “Akou Energy”-s, duke e vlerësuar të rëndësishëm projektin që do të realizohet në Qyqavicë dhe seriozitetin e Komunës së Vushtrrisë e të investitorit, siguroi se kompania e tyre është mjaft serioze për këtë investim, ndërsa tregoi se projekte të ngjashme kjo kompani ka realizuar tashmë në Mal të Zi dhe në Kroaci.

Në anën tjetër Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, ua ka ndarë 300 mijë euro komunave Skenderaj e Drenas për ndërtimin e rrugës bregut të Qyqavicës. Komuna e Drenasit do të jetë lidere e zhvillimit të projektit, që nënkupton se do të jetë bartëse e të gjitha procedurave të prokurimit dhe do të mbikëqyrë mbarëvajtjen e punimeve.

Nga 300 mijë euro sa është kostoja e projektit, dy komunat e Drenicës do të ndihmojnë me nga 20 mijë euro. Rruga që do të ndërtohet do të mundësojë realizimin pa problem të disa projekteve, që janë paraparë në bjeshkët e Qyqavicës, para së gjithash projektin e energjisë elektrike me erë, të cilin do të fillojë ta realizojë kompania franceze “Akou Energy” përmes projektit “Cicavica Wind Farm”, si dhe është planifikuar ndërtimi i një spitali të mushkërive. Projekti i përbashkët i dy komunave të Drenicës për ndërtimin e rrugës së Qyqavicës, që ka koston prej 300 mijë eurosh, ka ardhur pas një marrëveshjeje për bashkëpunim ndërkomunal në mes të Drenasit e Skenderajt./Zëri