Përsëritja e minuseve
Foto: Laura Hasani

Përsëritja e minuseve

Aktuale December 30, 2019 - 07:53
Detaje
Image

Mosheqja e vizave, mosanëtarësimi në INTERPOL e rezultati i dobët në PISA janë vetëm disa prej dështimeve, me të cilat u ballafaqua Kosova gjatë 2019-s. Më 6 tetor qytetarët votuan për ndryshim, duke e ndëshkuar pushtetin e deriatëhershëm dhe duke e nxjerrë fituese opozitën. Por dy partitë që menjëherë pas zgjedhjeve nisën negociatat për bërjen e qeverisë, LVV-ja dhe LDK-ja, ende nuk kanë arritur një marrëveshje finale, shkruan gazeta "Zeri".

Edhe viti 2019, sikurse vitet paraprake, po ikën pa ndonjë ndryshim të madh në Kosovë. Pa ndonjë përmirësim të dukshëm në aspektin social, arsimor, ekonomik e shëndetësor. Pa lajme pozitive rreth liberalizimit e njohjeve të reja për Kosovën. Ani pse në vazhdimësi gjatë 2019-s nga liderët shtetërorë u premtua heqja e vizave, një gjë e tillë nuk ndodhi. Rrjedhimisht, qytetarët do të vazhdojnë t’i dëgjojnë zotimet e njëjta, që përsëriten tash e një dekadë. 2019-a u karakterizua edhe me një diplomaci të dobët, e cila dështoi të sjellë njohje të reja në drejtim të Kosovës. Si rrjedhojë e këtyre dështimeve partitë që ishin në opozitë gjatë legjislaturës së gjashtë, LDK-ja e LVV-ja, në vazhdimësi paralajmëruan rrëzimin e qeverisë. Por fundin e qeverisë e përcaktoi vetë kryeministri Ramush Haradinaj, i cili në muajin korrik, pa kurrfarë paralajmërimi, dha dorëheqje nga pozita që mbante. Ky vendim i tij erdhi pas ftesës për intervistim, që mori nga Gjykata Speciale.

Si pasojë e kësaj në fillim të tetorit vendi shkoi në zgjedhje të parakohshme, me ç’rast Vetëvendosja doli partia fituese. Menjëherë pas zgjedhjeve LVV-ja nisi negociatat për të arritur marrëveshje për bashkëqeverisje me LDK-në, e cila u rangua subjekti i dytë. Por marrëveshje nuk ka ende, pavarësisht faktit që deputeti i LVV-së Glauk Konjufca tashmë është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Janari, i Speciales

Muaji janar i vitit 2019 u karakterizua nga intensifikimi i punës së Gjykatës Speciale. Gjatë këtij muaji një numër i madh i ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) udhëtuan për në Hagë për t’u intervistuar nga Specialja. Në mesin e atyre qe ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit

Rrustem Mustafa dhe ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës Sami Lushtaku. Në po të njëjtin muaj nga Gjykata Speciale u intervistua edhe ish-pjesëtari i UÇK-së Remzi Shala, ish-komandanti Nazif Mehmeti, ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së Sylejman Selimi, si dhe Sabahajdin Cena, ish-epror i UÇK-së në Zonën e Pashtrikut. Muaji janar u karakterizua edhe me intensifikimin e punës së delegacionit shtetëror për dialogun Kosovë - Serbi, i cili kryesohej nga lideri i Nismës Socialdemokrate Fatmir Limaj dhe nga kreu i PSD-së Shpend Ahmeti. Ky delegacion nuk u mbështet nga dy partitë që në legjislaturën e gjashtë ishin në opozitë, LVV-ja dhe LDK-ja, shkruan tutje "Zeri".

Shkurti, i presionit dhe i përplasjeve

Muaji shkurt nisi me presionin e ndërkombëtarëve për heqjen e taksës së vendosur ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Heqjen ose pezullimin e taksës e kërkonin ish-partneri i madh i koalicionit (PDK), presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Bashkimi Evropian. Por ky presion nuk arriti ta largojë tarifën. Si rrjedhojë e kësaj Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) nisën të ndërmerrnin masa ndëshkuese për Kosovën, respektivisht për ushtrinë e saj. Në shkurt u bë e ditur që komandanti i Gardës Kombëtare të IOWA-s, gjeneralmajor Timothy Orr, kishte anuluar vizitën e paraparë në Kosovë për përvjetorin e 11-të Pavarësisë. SHBA-ja atë kohë pati paralajmëruar edhe mundësinë e anulimit të programeve trajnuese, edukative dhe të vizitave ushtarake për pjesëtarët e FSK-së po që se Qeveria nuk reflekton rreth taksës. Ndërkohë, para këtyre Haradinajt i ishte refuzuar edhe viza amerikane për të marrë pjesë në “Lutjet e Mëngjesit”. Taksa kishte thelluar edhe përçarjen mes partnerëve të koalicionit të kaluar qeverisës. Derisa kreu i PDK-së Kadri Veseli kërkonte pezullimin e tarifës, Haradinaj këmbëngulte në moslargimin e kësaj mase, shkruan "Zeri".

Marsi, zmbrapsja nga taksa

Vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake në fund të 2018-ës ishte marrë në pajtim të të gjithë partnerëve të koalicionit qeverisës, të cilët madje bënin “luftë” në mes vete për merita. Por pas presionit të shtuar nga faktori ndërkombëtar për heqjen e saj ata u zmbrapsën dhe filluan ta kritikojnë njëri-tjetrin. Gjatë pjesës së parë të muajit mars Kosovën e vizituan zyrtarë të lartë nga SHBA-ja, nga Gjermania dhe nga Britania e Madhe, të cilët ishin të njëzëshëm për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe e boshnjake. Megjithatë kryeministri, tashmë në detyrë, Ramush Haradinaj, e refuzoi një kërkesë të tillë, ndonëse atë kohë mbeti lideri i vetëm në betejën për mbajtjen e taksës. Ndërkaq partneri i madh i koalicionit, PDK-ja, e kundërshtoi këtë gjë, “duke alarmuar” se kjo rrezikon prishjen e marrëdhënieve të Kosovës me BE-në.

Prilli i gjen të pakoordinuar liderët shtetërorë

Gjatë muajit prill, me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkelit dhe të presidentit francez Emmanuel Macronit, krerët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Berlin për të diskutuar rreth perspektivës së tyre evropiane. Prej Kosovës morën pjesë dy krerët institucionalë, presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj. Në Berlin ata shkuan të paunifikuar rreth çështjeve që ndërlidheshin me dialogun dhe me taksën. Madje Haradinaj pas kthimit nga Berlini akuzoi presidentin Thaçi dhe kryeministrin e Shqipërisë Edi Ramën për ushtrim të presionit ndaj tij për ta hequr taksën. Sidoqoftë, pavarësisht faktit që në fillim e pati kundërshtuar tarifën, Thaçi nga Berlini para medieve tha se taksa është vendim legjitim i Kosovës, i cili duhet të vazhdojë të mbetet.

Maji - premtime për vizat e kritika ndaj korrupsionit

Gjatë muajit maj kryeministri, tani në detyrë, Ramush Haradinaj, vazhdimisht u zotua se do të ndodhë liberalizimi i vizave. Haradinaj herë tha se çështja e vizave është çështje javësh, herë se ky proces do të finalizohet në vjeshtë, por asnjëra prej këtyre nuk ndodhi.

Pas zgjedhjeve të mbajtura për Parlamentin Evropian (PE) rreth vizave u deklarua edhe ministrja e Integrimit Evropian, tashmë në detyrë, Dhurata Hoxha, e cila tha se pas zgjedhjeve në BE asgjë më s’e pengon liberalizmin. Por kanë kaluar shtatë muaj nga atëherë dhe vizat nuk janë hequr akoma. Në anën tjetër, gjatë majit u publikua edhe raporti i Komisionit Evropian (KE), me ç’rast goditi dukshëm Kosovën për mosluftimin e korrupsionit. Ndonëse u tha se është bërë një progres i lehtë, raporti theksoi se korrupsioni vazhdon të mbetet njëra prej çështjeve shqetësuese në Kosovë, shkruan gazeta "Zëri".

Qershori solli Clintonin në Kosovë

Në muajin qershor u bënë dy dekada prej çlirimit të Kosovës. 20-vjetori i kësaj ngjarjeje historike u shënua në praninë e shumë miqve ndërkombëtarë të Kosovës. Ish-presidenti i SHBA-së Bill Clintoni dhe ish-sekretarja e Shtetit të SHBA-së Madeleine Albrighti ishin dy prej këtyre të ftuarve, që morën pjesë në ceremoninë e organizuar në Prishtinë. Në anën tjetër, gjatë qershorit pati edhe zhvillime të tjera në Kosovë. Gjykata Kushtetuese e shpalli antikushtetues Delegacionin Shtetëror për Bisedime, i cili bashkudhëhiqej nga Fatmir Limaj dhe nga Shpend Ahmeti.

Rrjedhimisht ekipi negociator arriti ta gëzojë këtë epitet për vetëm gjysmë viti. Nga sezoni i dimrit 2018, kur ishte formuar e deri në fillim të verës 2019, sa kanë funksionuar, negociatorët arritën t’i zhvillojnë vetëm tri takime, ndërsa i shpenzuan mbi 40 mijë euro nga buxheti i Kosovës. Gjithashtu gjatë këtij muaji pati zhvillime edhe brenda LDK-së. Derisa po mbante zgjedhjet e brendshme, ky subjekt pati përplasje të vazhdueshme mes zyrtarëve të saj. Kuvendet zgjedhore në disa degë dhe nëndegë të LDK-së u shoqëruan me grushte, me shqelma e me goditje me karrige mes anëtarëve.

Korriku, muaji i dorëheqjes së Haradinajt

Muaji korrik i 2019-s qe befasi edhe për opozitën, por edhe për partnerët e koalicionit të Ramush Haradinajt, PDK-në, Nismën dhe AKR-në. Kjo pasi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, pa kurrfarë paralajmërimi dha dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ky vendim i tij erdhi pas ftesës për intervistim, që mori nga Gjykata Speciale. Me këtë vendim të tij Haradinaj ia pamundësoi opozitës ta rrëzonte qeverinë që ai drejtonte. Ndërkohë, kjo nuk ishte hera e parë që ai jepte dorëheqje nga posti i shefit të ekzekutivit. Njëjtë kishte vepruar edhe para 14 vjetësh.

Në dhjetor të vitit 2004 ishte zgjedhur kryeministër i Kosovës, ndërkohë pas rreth 100 ditësh, në mars të vitit 2005, pati dhënë dorëheqje, meqë atë kohë i ishte ngritur aktakuzë nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës. Haradinaj, i cili u ftua në cilësinë e të dyshuarit nga Specialja, u mbrojt në heshtje gjatë paraqitjes në Hagë.

Gusht - shpallen zgjedhjet e fushata nis para kohe

Prej momentit të dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit presidenti Hashim Thaçi u akuzua nga opozita për zvarritje të qëllimtë të shpalljes së datës së zgjedhjeve. Sidoqoftë, këtë vendim Thaçi e mori tek në fund të muajit gusht, me ç’rast si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja caktoi 6 tetorin. Sidoqoftë, partitë kishin nisur fushatën qysh para se të shpalleshin zgjedhjet e reja. Subjektet nga pozita e opozita nisën të parapërgatiten për procesin e ri elektoral, të mbajnë takime me qytetarë, të japin premtime e të shprehen të bindur në fitore. Ndërkohë, më tej u caktua edhe koha e fushatës zgjedhore, e cila zgjati nga 5 shtatori deri më 4 tetor.

Tri partitë e mëdha, LDK-ja, LVV-ja dhe PDK-ja, vendosën të garonin vetëm, ndërkaq AAK-ja lidhi koalicion parazgjedhor me PSD-në, kurse Nisma me AKR-në dhe me PD-në. Sikurse herët e kaluara, edhe fushata e zgjedhjeve të fundit u përcoll me gjuhë denigruese, me akuza e me kundërakuza, shkruan gazeta "Zeri".

Shtatori, dorëzimi për INTERPOL-in

Pos stagnimit në procesin e liberalizimit, Kosova stagnoi edhe në procesin e njohjeve. Është bërë më shumë se një vit e gjysmë prejse Kosova nuk ka marrë njohje të re nga asnjë shtet i botës. Kosova është njohur nga 116 shtete, por mbi 10 prej tyre kanë deklaruar se e kanë rishikuar vendimin për njohje, rrjedhimisht e kanë tërhequr atë. Dështimi u shënua edhe rreth çështjes së INTERPOL-it, ku për të disatën herë, edhe këtë vit (gjatë shtatorit) qeveria në largim paralajmëroi tërheqjen e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë – INTERPOL. Në anën tjetër, edhe gjatë këtij muaji vazhduan zhvillimet rreth zgjedhjeve. Afrimi i datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare shtoi fyerjet, ofendimet dhe përplasjet verbale mes kundërshtarëve politikë. Në kuadër të parafushatës që zhvilluan kandidatët për deputetë të subjekteve politike u shënuan edhe përplasje fizike mes tyre. Haki Abazi, kandidat për deputet nga LVV-ja, akuzoi ish-deputetin e PSD-së Dardan Molliqajn për sulm fizik të ushtruar ndaj tij pas xhirimit të një emisioni televiziv. Ndonëse Molliqaj e pati mohuar një gjë të tillë, pamjet e publikuara më vonë dëshmuan se kishte pasur përleshje.

Tetori - rënia e pushtetarëve dhe ngritja e opozitës

Më 6 tetor u mbajtën zgjedhjet e parakohshme. Me dalje prej rreth 45 për qind qytetarët ndëshkuan ashpër partitë, të cilat qeverisën me shtetin e Kosovës që nga paslufta. Rrjedhimisht, sovrani përcaktoi si fituese Lëvizjen Vetëvendosje. Menjëherë pas LVV-së u rangua LDK-ja, e cila, pavarësisht tentimeve për ta rikthyer primatin e dikurshëm, nuk ia doli ta bëjë një gjë të tillë. Ndërkohë, derisa PDK-ja u radhit e treta, AAK-ja ngeli e katërta, ndonëse në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare garoi në koalicion me PSD-në. Kurse Nisma Socialdemokrate, e cila në zgjedhje u bë bashkë me AKR-në e me PD-në, sipas rezultateve të para, nuk arriti ta kalonte pragun, ndonëse matematikat ndryshuan më vonë. Ndërkohë LVV-ja dhe LDK-ja nisën negociatat për përafrim të programeve për bashkëqeverisje. Katër ditës pas zgjedhjeve u realizua takimi i parë mes liderëve të dy subjekteve, ndërkaq më pas u vendos që për një kohë takimet të zhvilloheshin vetëm në kuadër të grupeve punuese, shkruan gazeta "Zeri".

Nëntor - Veseli ftohet nga Specialja e Nisma hyn në Kuvend

Gjatë muajit nëntor kryetari i Kuvendit në legjislaturën e kaluar, Kadri Veseli, njoftoi se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale, ndonëse nuk tregoi se në çfarë cilësie do të intervistohej. Ndërkohë, zhvillimet rreth rezultatit të zgjedhjeve nuk u ndalën as gjatë nëntorit. KQZ-ja shpalli rezultatet përfundimtare, por pas kësaj subjektet politike dërguan në PZAP 100 ankesa rreth rezultatit. Rrjedhimisht, pasi kaloi më shumë se një muaj nga zgjedhjet Nisma mori lajmin se përfundimisht do të hynte në Kuvend. Kësisoj, Vetëvendosja mori 29 deputetë, LDK-ja 28, PDK-ja 24, AAK - PSD-ja 13 deputetë dhe Nisma - AKR - PD-ja 6 deputetë. Pos këtyre pati edhe zhvillime të tjera. Gjatë nëntorit temë diskutimi qe edhe “Mini-Shengeni”. Derisa ky projekt nga pala kosovare u cilësua si hap drejt një Jugosllavie të re, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kritikoi Kosovën për vetëpërjashtim nga kjo nismë.

Dhjetori, muaji kur LVV-ja merr kryesimin e Kuvendit

Ndonëse për më shumë se dy muaj zhvilluan negociata, LVV-ja dhe LDK-ja nuk arritën të lidhin marrëveshje para seancës konstituive, që u mbajt më 26 dhjetor. Ndaj në këtë seancë LVV-ja, pa paralajmërim, propozoi deputetin e LVV-së Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit, me ç’rast mori votat e mjaftueshme për këtë pozitë. Ky post në bisedimet e mëhershme i ishte ndarë LDK-së, por gjithçka ndryshoi, pasi deri atëherë nuk pati marrëveshje. Meqë nuk pati ujdi, pak para seancës LDK-ja u zotua se do t’ia votonte Vetëvendosjes formimin e institucioneve dhe nuk do të merrte pozita nëse nuk do të kishte dakordim. Kësisoj veproi me kryetarin e Kuvendit, duke votuar për Konjufcën.

Gjatë takimeve të kaluara LVV-ja dhe LDK-ja ishin marrë vesh për ndarjen e ministrive, por nuk kishin arritur t’i zgjidhnin mosmarrëveshjet rreth pozitës së presidentit. LDK-ja e kërkonte këtë pozitë, LVV-ja nuk pranonte. Marrëveshje nuk pati as kur kjo e fundit i propozoi LDK-së ta merrte presidentin dhe ta jepte Ministrinë e Brendshme.

Ndërkohë, meqë Kuvendi u konstituua, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e ftoi liderin e LVV-së Albin Kurtin për t’u konsultuar për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re. Por Kurti i refuzoi të dyja ftesat e presidentit, të ardhura brenda një dite. Në anën tjetër, në dhjetor u publikuan rezultatet e PISA-s 2018, me ç’rast Kosova dështoi sërish të dalë me rezultate pozitive./ZERI