Ushtarët e KFOR-it, të befasuar me njerëzit dhe me ushqimin në Kosovë
Foto: Laura Hasani

Ushtarët e KFOR-it, të befasuar me njerëzit dhe me ushqimin në Kosovë

Aktuale December 30, 2019 - 08:56
Janë ushtarët e 28 nacionaliteteve brenda kampit të KFOR-it në Prishtinë.
Image

 Gazeta “Zëri” ka qëndruar brenda kampit pikërisht në natën e 24 dhjetorit. Elisabeth Schleicher, nga Austria, tregon se është e impresionuar me ngrohtësinë që ia kanë ofruar njerëzit e Kosovës e po ashtu tha se i pëlqen ushqimi dhe “Skënderbegu”, shkruan gazeta "Zeri".

Shawn Harrisit, gjeneral brigade i KFOR-it amerikan, i pëlqen shumë dashuria, të cilën ia ofrojnë njerëzit jashtë kampit.

U përkasin nacionaliteteve të ndryshme, mirëpo kjo nuk u ka penguar të ulen e ta festojnë së bashku Krishtlindjen, shkruan tutje "Zeri".

Janë këta ushtarët e 28 nacionaliteteve të ndryshme brenda kampit të KFOR-it në Prishtinë. Gazeta “Zëri” ka qëndruar brenda kampit pikërisht në natën e 24 dhjetorit. 

Me të hyrë në kamp ndihej atmosfera festive. Pema e Krishtlindjes, e zbukuruar nga ushtarët, dukej qartë qysh nga larg. Ndërkaq hapësirat e secilit nacionalitet përveç me flamur dalloheshin edhe nga mënyra tradicionale e ndriçimit, që ua kishin bërë shtëpizave të tyre. Kudo që ekipi i gazetës hyri u prit me ngrohtësinë më të madhe nga secili ushtar e secili punonjës. Madje ushtarët italianë ftuan ekipin edhe brenda shtëpizës së tyre, në të cilën na shërbyen me tortën tradicionale italiane. Ndërkohë pak metra larg tyre gjendej hapësira ku pas pak do të niste festa. Tavolina të gjata e të rregulluara si është më së miri ishin mbushur me ushqime të shijshme. Mbi çdo tavolinë qëndronin flamujt e shteteve përkatëse, në mënyrë që ushtarët të dinin se ku të uleshin. E në çdo karrige qëndronte nga një dhuratë për secilin ushtar. E gjithë festa nisi me urimin e komandantit të KFOR-it, gjeneralmajor Michele Risi, i cili i përgëzoi të gjithë ushtarët për punën që po e bëjnë, ndonëse larg familjeve të tyre. “Ne shohim shumë burra dhe gra këtu në KFOR, të cilët sjellin paqe që prej vitit 1999. Jam shumë i impresionuar me njerëzit që kam njohur, juve ushtarë të mrekullueshëm. Pra faleminderit për punën që bëni larg nga shtëpia, e sidomos tani në kohë festash. Ua uroj të gjithëve Krishtlindjen dhe paçi një vit paqësor. Urime të gjithëve”, ka thënë ai.

Schleicher: Njerëzit në Kosovë janë më të lidhur me njëri-tjetrin sesa në Austri

Mesi i kësaj salle ishte i rezervuar për austriakët. Elisabeth Schleicher, nga po ky shtet, na tregoi se në Kosovë tani ka ardhur për herë të tretë me mision pasi shërbeu në vendin tonë në vitin 2006 për një vit, pastaj kishte ardhur në vitin 2011 dhe kishte qëndruar për 1 vit e gjysmë, ndërsa tani do të qëndrojë gjashtë muaj. Ajo tha se është e impresionuar me ngrohtësinë që ia kanë ofruar njerëzit e Kosovës e po ashtu tha se i pëlqen edhe ushqimi dhe “Skënderbegu”. “Më pëlqejnë shumë njerëzit këtu, janë shumë të shoqërueshëm. Po ashtu më pëlqen shumë ushqimi. Kam provuar shumë ushqime këtu. Më pëlqen dhe ‘Skënderbegu’. Është shumë ndryshe, por vërtet dua të jem këtu”, ka thënë ajo.

Ajo tha se duke krahasuar me vendin prej nga ajo vjen, në Kosovë njerëzit i kushtojnë më shumë rëndësi njëri-tjetrit dhe familjes. “Çdo gjë këtu është ndryshe nga Austria. Unë jam rritur në Vjenë, por këtu njerëzit janë më të lidhur me njeri-tjetrin dhe familja për ta është shumë më e rëndësishme sesa në Austri. Pra, ky është një ndryshim që unë e shoh nëse e krahasoj me vendin tim”, ka thënë ajo.

Tutje tha se njerëzit që i ka takuar këtu do t’i mbesin në kujtime përgjatë gjithë jetës. E pyetur nëse e ka të vështirë punën, ajo tha se për shkak të kësaj pune nuk ka shumë kohë të lirë, por prapë ta bësh këtë punë është eksperiencë e jashtëzakonshme. “Unë nuk do të shkoj në shtëpi për Krishtlindje, sepse edhe kam dashur ta festoj këtu me njerëz të nacionaliteteve të ndryshme. Sigurisht që më mungon familja, por kjo është një eksperiencë ndryshe. Unë e dua punën time dhe s’e kam aspak të vështirë. Vetëm se ne duhet që gjithmonë të jemi gati dhe kështu nuk të mbetet shumë kohë e lirë”, ka thënë tutje ajo.

Harris: Ushqimi në Kosovë, i mrekullueshëm

Pranë tyre qëndronin amerikanët. Shawn Harris, gjeneral brigade i KFOR-it amerikan, ka thënë se në Kosovë ka ardhur para gjashtë muajve dhe do të qëndrojë deri në qershor. Ai këtë periudhë e ka cilësuar si një eksperiencë të veçantë. Harris tha se në Kosovë sheh shumë potencial dhe se ajo që i pëlqen më shumë është dashuria, të cilën ia ofrojnë njerëzit jashtë kampit. “Këtu më pëlqejnë shumë njerëzit. Do t’i kujtoj gjithmonë ushtarët që kam takuar këtu, të cilët u përkasin nacionaliteteve të ndryshme. Por më së shumti do t’i kujtoj njerëzit jashtë kampit. Është e mrekullueshme se si vendi është aq i vogël nëse e krahasojmë me SHBA-në, por këtu njerëzit janë të mrekullueshëm dhe më pëlqen shumë që sillen po aq mirë edhe kur jemi civilë pa uniforma”, ka thënë ai.

Harris po ashtu ka thënë se kur arrijnë të dalin nga kapmi shfrytëzojnë rastin të futen nëpër restorante për ta shijuar ushqimin e mrekullueshëm, siç e ka quajtur ai. Madje ai tha se kujdesen që ato ushqime t’ua sjellin edhe ushtarëve të tjerë brenda kampit. “Ndonjëherë kemi rastin të dalim nga kampi dhe vizitojmë restorante, ku ushqimi është i mrekullueshëm. Nuk është me rëndësi se ku shkojmë, gjithmonë arrijmë të marrim diçka nga ushqimi, ta sjellim këtu në kamp që ta ndajmë me të tjerët këtu”, ka thënë ai.

ai tha se të gjithë ushtarët këtu kanë ardhur me qëllim ta ndihmojnë Kosovën që të jetë ajo e cila duhet të jetë në të ardhmen. Ai komunitetin brenda kampit e cilësoi si familje në këtë kohë festash kur të gjithë janë larg me të dashurve të tyre. “Jeta jonë e ushtarëve është e tillë, duhet të jemi larg familjes, por kjo po ashtu është familja jonë, familja jonë ushtarake. Ndonëse jemi larg shtëpisë këtu jemi 28 nacionalitete të ndryshme, të cilët mund t’i quajmë familje”, përfundoi ai.

Di Nicolo: Për t’u admiruar toleranca mes kosovarëve e serbëve

Nuk lamë pa e vizituar as spitalin brenda kampit. Aty na priti Valentina di Nicolo, e cila ka ardhur nga Italia dhe në kampin e KFOR-it shërben si mjeke e shefe e medicinës. Ajo ka thënë se në Kosovë është për herë të dytë, pasi kishte qenë më herët në kampin në Pejë. Valentina ka thënë se e admiron tolerancën mes serbëve dhe kosovarëve. Këtë raport të mirë mes të dyja nacionaliteteve ajo e kishte parë herën e kaluar kur kishte organizuar një donacion për dhurimin e gjakut. “Më pëlqen që njerëzit në Kosovë janë shumë të dashur dhe më pëlqen që popullata shqiptare e serbe mundohen së bashku të bëjnë më të mirën dhe kjo për mua është e mrekullueshme”, ka thënë ajo.

Si edhe parafolësit e tjerë edhe ajo adhuron ushqimin në Kosovë, por thotë se jemi ekspertë të trileqes. “Këtu te ju kam provuar pitet dhe flinë, por më shumë më pëlqen se si e bëni trileqen, sepse mua më pëlqejnë shumë ëmbëlsirat”, tha ajo.

Ndonëse asaj i mungon familja, e pëlqen ta kalojë Krishtlindjen këtu.