![Zanatet e para të politikanëve kosovarë](/uploads/zeri.info/images/2019/December/30/auto_Untitled-11577703339.jpg)
Zanatet e para të politikanëve kosovarë
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2019/September/16/auto_Doruntina_Thaci1568614491.png)
Sot janë njerëz të rëndësishëm në jetën politike, por dikur bënin punë nga më të thjeshtat për ta ndihmuar familjen në kohë krize, për t’i financuar studimet dhe për të qenë të pavarur financiarisht.
Lexo edhe: Ftesa që rrokullisi skenën politike kosovare
Sot janë njerëz të suksesshëm në jetën politike, por jeta nuk ishte treguar gjithmonë kësisoj me ta. Shumë politikanë të sotëm në Kosovë dikur bënin punë nga më të thjeshtat për t’i ndihmuar familjet në kohë krize, për t’i financuar studimet e edhe për të qenë të pavarur financiarisht, ndonëse nuk ishin në moshë madhore.
Njëra ndër to është edhe deputetja e rizgjedhur e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila. Ish-ministrja ka rrëfyer për “Zërin” se si para shumë vitesh gjatë pushimeve verore të shkollës së mesme qëndiste jelekun e arit për ta mbështetur financiarisht familjen.
Po kështu edhe ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, dikur shërbente çaj në një çajtore të vogël në këtë qytet për t’i ndihmuar familjes së tij. Ndërkohë, kryetari aktual i Mitrovicës Agim Bahtiri vite më parë ndihmonte babanë e tij, i cili bënte tregti me bagëti. Që të tre këta politikanë të sotëm kanë thënë se mburren me punën që kanë bërë. Sipas tyre, çdo njeri i suksesshëm e ka pasur një jetë të vështirë në fëmijëri.
Deputetja që dikur qëndiste jelekun e arit për ta financuar shkollimin
është njëra ndër politikanet me të suksesshme. Përgjatë viteve ka mbajtur poste të rëndësishme në jetën politike. Mimoza Kusari-Lila karrierën e saj politike e nisi si këshilltare e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi në vitin 2003. Nga aty Kusari-Lila ka vazhduar për të mbajtur postin e zëvendëskryeministres dhe të ministres së Tregtisë dhe të Industrisë së Republikës së Kosovës. Më pas fitoi besimin e qytetarëve të Gjakovës për të qenë udhëheqja e tyre deri në zgjedhjet e kaluara lokale. Ndërsa tani ajo është rizgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës.
Sot jo vetëm atë, por edhe shume personalitet të njohura i shohim si njerëz me fat dhe të cilët nuk janë përballur me vështirësi në jetën e tyre. Mirëpo, jeta nuk ishte treguar kaq e mirë me të në kohën kur ajo ishte adoleshente. Mimoza Kusari-Lila ka rrëfyer për gazetën “Zëri” se pushimet verore gjatë shkollës së mesme nuk i kishte kaluar si çdo e re tjetër. Ajo ka sjellë në kujtesë atë kohë kur i ishte dashur të punonte si ndihmësrrobaqepëse për t’i dalë në ndihmë familjes së saj. Aty deputetja e Kuvendit kishte mësuar ta qëndiste jelekun e arit për nuset e asaj kohe. “Puna ime e parë, për të cilën jam paguar, ka qenë si ndihmese e rrobaqepëses. Një kushërirë e afërt merrej me rrobaqepësi dhe në pushimet e verës gjatë shkollës së mesme jam angazhuar për ta mësuar profesionin, por edhe për të pasur mundësi të fitoj diçka në kohën e krizës së thellë ekonomike, politike dhe sociale, në të cilën ishte Kosova e asaj kohe. Krahas kësaj pune, unë sikur edhe shumë vajza e djem në Gjakovë mësova të qëndis jelek me ar, pjesë të të cilave i punonim dhe për to paguheshim nga zanatlinjtë që bënin tërësinë e tyre. Ato shiteshin në tërë Kosovën nëpër tregje për nuset e reja që martoheshin”, ka rrëfyer ajo.
Kusari-Lila ka thënë se në atë kohë ka qenë e vështirë jeta dhe jo puna. Ajo ka sjellë në kujtesë momentet kur prindërit e saj mundoheshin me mish e me shpirt t’ua ofronin kushtet bazike dhe ndonjëherë ata nuk ia dilnin, pavarësisht ngritjes shkollore dhe punëve të rëndësishme që mbanin.
Më tutje ajo ka rrëfyer se prindërit gjithmonë ia kishin bërë të qartë që përfundimi me sukses i studimeve duhej të ishte në radhë të parë krahas punës që bënte. “Oraret për punë natyrisht e kanë përcaktuar orarin e paktë për aktivitetet tjera, por në familje më ishte komunikuar qartë se shkolla dhe edukimi janë të parat, pastaj puna vjen e dyta. Kjo ishte në njëfarë mënyre edhe vendosje e prioriteteve dhe angazhim më i madh për mua për të përfunduar studimet e nisura në kohë krize të thellë paralelisht me mbajtjen e punës”.
Kusari-Lila për “Zërin” ka rrëfyer se me punën artizanale është marrë deri në moshën 19-vjeçare, kur pastaj kishte gjetur punë në një kompani si mbajtëse e regjistrit të mallrave, që hynin në depo dhe pastaj shiteshin. Po këtë punë, siç ka rrëfyer ajo, e ka bërë për tre vjet rresht, deri në kohën kur ka diplomuar. Menjëherë pas diplomimit Kusari-Lila kujton se kishte gjetur punë në organizatën franceze “Mjekët pa kufij”, e cila furnizonte zonat e prekura nga lufta me produkte mjekësore dhe me veshmbathje.
Kusari-Lila ka thënë se asnjëherë nuk është pishman për punën që ka bërë për të arritur këtu ku është sot. Madje ajo thotë se të punosh dhe të studiosh në të njëjtën kohë mësohesh të vlerësosh kohën dhe gjërat e rëndësishme në jetë. “Asgjë të keqe nuk ka në punën për t’i financuar studimet, vetëm se puna të mos shkojë në dëm të studimeve, por në mbështetje të tyre. Jam shumë e bindur se ata që punojnë dhe studiojnë në të njëjtën kohë mësojnë ta vlerësojnë kohën më mirë dhe mësojnë shumë gjëra me rëndësi për jetën, për punën dhe për karrierën në të njëjtën kohë”, ka thënë ajo.
Dikur shërbente çaj në çajtore, sot ndër figurat më të rëndësishme të PDK-së
Ish-kryetari i Skenderajt në një rrëfim për gazetën “Zëri” ka sjellë në kujtime kohën kur si një djalë i thjeshtë i këtij qyteti shërbente çaj në çajtoren, të cilën e zotëronte familja e tij. Ai ka thënë se nuk kanë qenë keq ekonomikisht, mirëpo ka dashur të punojë dhe të mos kërkojë para nga familja. Përveç kësaj, ai ishte edhe shitës në një dyqan ushqimor të vogël, që e kishin në fshatin e tij të lindjes, në Prekaz. “Në atë kohë isha i ri dhe kemi pasur një çajtore në Skenderaj dhe një dyqan të vogël në fshatin Prekaz. Pra, unë kam punuar në të dyja, edhe në dyqan, edhe në çajtore. Ka qenë kënaqësi të punoj dhe të mos kërkoj para prej familjes. Nuk ka qenë e lehtë, sepse në atë kohë afër kemi pasur fabrika dhe nuk ka pasur shumë lokale, prandaj kemi pasur punë”.
Lushtaku ka thënë se i mungon rinia, pasi për shkak të angazhimeve nuk ka mundur ta jetojë siç e kanë jetuar të tjerët. “Sot më mungon koha kur isha i ri, sepse nuk kam pasur kohë dhe hapësirë ta shfrytëzoj, siç ndoshta kanë bërë të tjerët, për shkak të punës dhe të aktiviteteve që kam pasur”. Ai më tutje ka rrëfyer se shitoren dhe çajtoren familja e tij i ka pasur deri në fillim të luftës së fundit në Kosovë. Pastaj ai u ishte bashkuar protestave dhe demonstratave të asaj kohe kundër regjimit serb. Pas kësaj, Lushtaku përfundimisht iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deri në ditën kur vendi u çlirua. Më pas ai ishte komandant i TMK-së në Mitrovicë. Për të vazhduar kështu në 2007-n në një rrugëtim tjetër. Ai mori besimin e qytetarëve të Skenderajt për të udhëhequr kështu me këtë komunë për tri mandate rresht. Lushtaku më tutje ka thënë se asnjëherë nuk e ka menduar që do të përfundonte në politikë. Aq më pak në kohën kur u shërbente çaj myshterinjve në Skenderaj. “Asnjëherë nuk e kam menduar që do t’i futem politikës dhe as që do të jem kryetar komune. Hiç s’e kam dashur politikën. Dëshira ime ka qenë uniforma, por fati më solli deri këtu. Kur kam punuar në çajtore asnjëherë s’e kam menduar që një ditë do të jem kryetar komune”, ka rrëfyer Lushtaku.
Nga tregtia me bagëti e deri te politika
Edhe kryetari aktual i qytetit të Mitrovicës, ndonëse sot një biznesmen i suksesshëm, dikur ndihmonte babanë e tij, i cili merrej me shitjen e bagëtive në këtë qytet. Qytetarët e Mitrovicës i kanë thënë “Zërit” se Bahtiri dhe babai i tij në këtë punë ishin njerëz të ndershëm dhe nuk mashtronin në këtë zanat.
Agim Bahtiri në një rrëfim për gazetën ka thënë se njerëzit e suksesshëm zakonisht pas vetes kanë një jetë të vështirë. Por, ai ka thënë se nuk ka turp të bëjë çfarëdo pune derisa atë punë e bën me ndershmëri. “Çdo njeri i suksesshëm e ka pasur një jetë të vështirë. Çdo punë që bëhet ndershëm është e mirë, s’është me rëndësi se çka punon. Për mua kurrë nuk është nënçmuese të punoj edhe si punëtor fizik, sepse puna e ndershme është krenaria e shpirtit tënd dhe e familjes tënde. Babai im është marrë me shitjen e bagëtive dhe ne djemtë i kemi ndihmuar në atë kohë. Por në vitin 1980 fillova të punoj në Fabrikën e Shërbimit Elektrik, kur isha 20 vjeç. Kjo punë pastaj për mua ka qenë një mburrje”.
Bahtiri më vonë kishte shkuar në Holandë, ku ishte angazhuar të punonte në kompaninë “Laura Special” në Den Hagë si menaxher marketingu dhe në kompaninë “Green Shamp” si menaxher i blerjes dhe i shitjes. Pas 3 vjetësh punë në “Green Champ” Bahtiri vendosi ta fillojë biznesin e tij me partnerët koreanë dhe francezë “Green Mushroon Farm”, ku ka punuar si drejtor gjeneral. Ai ka thënë se gjithmonë e ka ndier që dikur do të bënte diçka, e cila do ta shndërronte në njeri të suksesshëm. “Gjithmonë e kam ndier, sepse s’kam përtuar asnjëherë t’u shërbej qytetarëve”.
Përveç këtyre tre politikanëve, të cilët për “Zërin” kanë sjellë në kujtime vitet e para të punës, kemi edhe shumë politikanë, që karrierën e tyre e kanë nisur duke bërë punë nga më të thjeshtat, por që sot janë personazhe të rëndësishme në jetën politike. Ata që e njohin dhe që e kanë përcjellë edhe më herët e dinë se deputeti i PDK-së, Memli Kransiqi, dikur ishte reper, deputetja e po kësaj partie, Blerta Deliu-Kodra, ishte prezantuese e motit në RTK. Disa mund të mos e kenë ditur, por deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, gjatë kohës kur studionte në Londër punonte në një “Fast Food”, Fatmire Kollqaku e po kësaj partie është mjeke. Time Kadrijaj e AAK-së gjatë luftës ka shërbyer si infermiere. Ndërkaq ish-deputeti Visar Ymeri i PSD-së dikur ka qenë gazetar e kamerier./ZERI