Vendimi i Kushtetueses mbi nënshkrimet e mësimdhënësve
Foto: Laura Hasani

Vendimi i Kushtetueses mbi nënshkrimet e mësimdhënësve

Aktuale January 04, 2020 - 08:05
Detaje
Image

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik ka aktivizuar SBASHK-un. Kjo sindikatë për pak ditë mblodhi mijëra nënshkrime nga mësimdhënësit anembanë Kosovës, të cilët po kundërshtojnë këtë vendim. Sipas njohësve të çështjeve ligjore, ky peticion mund të mos merret parasysh fare nga Kushtetuesja për shkak se nuk ka bazë ligjore, shkruan Zëri.

Lexo edhe: Rasti “Pronto”, Grabovci, Beqaj, Pajaziti e të tjerët shpallen të pafajshëm

Mijëra nënshkrime të mësimdhënësve anembanë Kosovës mund të përfundojnë vetëm në letër dhe të mos merren parasysh fare. Fuqia e tyre nuk mund të ndryshojë vendimin e Kushtetueses për pezullimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik. Kjo pasi vendimi është marrë mbi bazën e aktit juridik më të lartë të shtetit.

Këto nënshkrime, që tashmë veçse janë dërguar në Qeverinë e Kosovës dhe tek Institucioni i Avokatit të Popullit, po mbajnë gjallë shpresën te mësimdhënësit që Kushtetuesja mund ta anulojë vendimin për pezullim të Ligjit për Paga. Por pak shpresa që ky peticion mund të arrijë efekt po kanë njohësit e çështjeve ligjore. Sipas tyre, vendimi është marrë duke u bazuar në Kushtetutë e që ka fuqi shumë më shumë se peticioni.

 Kësisoj, ata vlerësojnë që ky hap sindikal nuk mund ta ndërrojë vendimin e marrë më 12 dhjetor të viti të kaluar nga Kushtetuesja.

SBASHK-u mblodhi mijëra nënshkrime

Shumë mësimdhënës i janë përgjigjur kërkesës së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, të Shkencës dhe të Kulturës (SBASHK) për mbledhjen e nënshkrimeve kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga në Sektorin Publik deri në fund të muajit mars. “Nëse i mbledhim me numër si individë mund të themi që kalojnë mijëra nënshkrime nga shoqatat sindikale. Pasi Avokati i Popullit kishte thënë se, duke u bazuar në 35 ankesa, qoftë nga individë dhe nga sindikata, që e kanë shtyrë t’i drejtohet Kushtetueses, ne po ndjekim të njëjtin rrugëtim, që përmes nënshkrimeve të lusim dhe ta obligojmë Avokatin e Popullit, por edhe Qeverinë t’i drejtohen Kushtetueses, qoftë për ta hequr këtë vendim ose për ta zvogëluar këtë afat të pezullimit”, ka thënë kreu i kësaj sindikate, Rrahman Jasharaj.

Sipas tij, mësimdhënësit kanë shpresë që në këtë rast avokati i Popullit, Hilmi Jasharaj, të vendosë në favor të tyre dhe t’i dërgojë nënshkrimet në Kushtetuese. “Tani do të shohim nëse avokati i Popullit do të vendosë në bazë të kërkesës sonë, pasi është thirrur që të gjitha angazhimet e tij i ka bërë duke u bazuar në ankesa dhe në kërkesa të njerëzve. Besoj që edhe arsimtarët, edhe të tjerët janë pjesë e popullit, pasi populli ka dhe duhet të ketë obligim edhe ndaj nesh që të njëjtën gjë, siç e ka bërë për të tjerët, ta bëjë edhe për ne”, ka thënë Jasharaj.

Nënshkrime mblodhën edhe sindikatat tjera

Përveç SBASHK-ut, edhe Sindikata e Shëndetësisë, e Doganës dhe e Policisë, sipas Jasharajt, kanë filluar me mbledhjen e nënshkrimeve për të njëjtin qëllim. “Unë kam informacione që Sindikata e Shëndetësisë, e Doganës, e Policisë dhe të tjera kanë bërë të njëjtën gjë dhe i kanë përgatitur dokumentacionet me kërkesën e njëjtë, që ky vendim për pezullimin e Ligjit për Paga ose të hiqet fare, ose të shkurtohet si afat”, ka thënë më tutje kryetari i SBASHK-ut.

Ndërkohë, ai pohoi se nënshkrimet e mbledhura nga SBASHK-u tashmë janë dërguar në Qeveri dhe tek Avokati i Popullit. “Nga informacionet që kemi pasur javën e kaluar, një pjesë e mirë e komunave që janë autorizuar nga kryetarët e niveleve komunale kanë mbledhur nënshkrime nga shoqatat sindikale dhe i kanë dorëzuar edhe në Qeveri, por edhe tek Avokati i Popullit, qoftë në qendër në Prishtinë dhe qoftë edhe në pikat tjera, të cilat i kanë në regjione.

Përleshje verbale në zyrat e Avokatit të Popullit

Jasharaj për gazetën dha edhe një informacion, që ka të bëjë me një përleshje verbale në zyrën e Avokatit të Popullit. Sipas tij, gjatë dorëzimit të nënshkrimeve të mësimdhënësve të Klinës nga kryetari i kësaj komune ai ka hasur në një rezistencë nga zyrtarët te ky institucion, gjë që pastaj rezultoi me një përleshje verbale. “Po e them publikisht për herë të parë që kryetari i Komunës së Klinës ka ardhur në zyrat tona dhe ka shprehur keqardhje. Ai tek Institucioni i Avokatit të Popullit ka hasur bukur në rezistencë gjatë dorëzimit të nënshkrimeve. Ata kanë kërkuar që të pranohen një ose dy ankesa, por ai i ka pasur nënshkrimet e të gjitha shkollave në këtë komunë. Ka pasur një përplasje verbale te stafi i Avokatit të Popullit”, ka konfirmuar ai.

Të njëjtën gjë nuk e kanë përjetuar në Qeverinë e Kosovës. Sipas Jasharajt, dorëzimi i nënshkrimeve tek ky institucion është bërë në mënyrë të rregullt. “Te Qeveria nuk e kemi pasur një problem të tillë. Te qeveria ekzistuese janë dorëzuar të njëjtat nënshkrime, sepse atje rregullorja thotë që ne si palë nuk kemi drejtë që t’i drejtohemi drejtpërdrejt Kushtetueses, por duhet ta bëjmë ose përmes presidentit, kryeministrit, ose avokatit të Popullit, i cili e ka iniciuar këtë çështje. Disa i kanë dorëzuar në regjione e disa në Qeveri e tek Avokati i Popullit”, ka thënë më tutje ai.

Spahija: Peticioni nuk e ndërron vendimin e Kushtetueses

Mijëra nënshkrime të mësimdhënësve të mbledhura nga SBASHK-u, sipas njohësve të çështjeve ligjore, vështirë se do të merren parasysh.

Florent Spahija, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), i tha gazetës se pavarësisht që sindikatat mund të iniciojnë peticione, ato mund të mos ndikojë në ndryshimin e vendimit të Kushtetueses. “Organizatat e sindikatave kanë lirinë e veprimit dhe ato me anëtarësinë e vet mund të vendosin se çfarë forme mund të përdorin. Njëra ndër format është edhe peticioni. Unë konsideroj që Gjykata Kushtetuese nuk mund të bazohet në kërkesa individuale, por duhet të veprojë mbi kërkesat që i ka Kushtetuta dhe ligji”.

Sipas tij, nëse çfarëdo ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë nuk ka vend për peticione. “Nëse ligji është në kundërshtim me Kushtetutën, atëherë nuk kemi pse flasim për peticione. Kushtetuta është akti më i lartë juridik dhe Gjykata vendos mbi të”, ka thënë ndër të tjera ai.

Megjithatë, sipas anëtarit të KDI-së, reagimet sindikale janë të pritura pas pezullimit të Ligjit për Paga në Sektorin Publik. “Reagimet sindikale normalisht që janë pritur. Të gjithë kanë pritur se do të kenë paga më të larta ose që do të ketë një nivelizim të pagave, por normalisht që Gjykata Kushtetuese nuk punon mbi dëshirat e individëve ose mbi dëshirat organizatave ose punëtorëve, por vepron kërkesën që është bërë ose që i është drejtuar asaj”, ka pohuar ai.