Schleicher: Njerëzit në Kosovë janë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa në Austri
Foto: Laura Hasani

Schleicher: Njerëzit në Kosovë janë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa në Austri

Aktuale December 30, 2019 - 18:04
Janë ushtarët e 28 nacionaliteteve brenda kampit të KFOR-it në Prishtinë.

Gazeta “Zëri” ka qëndruar brenda kampit pikërisht në natën e 24 dhjetorit. Elisabeth Schleicher, nga Austria, tregon se është e impresionuar me ngrohtësinë që ia kanë ofruar njerëzit e Kosovës e po ashtu tha se i pëlqen ushqimi dhe “Skënderbegu”. Shawn Harrisit, gjeneral brigade i KFOR-it amerikan, i pëlqen shumë dashuria, të cilën ia ofrojnë njerëzit jashtë kampit

Mesi i kësaj salle ishte i rezervuar për austriakët. Elisabeth Schleicher, nga po ky shtet, na tregoi se në Kosovë tani ka ardhur për herë të tretë me mision pasi shërbeu në vendin tonë në vitin 2006 për një vit, pastaj kishte ardhur në vitin 2011 dhe kishte qëndruar për 1 vit e gjysmë, ndërsa tani do të qëndrojë gjashtë muaj, shkruan gazeta "Zeri".

Ajo tha se është e impresionuar me ngrohtësinë që ia kanë ofruar njerëzit e Kosovës e po ashtu tha se i pëlqen edhe ushqimi dhe “Skënderbegu”.

LEXO EDHE:bUshtarët e KFOR-it, të befasuar me njerëzit dhe me ushqimin në Kosovë

“Më pëlqejnë shumë njerëzit këtu, janë shumë të shoqërueshëm. Po ashtu më pëlqen shumë ushqimi. Kam provuar shumë ushqime këtu. Më pëlqen dhe ‘Skënderbegu’. Është shumë ndryshe, por vërtet dua të jem këtu”, ka thënë ajo.

Ajo tha se duke krahasuar me vendin prej nga ajo vjen, në Kosovë njerëzit i kushtojnë më shumë rëndësi njëri-tjetrit dhe familjes. “Çdo gjë këtu është ndryshe nga Austria. Unë jam rritur në Vjenë, por këtu njerëzit janë më të lidhur me njeri-tjetrin dhe familja për ta është shumë më e rëndësishme sesa në Austri. Pra, ky është një ndryshim që unë e shoh nëse e krahasoj me vendin tim”, ka thënë ajo, shkruan tutje "Zeri".

Tutje tha se njerëzit që i ka takuar këtu do t’i mbesin në kujtime përgjatë gjithë jetës. E pyetur nëse e ka të vështirë punën, ajo tha se për shkak të kësaj pune nuk ka shumë kohë të lirë, por prapë ta bësh këtë punë është eksperiencë e jashtëzakonshme. “Unë nuk do të shkoj në shtëpi për Krishtlindje, sepse edhe kam dashur ta festoj këtu me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme. Sigurisht që më mungon familja, por kjo është një eksperiencë ndryshe. Unë e dua punën time dhe s’e kam aspak të vështirë. Vetëm se ne duhet që gjithmonë të jemi gati dhe kështu nuk të mbetet shumë kohë e lirë”, ka thënë tutje ajo./ZERI