132 persona zyrtarë në Kosovë janë sulmuar fizikisht, duke përfshirë edhe mjekët
Foto: Laura Hasani

132 persona zyrtarë në Kosovë janë sulmuar fizikisht, duke përfshirë edhe mjekët

Aktuale December 21, 2019 - 08:14
Sulmet fizike e verbale ndaj personave zyrtarë nuk janë ndalur as gjatë këtij viti. Në mesin e zyrtarëve të sulmuar fizikisht kanë qenë edhe punëtorët shëndetësorë, të cilët janë shprehur se nuk po ndihen të sigurt në punën e tyre.
Image

Dhjetëra raste të sulmeve fizike e të sulmeve verbale ndaj punëtorëve shëndetësorë janë shënuar edhe gjatë këtij viti. Për shkak të këtyre sulmeve ata janë shprehur se nuk ndihen të sigurt në punën që bëjnë, derisa janë të pakënaqur edhe me institucionet shëndetësore, të cilat nuk po u ofrojnë siguri, shkruan sot gazeta Zëri.

Kryetari i Odës së Mjekëve, Pleurat Sejdiu, ka thënë për “Zërin” se gjatë këtij viti 5 mjekë janë sulmuar fizikisht, derisa ka pasur edhe raste të tjera të pa raportuara të sulmeve verbale ndaj tyre. Sipas tij, nga sondazhi që ata kanë realizuar gjatë vitit të kaluar, ka dalë se mbi 80 për qind e mjekëve të anketuar nuk ndihen të sigurt në punën e tyre. “Gjatë këtij viti kanë qenë 5 raste të sulmeve fizike, prej tentim vrasje e deri në sulm fizik, një sulm i tillë ka ndodhur para dy ditësh në QKUK në Qendrën Emergjente. Ndërsa rastet e palajmëruara të sulmeve verbale janë të panumërta. Në sondazhin që kemi bërë vitin e kaluar, mbi 80 për qind të mjekëve të anketuar kanë deklaruar se nuk e ndiejnë veten të sigurt për shumë aspekte brenda institucioneve shëndetësore, duke përfshirë këtu mbrojtjen fizike të objekteve e qasjen e limituar të palëve të dyta e të treta”, ka thënë ai.

Sejdiu ka thënë se rreth 90 për qind e sulmeve ndaj mjekëve janë shkaktuar nga familjarët e pacientëve. Sipas tij, në këtë drejtim institucionet përkatëse në vend asnjëherë nuk kanë marrë masat e duhura. “Këtu hyn edhe përgjegjësia e vet institucioneve. Në këtë drejtim unë nuk shoh diçka që është ndërmarrë. Sondazhin që e kemi bërë vitin e kaluar ne ua kemi dërguar të gjitha institucioneve, që së paku ta shohin ata se çfarë mendojnë punëtorët e tyre dhe as hapi më i vogël nuk është bërë”, ka potencuar ai.

Ai ka theksuar se tani do të inkurajojnë punëtorët shëndetësorë të bëjnë edhe padi ndaj institucioneve shëndetësore, të cilat janë të obliguara t’u ofrojnë siguri mjekëve.

Sejdiu është shprehur i pakënaqur edhe me disa deklarata publike, të cilat kanë nxitur sulme ndaj mjekëve. “Është edhe një faktor brengosës tani. Janë deklaratat e figurave publike të institucioneve të ndryshme që i sulmojnë mjekët. Shpesh kemi parë se pas këtyre deklaratave kanë ndodhur edhe sulmet. Ka qenë një debat në një nga televizionet tona ku ka marrë pjesë përfaqësuesi i Shoqatës së Pacientëve, me ç’rast ai ka thënë se nëse institucionet nuk ndërmarrin diçka pacientët do të mbrohen me hapa të tjerë. Cilët janë ata hapa, sulmet? Mund të kenë edhe mjekët faj, por sulmi fizik ndaj zyrtarit në vend të punës nuk është i pranueshëm askund”, ka shtuar ai.

Kujtojmë se në anketën e zhvilluar në vitin 2018 nga Oda e Mjekëve të Kosovës, me 381 mjekë të anketuar ka rezultuar se mbi 78 për qind e mjekëve të anketuar kanë përjetuar ndonjë lloj sulmi, qoftë verbal ose fizik gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.

Për sulmet ndaj punëtorëve shëndetësorë në fund të muajit të kaluar Sindikata e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës kishte mbajtur një protestë, në të cilën ishte kërkuar që punëtorët shëndetësorë të mbrohen ligjërisht dhe se sulmuesit e mjekëve të trajtohen me Kodin Penal të Kosovës. Ndërsa edhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në vazhdimësi ka ngritur zërin për rastet e dhunës së ushtruar ndaj punëtorëve shëndetësorë, ndaj kërcënimeve dhe ndaj shantazheve, të cilat ndikojnë drejtpërsëdrejti në ushtrimin e profesionit.

Për 11 muaj 132 persona zyrtarë janë sulmuar në Kosovë

Përveç punëtorëve shëndetësorë, edhe zyrtarë të tjerë publikë në vend gjatë këtij viti janë sulmuar fizikisht. Zyra për informim në Policinë e Kosovës ka thënë për “Zërin” se nga muaji janar deri në muajin nëntor të këtij viti 132 persona zyrtarë janë sulmuar, ku 36 prej tyre janë sulmuar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. “Rastet e sulmeve ndaj personave zyrtarë, duke përfshirë këtu edhe punëtorëve shëndetësorë, regjistrohen sipas Kodit Penal si ‘Sulm ndaj personit zyrtar’, si dhe ‘Sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare’. Pra në statistika hyjnë të gjitha rastet kur sulmohen zyrtarët gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, këtu hyjnë sulmet ndaj zyrtarëve të të gjitha institucioneve, ndaj policëve, ndaj inspektorëve të ndryshëm, ndaj punëtorëve shëndetësorë, atyre të administratës, inkasantëve të ndryshëm (të Ujësjellësit, të KEK-ut etj.)”, ka thënë Policia e Kosovës.

Shala: Të rriten dënimet ndaj sulmuesve!

Drejtori i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Behxhet Shala, ka dënuar sulmet që janë bërë ndaj personave zyrtarë në Kosovë. Ai ka thënë se kjo dukuri është shqetësuese dhe se personat e sulmuar duhet të mbrohen nga shteti. “Realisht zyrtarët publikë janë pasues të shtetit dhe çdo sulm ndaj tyre është sulm ndaj shtetit. Kjo është shqetësuese për zyrtarët tjerë që kryejnë punën e tyre e duke u bazuar në ligj ata duhet të merren në mbrojtje nga shteti. Pasi po ndodh sulmi, atëherë po jepen dënimet, mirëpo kjo nuk po ndikon që numri i sulmeve të bjerë, por po ka rritje të sulmeve”, ka theksuar ai për gazetën.

Shala ka thënë se po ashtu dënimet ndaj sulmuesve të zyrtarëve publikë duhet të jenë më të larta në Kosovë. “Ligji duhet të jetë ai që ia kufizon në të ardhmen dikujt të sulmojë zyrtarët publikë. Kjo është dukuri shqetësuese dhe ata duhet të mbrohen nga ligji e nga shteti. Duhet që ligji të jetë më i ashpër, të shqiptohen dënime meritore, në mënyrë që të ndikohet në parandalimin e sulmeve”, ka thënë ai tutje./ZERI