Dështon marrëveshja LVV - LDK, Kosova në krizë politike
Foto: Laura Hasani

Dështon marrëveshja LVV - LDK, Kosova në krizë politike

Aktuale December 26, 2019 - 07:42
Detajet

Image

Image

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë arritur të gjejnë gjuhë të përbashkët sa i përket marrëveshjes për formimin e qeverisë së re. Rrjedhimisht, këto dy subjekte do të shkojnë në seancën e sotme konstituive, e cila do të fillojë në orën 15:00, pa një dakordim paraprak për bërjen e institucioneve të reja, shkruan sot gazeta Zëri.

Seanca e sotme për konstituimin e legjislaturës së shtatë të Kuvendit të Kosovës pritet të nisë pa pasur një marrëveshje paraprake për bashkëqeverisje mes LVV-së dhe LDK-së. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, ka njoftuar mbrëmë se nuk kanë arritur të merren vesh me LDK-në. Kurti me këtë rast ka bërë të ditur se partia që ai drejton i ka bërë një ofertë LDK-së, por ajo është refuzuar. Në këtë ofertë, siç ai ka njoftuar, është kërkuar që çështja e presidentit të lihet për t’u diskutuar më vonë. Mirëpo, nëse partia e Isa Mustafës insiston në këtë post, Vetëvendosjes sipas kreut të LVV-së duhet t’i shtohet edhe një ministri, respektivisht ajo e Punëve të Brendshme. Ndërkaq LDK-ja edhe gjatë ditës së djeshme ka përsëritur kërkesën e njëjtë, se këtij subjekti duhet t’i takojë pozita e presidentit. Vetëm në këtë formë, siç kanë thënë në vazhdimësi nga Lidhja Demokratike e Kosovës, mund të ketë balancim të pozitave.

Oferta e LVV-së për LDK-në: Presidentin në këmbim të MPB-së

Teksa ka njoftuar të mërkurën se do të shkohet në seancë pa marrëveshje me LDK-në, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka treguar përmbajtjen e ofertës që u refuzua nga LDK-ja. Pika e parë, siç tha ai, ka pasur të bëjë me ndërrim të pozitave mes dy subjekteve negociuese. “Dihet se Vetëvendosjes si parti e parë i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i parë. LDK-së i takon nënkryetari i dytë. Le ta bëjmë rokadën midis kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të Kuvendit dhe kësisoj LDK-ja e ka kryeparlamentarin dhe LVV-ja i ka dy nënkryetarët e Kuvendit”, ka deklaruar ai.

Pika e dytë, siç Kurti ka theksuar, kishte të bënte me çështjen e presidentit. Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës insiston që ta marrë këtë pozitë, sipas tij LVV-së duhet t’i kalojë Ministria e Punëve të Brendshme. “Çështjen e presidentit më së miri e lëmë për më vonë, por nëse LDK-ja insiston që patjetër ta bëjmë premtimin për nominimin nga LDK-ja, atëherë neve duhet të na shtohet tash një ministri, Ministria e Punëve të Brendshme, e cila ka rëndësi jetike për luftimin e krimit dhe të korrupsionit”, ka potencuar ai.

Nominimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për president sipas tij bëhet tek pasi të mos jetë gjetur një figurë konsensuale jashtëpartiake. “Nominimi i LDK-së për kandidatin për president bëhet pasi të mos kemi gjetur një personalitet konsensual jashtëpartiak, kurse të përcaktohet LDK-ja për emrin e tij ose të saj, do të kërkohet edhe pëlqimi i LVV-së”, ka shtuar ai.

Ndërkaq, pika e tretë e ofertës siç ka thënë Kurti, ka pasur të bëjë me kërkesën e LDK-së që Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit të ndahet. “Sipas kërkesës së LDK-së Ministria e Kulturës, e Rinisë dhe e Sportit të ndahet, me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojnë Ministrisë së Arsimit, të Shkencës, të Teknologjisë dhe të Inovacionit, ndërkaq Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë”, ka vazhduar ai.

Sipas ofertës së LVV-së, pakicat serbe do ta merrnin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal, kurse pakicat serbe Ministrinë për Komunitete.

Gjatë deklaratës së tij, Kurti ka thënë se gjatë bisedimeve të deritanishme Vetëvendosja ka bërë katër kompromise, kurse LDK-ja asnjë. “Programi im qeverisës është 50 për qind nga ai i LDK-së, zëvendëskryeministri i parë do të jetë nga radhët e LDK-së, pesë ministri në qeveri do të jenë të LDK-së, e cila edhe zgjodhi si të përzgjidhen ato, pasi që insistonte që medoemos të zgjidhte e para”, ka potencuar Kurti derisa ka numëruar kompromiset e arritura.

LVV: Kërkesat e LDK-së, joracionale

Posti i presidentit, i cili zgjidhet tek në vitin 2021, ka qenë problem i paraqitur qysh pas përfundimit të zgjedhjeve mes palëve negociuese. LDK-ja ka kërkuar ta marrë këtë pozitë, ndërsa LVV-ja e ka cilësuar të papranueshme një gjë të tillë. Gjersa ka folur rreth kësaj anëtarja e Kryesisë së LVV-së, Albulena Haxhiu, e ka quajtur joracionale dhe të papranueshme këtë kërkesë. “Unë nuk e shoh që ka mungesë besimi, por ka kërkesa joracionale dhe jo të drejta që i ka parashtruar tash së fundi LDK-ja. Në fakt kur jemi lëshuar për të folur për përgjegjësitë qeverisëse ka dalë edhe kërkesa që LDK-ja të ketë kandidatin për president, pra nuk shoh që ka një mungesë besimi, por ka kërkesa të cilat për LVV-në janë të pakapërcyeshme dhe të papranueshme”, ka deklaruar Haxhiu dje.

Pa reaguar dje nuk ka lënë as deputetja e rizgjedhur e LVV-së, Arbërie Nagavci, e cila ka thënë se kreu i LVV-së e ka më të rëndësishme të ardhmen e qytetarëve sesa postet publike. “Është fat që kemi një lider që të ardhmen e popullit e ka më të rëndësishme sesa cilindo post publik, një njeri që qeverisjen e kupton si përgjegjësi e jo privilegj”, ka deklaruar ajo.

Në anën tjetër gjatë ditës së djeshme para se Albin Kurti të njoftonte se s’ka marrëveshje, nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka kërkuar që të interesi shtetëror të vihet para atij individual. “Pavarësisht sfidave që i kemi në këto momente, duhet të gjithë t’ia kujtojmë vetes se nuk ka asgjë më të shenjtë se vullneti qytetar. Ky vullnet është përcaktuar qartë për koalicionin LDK - LVV. Kushdo që luan me këtë verdikt të qytetarëve, është duke luajtur me fatin e Kosovës”, është shprehur Osmani.

Thirrje për kapërcim të ndasive ka bërë edhe deputeti i rizgjedhur i LDK-së Haxhi Avdyli. “Koha është sot që Isa Mustafa, Vjosa Osmani e Albin Kurti ta nënshkruajnë marrëveshjen e shumëpritur nga qytetarët sepse zhgënjimi qytetar i nesërm mund t’i hakmerret dy palëve, por edhe vendin e vendos në rrugë pa krye. Nesër mund të kemi koalicion me fitues të besimit qytetar ose fërkim duarsh të humbësve të zgjedhjeve të 6 tetorit, që veç në ujëra të turbullta mbijetojnë politikisht”, është shprehur Avdyli gjatë së mërkurës.

Vazhdojnë përplasjet për presidentin

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka thënë se LVV-ja nuk ka kurrfarë të drejte ta përcaktojë se kush do të jetë presidenti nga radhët e LDK-së. Një deklaratë e tillë nga ana e tij erdhi pasi anëtari i Kryesisë së LVV-së, Glauk Konjufca, tha se Vjosa Osmani do të ishte emër i pranueshëm nga Vetëvendosja për pozitën e presidentit. “Nuk ka të drejtë në asnjë moment LVV-ja ta përcaktojë kandidatin e LDK-së se kush do të jetë president. Po besoj se ky deklarim nuk ka qenë aq i mençur i Konjufcës në këtë fazë kur po bëjmë përpjekje për ndërtimin e koalicionit, për ndërtimin dhe për mirëbesimin. Thjesht, kjo është një lloj ndërhyrje në politikat e brendshme të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, është shprehur Veliu.

Numri dy i LDK-së ka thënë se ky subjekt nuk ka të paracaktuar emrin për postin e presidentit. “Lidhja Demokratike në këto momente nuk ka emër për kandidatin për president, në momentin e duhur organet e LDK-së, të përcaktuara në bazë të statutit që vendosin për këtë çështje, mblidhen edhe japin një emër. Besoj se ka emra plot që i plotësojnë kriteret kushtetuese për atë pozicion dhe nuk do të duhej të ketë këtu kurrfarë nxitimi”, ka shtuar Veliu.

Partitë pjesëmarrëse në seancë

Pavarësisht se nuk ka marrëveshje për qeverisje, disa prej partive kanë konfirmuar se sot do të marrin pjesë në seancë. Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Rasim Selmanaj, ka thënë për “Zërin” se AAK-ja do të jetë e pranishme në mbledhjen konstituive të Kuvendit. “Po, ne do të marrim pjesë. Para seancës Grupi ynë Parlamentar do të mbajë një takim, por pjesëmarrja jonë nuk diskutohet, sepse e kemi obligim”, ka thënë ai.

Edhe deputeti i Nismës Socialdemokrate, Haxhi Shala, e ka konfirmuar për gazetën se ky subjekt do të jetë pjesë e seancës konstituive. “Ne do të marrim pjesë në seancën konstituive si Grup Parlamentar, por mbetet megjithatë që ta mbajmë një takim para se të hyjmë në seancë. Në bazë të asaj që po shihet deri më tash, koalicioni që pretendon ta udhëheqë vendin nuk ka marrëveshje për formimin e institucioneve të Kosovës dhe përderisa nuk ka marrëveshje, nuk do të ketë mundësi as të zgjidhet kryetari i Kuvendit”, ka deklaruar ai.

Kërkohet dakordim mes LVV - LDK-së

Njohësit e çështjeve politike kanë kërkuar që para seancës së sotme partitë politike të dakordohen që ta zgjedhin kryeparlamentarin e ri. Ndonëse është thënë se nuk ka marrëveshje për qeverinë, ata kanë thënë se subjektet negociuese duhet të paktën të dalin me një propozim për kryetarin e ri të Kuvendit. “Nëse shkohet drejt seancës konstituive pa marrëveshje për bashkëqeverisje, atëherë partitë politike të paktën duhet të merren vesh për pozitën e kryetarit të Kuvendit. Pozita e kryetarit të Kuvendit është prestigjioze dhe i jep autoritet personit që e përfaqëson Kuvendin”, ka deklaruar njohësi i çështjeve politike Albert Krasniqi.

Ndaj, sipas tij, për t’u ikur ngërçeve politike si ai i 2014-s sot duhet të zgjidhet kryetari i Kuvendit. “Kuvendi duhet të konstituohet dhe skenat e ngërçit të vitit 2014 nuk duhet të tolerohen. Vendi nuk mund të mbahet peng derisa partitë politike t’i përmbushin ambiciet e tyre për pushtet”, ka përfunduar ai. //ZERI